KUKËS- Aeroporti i Kukësit “’Flatrat e Veriut “ka pasur një sezon të suksesshëm veror me gjashtë fluturime në javë, por tashmë fluksi i udhëtarëve ka rënë dhe operon vetëm "Air Albania" me një fluturim në javë.
'Për momentin kemi vetëm një fluturim, tani që do të bëhet ditën e dielën dhe kthehemi ditët e enjte. Kemi një sërë kërkesash nga avionë sportivë të vegjël të cilët do të fillojnë të frekuentojnë aeroportin e Kukësit në ditët në vijim. Aeroporti nuk do të mbyllet, do të vazhdojë funksionimin sepse është bërë për të kryer fluturime.'- tha Altin Progonati Drejtor i Aeroportit të Kukësit.
Ndërsa hedh poshtë zërat për një mbyllje të mundshme të aeroportit, Progni flet për bisedimet që po zhvillohen me disa kompani ajrore.
'Jemi në tratativa me shumë kompani ajrore, mund t'ju them aktualisht presim Wizzair që të vijë të bëjë një vizitë në aeroport që të shohë kushtet dhe ato që ofron aeroporti i Kukësit, pas kësaj qëllimi është që të fillojnë fluturimet në aeroportin e Kukësit. Janë edhe disa që sjellin 'chartera' biznesi apo sportiv, të cilët kanë shprehur jo vetëm interesin, por ne kemi filluar bashkëpunimet me to.'- tha Progonati.
Sakaq, aeroporti i Kukësit i ka marrë të gjitha masat për përballimin e stinës së dimrit.
'Është marrë solucioni për shkrirjen e akullit që përdoret në aviacion, procedura quhet D-Icing. Aeroportet funksionojnë njëlloj, si në Alaskë si në Afrikë, në temperatura të ndryshme, të gjitha masat janë. Nuk janë pengesë temperaturat, për aeroportin e Kukësit që të funksionojë edhe gjatë dimrit.'- u shpreh Altin Progonati Drejtor i Aeroportit të Kukësit.
Zayed-Flatrat e Veriut është aeroporti i dytë civil në vend që nisi fluturimet e para në prill të këtij viti.