Betimi i Fredi Belerit, SPAK vendos të hënën, Çfarë parashikon ligji për lejet e veçanta të daljes nga burgu

24 Qershor 2023, 16:30| Përditesimi: 24 Qershor 2023, 16:48

  • Share

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, kërkon leje për të dalë nga paraburgimi për ceremoninë e marrjes së detyrës në Këshillin Bashkiak të qytetit të martën e 27 qershorit në ora 11.00.

Ndryshe nga kryebashkiakët e tjerë të dalë nga zgjedhjet e 14 majit, të cilët po mandatohen në Këshillat Bashkiakë, Beleri ndodhet i arrestuar me akuzën për korrupsion zgjedhor.

“Report Tv” mëson se kërkesa për leje është dërguar mëngjesin e së premtes në 3 institucione të ndryshme, në Prokurorinë e Posaçme, Gjykatën e Posaçme dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Dokumenti i dorëzuar nga avokatët për leje të veçantë mësohet se ka mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa institucioni përgjegjës për miratimin ose refuzimin e saj është prokuroria e Posaçme, SPAK.

Burime nga “Burgjet” i thanë Report Tv se kërkesa pritet të shqyrtohet të hënën, në konsultim me prokurorinë, një ditë para datës së caktuar për betimin e kandidatit të Berishës dhe Metës në Himarë.

Sipas ligjit lejet në burgje janë dy llojesh, shpërblyese dhe të veçanta. E para bën fjalë për leje të individëve që janë dënuar me vendim të formës së prerë, ndërsa lejet e veçanta përfshijë edhe personat që janë në masë arresti në burg, si rasti i Fredi Belerit. Por, që leja të aprovohet ligji kërkon të plotësohen kushtet e ngjarjeve të rëndësishme familjare të personave të afërt me të pandehurin në masë arresti. Në rast miratimi të lejes, i pandehuri shoqërohet me efektiva policie gjatë çdo lëvizje që kryen jashtë paraburgimit për të shmangur arratisjen.

Fredi Beleri dhe anëtari i shtabit të tij elektoral Alfred Kokaveshi ranë në pranga më 12 maj 2023 pasi u arrestuan duke dhënë 40 mijë lekë të reja tek një agjent i infiltruar i prokurorisë së Vlorës, në këmbim të votave të 8 qytetarëve të Himarës. Pak ditë pas arrestimit të Belerit, dosja e tij u transferua në SPAK, ndërsa gjykata e posaçme ka refuzuar kërkesat e tij për lirim.   

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ndryshohen drejtorët e policisë në qarqe, do ketë më shumë rend e siguri?