Një studim fizibiliteti nga FIFA po zhvillohet aktualisht mbi mundësinë e zhvillimit të kampionatit Botëror çdo dy vite dhe jo njëherë në katër vjet siç është aktualisht.
Këtë hipotezë e pranoi për herë të parë publikisht në maj të këtij viti edhe presidenti i FIFA-s Gianni Infantino, i cili tha se është i hapur pas propozimit që bërë federata e Arabisë Saudite. Mirëpo hipoteza ka ngjallur së fundmi reagimin e presidentit të UEFA-s Aleksandër Ceferin që pikë së pari është i mërzitur se Infantino nuk e ka përfillur për këtë diskutim.
Në një komunikim të fundit për mediat presidenti i UEFA-s Ceferin ka deklaruar se kjo hipotezë ka ‘krijuar shqetësime të mëdha’, pasi do organizohet në kurriz të kampionateve kombëtare, por edhe Kupave të Europës. Nëse Botërori do organizohej njëherë në dy vite problemi është se mbeten vetëm 53 data për organizimin e kompeticioneve të tjera sezonale, 10 më pak se ç’janë aktualisht.
Përveç Botërorit dëshira e FIFA-s është që edhe kampionati europian të zhvillohet njëherë në dy vite, ç’ka do të thotë se në fund të sezonit do të ketë gjithmonë një kompeticion madhor. Këto hipoteza janë mbështetur edhe nga Venger, i cili thotë se në këtë rast ekipet kombëtare do mblidhen vetëm dy herë në vit, për të mbyllur një fushatë kualifikuese. Sipas ish-strategut të Arsenal kështu do të shmangeshin edhe dëmtimet e lojtarëve, ndërsa organizimi i këtyre kompeticioneve do të sillte edhe fitime të mëdhaja.
Të paktën për organizimin e Botërorit njëherë në dy vite do të votohet në kongresin e FIFA-s më 22 maj të 2022. Edhe nëse votohet të paktën deri në vitin 2026 nuk do të ketë asnjë ndryshim.