Partia Demokratike nuk e dogji ofertën e mazhorancës që të paraqiste edhe ajo një draft në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas përcaktimeve të reja kushtetuese. Por, drafti i opozitës bie në kundërshtim me frymën e Kushtetutës e cila nuk i lejon më koalicionet parazgjedhore si deri më sot, por kërkon që partitë, nëse duan, të paraqiten me një listë të përbashkët.
I gjithë investimi i PD-së është që të ruhet patjetër formula aktuale e koalicioneve parazgjedhore, ku votat e një partie transferohen tek partia tjetër. Ky lloj deformimi i votës ka prodhuar mbi 100 parti politike që mbijnë si kërpudha pas shiut të cilat, nga fantazma gjatë 4 viteve, bëhen të “gjalla” vetëm përpara garave elektorale ku i bashkëngjiten partive kryesore.
Është e turpshme që parti politike, kryetarët e te cilëve nuk i voton as familja e tyre e që nuk i njohin as komshinjtë e pallatit, priteshin gjithë pompozitet prej liderëve të partive të mëdha, ku nënshkruanin përpara kamerave të ashtuquajturin koalicion. Kjo maskaradë politike duhet të marrë fund dhe Kushtetuta e re na e jep këtë mundësi.
Partia Demokratike, në draftin e saj, propozon renditjen e kandidateve sipas rendit alfabetik dhe si formulë zgjedhje ajo ofron që fitues del ai kandidat që merr më shumë vota.
Kjo lloj formule, në dukje demokratike, u shkon për shtat partive të vogla. Këto lloj partish, sigla e të cilave nuk prodhon vota, përpiqen të rekrutojë tek e tuk ndonjë emër të njohur nga fusha të ndryshme për ta paraqitur si kandidat dhe, nën ombrellën e tij, të korrin ndonjë grusht votash.
Ndryshon puna tek partitë e mëdha të cilat janë formacione politike të konsoliduara prej tri dekadash, që janë të shtrira cep e më cep të Shqipërisë, që kanë personalitete të forta politike e shoqërore dhe ku mbi të gjitha, marka e tyre, ofron siguri qeverisje.
Sipas propozimit të PD-së, kandidatët fillimisht duhet të kenë betejë politike brenda llojit, përpara se të kenë luftë politike me kundërshtarin politik. Në vetvete kjo ofron një “spektakël” teksa sheh se si dy kolegë brenda një partie bëjnë fushatë të egër kundra njëri tjetrit, duke harruar se misioni është që të mundin kundërshtarin, pra partinë tjetër.
Drafti i PD-së, ku fiton ai që ka më shumë vota, mund të sjellë edhe një situatë të tillë, e cila për momentin është hipotetike, por në mungesë të një precedenti që nuk e kemi në Shqipëri, nuk përjashtohet që edhe të ndodhi. Pra, pas një renditje sipas rendit alfabetik, ku zgjedhësi fillimisht zgjedh partinë, mund të qëllojë që gjysma e elektoratit të asaj partie nuk zgjedh asnjë emër kandidati, kurse gjysma tjetër ia jep 100 për qind të votave emrit të kryetarit të partisë (ose vetëm një personazhi të caktuar).
Në këto kushte, deputetët përzgjidhen automatikisht sipas renditjes, ku ata që u fillon emri me shkronjë “A” kanë përparësi. Kësisoj mund të ndodhë që deputet të futen Artani 18 vjeçar, dhe jashtë të mbetet numri dy i parti që i fillon emri me “Xh”.
Por mund të ndodhë edhe varianti tjetër që, nga 100 mijë vota që merr partia, kryetari të marrë 90 mijë vota, dhe pjesa tjetër të zgjidhen deputet me nga 500 a 600 vota. Këto shifra mund të duken të ekzagjeruara, por theksoj, në mungesë të precedentit, asgjë nuk përjashtohet.
Drafti që ofron Partia Socialiste është më objektiv. Sado që në këto kohë njerëzit janë fokusuar tek emrat e përveçëm, është absurde që të nënçmohet roli i partisë e cila është forma e vetme e organizimit politik kudo në botë.
Fundja, një trajner futbolli, nuk fut asnjëherë në fushë një ekip sipas rendit alfabetik të lojtarëve, por përzgjedh më të mirët që ai mendon se i japin fitoren. Po kështu, edhe në fushën e politikës, një parti serioze, që pretendon pushtetin, i ofron elektoratit një formacion të sajin, ku rendit në krye më të mirët që ajo gjykon se i ka. Ata luftojnë më pas me programe me kundërshtarin politik dhe fitorja arrihet ku secila palë arrin të bindë më shumë zgjedhës.
Ndryshon puna pastaj me partitë e vogla që nuk kanë objektiv që të rriten, sepse nuk duan fare që të rriten. Kjo kuptohet fare lehtë që kur propozojnë ulje të pragut elektoral deri në 1 për qind. Këto parti pëlqejnë të mbeten të vogla, por deri në kufirin që të marrin 1 ose 2 mandate dhe me to të përcaktojnë formimin e qeverisë. Parti të tilla, që kërkojnë mesatarisht 3 vota për çdo qendër votimi me nga 500 – 800 zgjedhës, pa tentuar kurrë që të shkojnë së paku tek 8 ose 10 vota, e kanë të shkruar në ballë që nuk kanë parime.
Për ta përfunduar aty ku e nisa, me draftin e PD-së, duhet thënë që ai është një blof që ajo i bën mazhorancës socialiste. E provokon me dy çështjet që shtjellova më sipër, renditja e kandidatëve me alfabet dhe zgjedhja si deputet e atij që merr më shumë vota.
Është e kuptueshme që PD-së, për te ruajtur balancat brenda koalicionit të vetë i intereson drafti që ofron PS-ja. Por Partia Demokratike e ofron draftin e saj, të cilin e di që nuk mund të kalojë, për ta shfrytëzuar në fushatë si një kalë beteje duke akuzuar mazhorancën se “ka frikë nga hapja e listave”.
Në këto kushte, mazhoranca, për të mos në këtë kurth, le të vendosë në Kodin Zgjedhor, mënyrën fakultative se si partitë duan që t’i zgjedhin deputetët e tyre. Pra, kur një parti politike depoziton në KQZ listën me kandidatë për deputet, njëkohësisht deklaron edhe cilin variant ajo pranon që t’i shpallen fituesit, sipas formulës së PS-së ose asaj të PD-së.
Kjo, besoj, do i hiqte opozitës çdo lloj alibie se mazhoranca nuk lejon listat e hapura sipas modelit që opozita propozon. Gjithashtu, vihet në provë edhe opozita se sa seriozisht e ka pasur kur e ka propozuar draftin e saj.
Opozita ka pj*rdhur bashke me plakun Berishe... ndaj populli thote : Mos ja degjo p*rdhet plakut
Përgjigju