Braçe i përgjigjet Ramës: Po më thua që i kam numëruar lopët gabim, i kam fryrë shifrat?! (VIDEO)

30 Qershor 2022, 13:10| Përditesimi: 30 Qershor 2022, 14:47

  • Share

TIRANË- Një raport i INSTAT i publikuar nga deputeti socialist Erion Braçe, që tregonte se këtë vit në vendin tonë ka 65 mijë lopë më pak krahasuar me vitin 2018, është bërë shkak për një sërë replikash mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një takimi dy ditë më parë, ku në fokus ishte bujqësia, kreu i qeverisë iu përgjigj Braçes me një pyetje ku kanë shkuar lopët, pasi 97% e qumështit që shqiptarët konsumojnë prodhohet në vend.

Pyetjes ku kanë shkuar lopët, Braçe iu përgjigj sot nga Kuvendi, sipas të cilit po i thonë se ka numëruar gabim lopët e ka fryrë shifrat. Deputeti u shpreh se ekonomia është rritur me 5.97% e në këtë rritje bujqësia ka kontribuar vetëm me 0.01%. Këto shifra sipas Braçes tregojnë që ky sektor nuk përfiton asgjë.

“5.97% rritja ekonomike, një lajm i mirë. E dini sa ishte Bujqësia, 0.01% plus. Çfarë do thoni që i ka numëruar gabim Erioni, që nuk janë aq lopët se i ka numëruar ai gabim e i fryn ai? Është sektori më i gjerë i ekonomisë kombëtare që nuk përfiton asgjë.

Turit iu poq shalqiri, 10 ditë duhej, duhet të dalë në treg sot dhe nesër. E dini se sa është çmimi? Për shalqi që prodhohet me farë, që konkurron në çdo treg të Europës, 10 lekë ishte dje. E dini me sa po shitet shalqini jashtë? E shiti pardje me 33 lekë”, tha Braçe.

Sa i përket shifrave për uljen e numrit të lopëve, Braçe ka deklaruar se i është referuar raporteve të INSTAT, që qeveria për statistika të tjera e ngre në qiell. Ky raport u publikua nga Braçe, tre ditë më parë, në të cilin thuhej se krahasuar me vitin 2018 kemi 65 mijë lopë, 250 mijë dele dhe 100 mijë dhi më pak.

Ora 14:44
Ironia e Salianjit: Rama dhe Braçe kanë shqetësim të madh, iu kanë humbur lopët

 

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka ironizuar replikat mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetit socialist Erion Braçe për uljen e numrit të lopëve. Nga Kuvendi, Salianji tha se për të kuptuar realitetin në vendin tonë, mjafton të shohësh diskutimet mes Ramës e Braçes ku shqetësimi i tyre më i madh është se iu kanë humbur lopët dhe jo që iu ka ikur shumica e shqiptarëve.

“Për të kuptuar se cili është realiteti, shikoni për çfarë bëhet diskutimi në publik, ka nisur një diskutim mes kryeministri ministres e deputetit se iu kanë humbur lopët. Këtu kanë ikur 500 mijë njerëz. Këta bëjnë sikur nuk shohin dhe shqetësimi më i madh qenka se ka rënë numri i lopëve”, tha Salianji.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?