Bienalja e Prizrenit, kuratori rrëfen njohjen me ‘veprën’ e Ramës: Në Shqipëri ka art, mungesat janë politike

16 Korrik 2019, 16:46| Përditesimi: 17 Korrik 2019, 11:31

  • Share

“Revolucioni jemi ne” (LaRivoluzione siamo noi) është tema e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale”, që ngre siparin në Prizren (21 korrik). Në këtë edicion të dytë të Biennales rreth 30 artistë nga e gjithë bota prezantojnë veprat e tyre nën kurimin Giacinto Di Pietrantonio në Prizren. Teksa artisti në një intervistë për kamerën e “ReporTV” flet për konceptin kuratorial, shpjegon edhe se përse tema e trajtuar në këtë biennale është frymëzuar nga vepra e Joseph Beuys-it, e vitit 1971, me titullin “La Rivoluzione Siamo Noi”. Vepra e Beuy-s është një poster i prodhuar nga agjencia“Modern Art Agency” në Napoli. Një printim me ngjyra në dimensionet 185 X 106 cm, i botuar në 180 ekzemplarë, në të cilin shfaqet Beuys, duke ecur drejt nesh me kapelë tirku në kokë, këmishë të bardhë, jelek peshkatarësh, xhinse, çizme dhe çantën në supe.

Zoti Giacinto Di Pietrantonio, le ta fillojmë këtë intervistë pikërisht nga tema e këtij edicioni të “Autostrada Bienale”. Përse keni zgjedhur që ky edicion të vijë nën temën “Revolucioni jemi ne”?

Kur më thirrën Barış Karamuço, Leutrim Fishekqiu dhe Vatra Abrashi,  për  të bërë këtë biennale, pyeta veten se cila mund të ishte tema e duhur për t’u trajtuar, për të cilën ia vlente të flisnim për këtë edicion. Dhe meqenëse unë jam shumë i lidhur me këtë vepër të Joseph Beuys, “Revolucioni jemi ne”, e cila është një vepër të cilën autori e realizoi në Itali në vitin 1971 e që unë e kam në shtëpi. Bëhet fjalë për një poster të madh në formatin një me një. Unë kur kthehem në shtëpi më duket sikur Beuys përmes tij më del përballë, dhe mirëpret gjithashtu njerëzit që vijnë të më takojnë. Pra është një vepër që më shoqëron në një pjesë të madhe të kohës, dhe unë do të doja të nisesha nga një vepër arti dhe nga një artist. Sepse, kohët e fundit flitet gjithnjë e më shumë për tema më të përgjithshme , sociale, politike, që kryesisht nisen nga realiteti duke lënë pas dore prejardhjen artistike. Beuys është një artist i madh që ka trajtuar tema social e politike, dhe “Revolucioni jemi ne” është një titull që i qëndron kësaj: pikënisja të ishte nga një artist dhe jo t’i referoheshim një realiteti social, për këtë kam zgjedhur këtë vepër dhe këtë titull, që sigurisht nuk do të jetë pjesë e ekspozitës, sepse është një vepër referuese.Me fjalën revolucion nuk nënkuptojmë revolucionin politik, por një revolucion gjuhësor, pra revolucionin e veprave të artit. Sepse çdo vepër arti nga ana gjuhësore është revolucionare.

Mendoni se çdo vepër arti është një revolucion. Po si vjen e ndryshuar situate, përsa i përket veprave të artit, cilësisë së tyre duke nisur nga vepra “Revolucioni jemi ne”, që ju mbani në shtëpinë tuaj, tek punët që paraqiten në këtë bienale?

Nga ana gjuhësore arti është gjithmonë një akt revolucionar. Edhe pse në pamje të parë mund të duket si një gjest i padobishëm, në një shoqëri ku gjithçka është e prirur ndaj sendeve që përdoren, ndaj faktit se duhet të ketë gjithmonë një motiv, një qëllim, arti prek aspektin e lirisë: sepse arti bëhet me gjithçka dhe me asgjë. Na ofron një fushë lirie përsa i përket shprehisë, si edhe të sjelljes, të veprimit, të faktit se jemi në këtë botë. Si për të mbrojtur lirinë individuale dhe atë të të tjerëve dhe ky është padyshim një akt revolucionar.

