Ndërsa mijëra emigrantë hyjnë ilegalisht në SHBA çdo ditë, më shumë se 11 mijë njerëz vazhdojnë të presin në strehimore dhe kampe në anën meksikane të kufirit, për t'u regjistruar në Amerikë përmes rrugëve ligjore të vendosura nga administrata e Presidentit amerikan, Joe Biden.
Situata është bërë shqetësuese dhe nesër presidenti meksikan do të presë sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Javët e fundit, qytetet kufitare të SHBA-së janë nën peshën e presionit të një rritje të paprecedentë të njerëzve që kalojnë në SHBA nga Meksika, raporton CNN.
Autoritetet federale raportuan një mesatare shtatë-ditore prej më shumë se 9,600 takimesh me emigrantë përgjatë kufirit jugor të SHBA-së në dhjetor. Që nga maji, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare ka deportuar ose kthyer mbi 445 mijë emigrantë, shumica dërrmuese e të cilëve kishin kaluar kufirin jugor të SHBA-së.
Administrata Biden gjithashtu pezulloi përkohësisht operacionet hekurudhore në Eagle Pass dhe El Paso, por këto shërbime rifilluan të premten (22 Dhjetor).
Nesër presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador do të takohet me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken, Sekretarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA Alejandro Mayorkas dhe Këshilltaren e Presidentit Biden për Sigurinë Kombëtare Elizabeth Sherwood-Randall në Mexico City.