Pa maska dhe në pritje të urbanit ku nuk respektohet asnjë distancë. Pamjet u xhiruan sot tek zona e njohur 9-katëshet.
Masat anti-covid në vendin tonë prej kohësh kanë pushuar së zbatuari. Kudo në kryeqytet sheh qytetarë të shkujdesur që sillen sikur virusi të mos jetë më prezentë.
Nga të rinjtë deri tek të moshuarit askush nuk zbaton një prej masave që konsiderohet më e rëndësishmja sipas eskpertëve.
Grumbullime ka edhe në pikat ku shiten abonetë mujore.
Në kafene në një tavolinë ka më tepër se tre apo katër persona. Shumë pranë një tjetër tavolinë po me aq klientë pa respektuar asnjë distancë.
Dhe kur shkojnë për të blerë ushqime, jo çdo qytetarë është i pajisur me maskë.
Në një kohë kur bota po i kthehet karantinës nga rreziku i variantit i ri i COVID Omicron, apo dhe kur Kosova nga data 3 janar nuk do të lejojë të hyjë në territorin e saj asnjë person i pavaksinuar, Shqipëria vijon me të njëjtat masa që nuk zbatohen.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli për rishikim të masave në varësi të situatës dhe njoftoi dërgimin e mostrave në laboratorë jashtë vendit për të vërtetuar a ka hyrë apo jo Omicron në Shqipëri.