Foto nga kryeqyteti shqiptar

Periferi

Borxhlinjtë e Tiranës

13 Qershor 2018, 12:01| Përditesimi: 13 Qershor 2018, 12:05

  • Share

Dihet. Tironcit janë indiferentë. Me natyrën e tyre sikur të ishin priftërinj budistë, lënë lumin të rrjedhë e qëndrojnë të qetë ndërsa shikojnë ç'sjell ai. Një vëzhgim pa përfshirje, akoma më mirë, nëse bëhet me një kafe a një teke raki. Tironcit janë të qetë. Ndësa ua lanë vendin lloj lloj ambiciozëve, duket, se vazhdojnë ta bëjnë pa u shqetësuar edhe tani. Nuk mërziten që quajnë, për shembull, analist burrin e Meremes nga Kukësi. Meremja rreh të shoqin e ai rreh sistematikisht inteligjencën e tiranasve e të mbarë Shqipërisë me "analizat" e tij.

Mbajnë si inteligjent e mendimtar Artanin e ish-Bllokut. Luante me kukulla plastike në vegjëli, e për kukulla plastike vdes edhe tani. E nga një kukull në tjetrën, pretendon të bëjë një "analizë" që fsheh gjithë frustrimin e natyrës së pavërtetë të tij. E pra, tiranasit i dhanë shumë në kohë diktature e vazhdojnë t'i japin bollshëm hapsirë. Shpresojnë të gjejë vetveten, më në fund, një ditë. Tiranasit, e kam thënë, janë zemergjerë. I falën monumente firmës së sallamit, e tani, memorien ja kanë lënë në dorë të njëjtës firmë, apo të njëjtit fis. Ah sa moral bën përditë firma e sallamit: "Në Shqipëri, - thotë, - s'ka si unë më të mirë".

Tirana ka nxjerrë në sipërfaqe lloj lloj materialesh njerëzore, e ndërsa bijtë e saj më të mirë e më të mençur janë strukur ose kanë ikur, ua ka dhënë fjalën disave që mund t'i quajmë vetëm borxhlinj. Janë të shumtë borxhlinjtë e Tiranës, përditë i dëgjon të bërtasin, të gënjejnë, të bëjnë moral e të pretendojnë të kundërtën e asaj që bëjnë vetë në çdo kthinë. Përdoren si armë nga të këqinjtë e përvetësojnë të mira materiale, por ata do të mbeten përherë borxhlinj.

Kjo Tiranë, në dukje indiferente, që gjen forcën të zbukurohet mes dhimbjes, agresivitetit e të çmendurve dita-ditës, çfarë do të jetë në gjendje të bëjë në kohën e saj më të mirë? Ja, kështu, mes llumit që plluskon në lumin e jetës, me durim, Tirana ka arritur të inkurajojë pak vetë me vlerë e me dëshirën e mirë për dritë. Janë fare pak ende tani, por në kohë të kohëve, errësira, ka treguar se vendin do ja lërë dritës një ditë. Borxhlinjtë e Tiranës bërtasin televizioneve, rrjeteve sociale, e portaleve. Mendojnë se kështu do të zerohet borxhi i tyre ndaj qytetit e njerëzve të mirë. Por Tirana, me qetësinë e saj monumentale, i njeh shumë mirë. Të gjithë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?