Faza e grupeve ishte fantastike por Italia e ka lënë pas dhe sot është në provim ndaj Austrisë. Për të kaltërit ka ardhur ora e së vërtetës për të treguar se 30 ndeshje pa humbje dhe 11 pa pësuar nuk janë rastësi. Sot nis faza e 1/8 e Euro 2020 dhe në mitikun “Wembley” në Londër duke nisur nga ora 21:00 Italia përballet me Austrinë për një biletë në çerekfinale. Dyshimet për formacionin janë të pakta. Chiellinin do ta zëvendësojë Acerbi ndërsa Verrati pritet titullar në vend të Locatellit dhe pjesa tjetër janë të njëjtët që fituan në dy ndeshjet e para.Tekniku Roberto Mancini është i bindur se skuadra e tij do bëjë një ndeshje të madhe dhe në konferencë ka thënë: “Kam fatin që kam lojtarë shumë të mirë dhe që më vënë në vështirësi në përzgjedhje, jam i qetë pasi e di që do bëjmë një ndeshje të madhe. Të luash në Wembley është gjithmonë kënaqësi” e mbyll trajneri i të kaltërve.
Italia nuk humbet në 13 përballjet e fundit ndaj Austrisë dhe sot është favorite por kjo nuk e tremb trajneri Franco Foda dhe kapitenin David Alaba. Atmosfera është nga më të mirat tek Austria që fazën me eliminim në një Europian e arrin për herë të parë. Trajneri Franco Foda sqaron: Italia është favorite,ka cilësi shumë të mira mbi të gjitha në mbrojtje por ne e kemi një plan për ta mundur dhe kërkojmë të arrijmë çerekfinalet” e mbyll numri një i pankinës austriake.Sa i takon formacionit Austria do i përballë të kaltërit me më të mirët që ka në dispozicion e udhëhequr nga kapiteni Alaba dhe në majën e sulmit Marko Arnautovic. Arbitri i ndeshjes do të jetë anglezi Anthony Taylor. Në stadium pritet të jenë rreth 22 mijë tifozë po shumë pak do jenë italiane e austriakë.