Ndoshta është koincidencë, por vëmë re se artistët shqiptarë që janë zgjedhur të marrin pjesë në këtë bienale, janë formuar në shkollat italiane...

Arti shqiptar nuk i nis nga sot sukseset dhe afirmimet e tij, në mbarë botën. Pra, i takonte me të drejtë të ishte pjesë e kësaj bienaleje, por jo vetëm, pasi sigurisht që arti shqiptar me autorët e saj është prezentë në shumë ngjarje të rëndësishme të artit. Qoftë në bienale, ashtu edhe në muzetë ndërkombëtarë. Kështu që unë nuk kam bërë tjetër, veçse të isha në vazhdën e kësaj, përpos kësaj unë kam punuar prej vitesh me artistë shqiptarë, të cilët i kam ftuar edhe në ekspozita të tjera që kam mbajtur. Për mua është diçka normale. Pastaj revolucioni bëhet me njerëz që i njeh, edhe që ua njeh vlerat. Kështu që për të bërë një ekspozitë revolucioni, kisha nevojë për disa shokë udhëtimi, mes të cilëve janë edhe artistët shqiptarë, që kam ftuar këtu.

Shpesh ndodh që koncepti kuratorial mbizotëron dhe nuk është në të njëjtin nivel me veprat artistike, të cilat na vijnë më të zbehta. Çfarë do të ndodhë në këtë rast, a do të ketë balancë në këtë aspekt?

Të paktën përsa më përket mua, unë jam një kurator që vihem gjithnjë në dispozicion të artit dhe të artistëve, nuk kërkoj asnjëherë që ta bëj artistin të duket më i madh se ç’duhet .

Mendoj se pa artistë nuk do të kishte as art dhe as ekspozita, kështu që në të gjithë këtë proces pune, hallka më e rëndësishme janë artistët dhe arti që prodhojnë. Shumë vepra që do të ekspozohen, janë vepra të cilat nuk janë realizuar apostafat për këtë ekspozitë, por që unë kam parë në to disa vlera që mendova se duheshin riekspozuar. Ka edhe punime që janë ribërë, janë axhiornuar, kështu që sipas meje, nuk është një ekspozitë që e mbivlerëson artistin, por që realizohet falë tij.

Çfarë prisni të sjellë kjo bienale, qoftë përsa i përket impaktit që do të ketë tek publiku?

Unë shpresoj që t’i pëlqej edhe publikut, pasi artistët e mirëpritën ftesën për të marrë pjesë, edhe kjo është një shenjë e mirë. Mendoj se do t’i pëlqejë edhe publikut, sepse kur kemi bërë konferencat kemi pikasur se ka interes. Nga ana tjetër ka një rritje të nevojës për art, dhe nuk besoj se “Autostrada Bienale” bën përjashtim. Mbetet që ta verifikojmë  pas një jave kur të hapet.

Ju keni raporte profesionale dhe me artistë, si Sala, Paci apo Xhafa. Si ju duken artistët shqiptarë në raport me artistët e tjerë ndërkombëtarë?

Ashtu siç e ceka dhe më herët, arti shqiptarë ka treguar cilësi të mëdha, dhe jo nga sot. Ka artistë të rinj shqiptarë, që janë brezi pasardhësi i emrave, si Xhafa apo Sala, Paci etj., që unë i njoh prej vitesh kur nuk ishin ende të famshëm. Tani ka emra të tjerë, si Lekë Gjeloshi, Iva Lulashi etj,, që janë të rinj shumë të talentuar që kanë realizuar vepra shumë interesante . Dhe mendoj se edhe ata do të afirmohen së shpejti. Përpos kësaj unë kur bëj ekspozitat gjithmonë vendos pranë emra shumë të famshëm, si Jan Fabre, Adrian Paci etj. Por edhe artistë shumë të rinj e më pak të njohur. Sepse, përpiqem që në manifestime të tilla t’ u jap mundësinë të rinjve, që unë i shikoj si profile interesante artistike e që kanë nevojë për raste të rëndësishme për t’i konfirmuar për të matur vlerën e tyre. Dhe Autostrada Bienale ndërtohet duke ndjekur një vijë të tillë.

Duke pasur parasysh krizët globale, sa e vështirë është sot të bësh art dhe çfarë perspektivash kanë artistët sot?

Arti i ditëve të sotme, është si arti i djeshëm. Çdo kohë ka artin e saj dhe rrëfen këtë kohë. Jetojmë në një kohë kur arti nuk është më në shërbim të pushtetit, por të vetvetes dhe shfaq lirinë e tij. Dhe është kjo një nga arsyet se pse unë i jam afruar dhe jam i interesuar për artin. Arti rinovohet në vazhdimësi, ndërton dhe rrëfen kohën e tij, pastaj do të mbetet ajo çka është e rëndësishme nga kjo kohë për të ndërtuar të nesërmen, të ardhmen. Kështu edhe “Revolucioni jemi ne” synon të flasë për të ardhmen, për të nesërmen dhe është një ekspozitë, që nuk e shikon artin vetëm si kënaqësi.

Pra ekspozita “Revolucioni jemi ne” që frymëzohet nga një vepër arti, shkon përtej saj, si një ftesë reflektimi për një revolucion edhe politik e social?

Nëse flasim për revolucione si ata të shekullit të XX, unë nuk mendoj se arti e ka këtë komoditet që të promovojë një revolucion politik. Flitet për një revolucion kulturor dhe ekzistencial. Arti ndihmon për të kuptuar, fillimisht veten. Na nxit të shtrojmë pyetje, nuk na jep përgjigje, por shërben si katalizator që ne të shkojmë në kërkim të tyre. Arti na ndihmon që ta bëjmë më interesante jetën tonë.

Një shoqëri si e jona, e dalë nga komunizmi, ku mjetet ekonomike që mund të stimulojnë artin janë të pakta, çfarë do të sugjeronit ju, se mund të ndihmonte për të përmirësuar situatën?

Unë vë re se artistë ka, dhe janë të shumtë, pavarësisht sistemit. Pastaj natyrisht që sistemi shërben, duhet të mbështesë, përndryshe arti rrezikon të shuhet. Por unë vë re se hapa pozitiv po bëhen, për të bërë që edhe arti i vendeve, si Shqipëria dhe Kosova të mund të kenë një konfirmim në brendësi të tyre, pasi jashtë e kanë tashmë.

Përshembull më parë përmendëm disa emra artistësh shqiptarë, si Xhafa, Sala etj. Ata janë konfirmuar jashtë vendit, sepse këtu nuk ka struktura që mund t’i mbështesin për t’u njohur në skenën ndërkombëtare. Por artistë ka, nëse mund të flasim për mungesa, ato janë mungesa politike, të cilat nuk kanë krijuar institucionet e nevojshme që t’u vijnë në ndihmë. Arti nuk mungon kurrë, arti është gjithnjë i pranishëm.

Unë dua të tregoj diçka të rëndësishme, se krahas emrave të rëndësishëm, kam ftuar në këtë ekspozitë edhe një kolektiv të quajtur “Orkide”. Kjo sepse, kur unë shkova për herë të parë në Prizren, pashë diçka që nuk e kam hasur në asnjë vend të botës. Kishte një grup pemësh, të veshura, nga këto gra. Mua m’u duk një gjest arti ‘alla Beuys’. Unë i ftova edhe për të dhënë mesazhin se në një shoqëri të gjithë mund të jemi kreativ . Për mua ishte një fenomen vizualit shumë i fortë dhe menjëherë u interesova të merrja vesh se kush e kishte realizuar. Atëherë organizatorët më folën për këtë grup grash turke, që bëjnë këto punë të vogla dhe veshin këto pemë. Unë shkova t’i takoj dhe i pyeta se çfarë i nxit ta bëjnë këtë. Ato më shpjeguan se këtu pemët përdoren në manifestime të ndryshme, ku për të vendosur postera etj., shpohen dëmtohen. “Dhe ne menduam çfarë mund të bëjmë për t’i shpëtuar? Dhe atëherë i veshëm kështu”.  Pra është tamam vepër ‘alla Beuys”.  Nëse ai vendosi 7000 blloqe në Kassel, të ndryshëm nga njëri­-tjetri këto gra veshën pemët ,në mënyrë të ndryshme, për të treguar se secila është e ndryshme nga tjetra. Nuk është se puna e tyre do të ndalet, ato do të vijojnë edhe pas bienales. Është një nga manifestimet më interesante që unë kam parë. Pra arti na ndihmon të shpresojmë.

Njohja juaj me Shqipërinë,  cila është?

Historikisht Shqipëria, edhe në kohën e Enver Hoxhës, ishte një vend afër Italisë. Edhe pse një nga vendet më të mbyllura të bllokut komunist ka ruajtur lidhjet me Italinë. Në Itali ka komunitete shqiptare, që prej Mesjetës. Mandej për Shqipërinë dëgjuam edhe më shumë pas rënies së komunizmit, e më pas kur ndodhi eksodi. Pamja e qindra  shqiptarëve në anije  në portet italiane është e njohur për ne.

Pastaj në Shqipëri unë kam mbajtur “Flash art bienale” gjatë viteve 2000, e që më pas u zhvendos në Pragë, në Republikën Çeke. Unë bëra një nga edicionet e kësaj bienaleje ku ftova artistë të ndryshëm italianë, shqiptarë, austriakë, amerikanë etj. Ajo bienale shënjoi dhe udhëtimin tim të parë drejt Shqipërisë. Tani shikoj se Shqipëria është rritur. Asokohe ishte në muze edhe Edi Muka.

Dhe së fundmi, cili është mendimi juaj për punën e kryeministrit Edi Rama si artist? Sa njiheni me veprat e tij?

I njoh punët e tij, por nuk e njoh personalisht. Unë nuk mund të jap një mendim për punën e tij politike, sepse nuk e di se si ai vepron në këtë aspekt këtu në Shqipëri, por përsa i përket aspektit artistik ideja për të pikturuar shtëpitë më është dukur interesante, është një qasje në periudhën avangarde,  e revolucionit  Rus.

Gjatë revolucionit të madh Rus, Mark Chagall ishte kthyer në Rusi dhe hapi Akademinë e Arteve të Bukura në Vitebsk, që ishte qyteti i tij dhe thirri Malevich për të dhënë mësim, por ai ishte një artist shumë revolucionar nga pikëpamja gjuhësore, që ndryshoi këndvështrimin e të bërit art, dhe Chagall e donte me çdo kusht të shkonte atje. Interesante është se shkruan në regjistër se një ditë do të shkojë ta vizitojë qytetin Vitebsk, me këto pallatet e pikturuara në të verdha, të kaltra etj.

Dhe ishte efekti që Malevich kishte krijuar në këtë shkollë, përsa i përket aspektit estetik. Pra ishte ky projekt i madh social. Unë tani nuk e di nëse Rama i referohej kësaj tradite të madhe, përsa i përket pikturimit që ai u bënte arkitekturave, sepse të bësh ose do të ribësh arkitekturat e këqija, kjo nuk mund të bëhet, sepse do të kushtonte shumë. Por nëpërmjet artit do të përpiqesh t’u japësh një identitet.

Autostrada Biennale 2019

Biennalia çelet në datë 21 korrik në Prizëren. Stafi organizativ së bashku me kuratorit prezantuan edhe në Tiranë tek “Reja” artistët pjesëmarrës në këtë Biennale, të cilët janë: Giulio Alvigini (Itali), Apparatus 22 (Rumuni), Levent Bütüçi (Kosovë), Nemanja Cvianovič (Kroaci),Lana Čmajčanin  (Bosnia dhe Herzegovina),  Mirza Dedač  (Serbi),  Jan Fabre  (Belgjikë),  Jakup Ferri(Kosovë),  Lek M. Gjeloshi  (Shqipëri),  Emre Hüner  (Turqi),  Hristina Ivanoska  (Maqedonia Veriore),

Lorena Kalaja  (Amerikë),  Sanja Latinović  (Serbi),  Iva Lulashi  (Shqipëri / Itali),  Sgomento  - MarcoMuçi  and  Matteo   Pomanti  (Itali),  Fatmir   Mustafa  - Karllo  (Kosovë),  Kolektivi  Orkide  (Kosovë),Anatoly Osmoloëski  (Rusi),  Adrian Paci  (Shqipëri),  Tommaso Pincio  (Itali),  Ilija Šoškić  (Mali i Zi),Somer Şpat  (Kosovë),  Giuseppe Stampone  (Itali),  Lola Sylaj  and  Dardan Zhegrova  (Kosovë),  TheCool Couple  - Niçolò Benetton and Simone Santilli (Itali),  Francesco Vezzoli (Itali),  Driant Zeneli(Shqipëri).

 

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?