Brenda në Muzeun Arkeologjik të Tiranës, aty ku ruhen pasuritë e nëndheshme

5 Gusht 2019, 15:11| Përditesimi: 5 Gusht 2019, 16:02

  • Share

Muzeu Arkeologjik i Tiranës ndodhet në sheshin “Nënë Tereza”. Gjatë gjithë verës dyert e këtij muzeu qëndrojnë hapur për vizitorët vendas edhe të huaj. I krijuar pas Luftës së II Botërore (1948), fillimisht muze arkeologjik etnografik e më pas i profilizuar si arkeologjik, ruan të gjitha zbulimet arkeologjike, si arkitekturore, artefakte apo edhe mbetje biologjike, për të prezantuar tek vizitorët civilizimin dhe kulturën njerëzore të së kaluarës edhe marrëdhëniet e saj me mjedisin përreth. Përgjegjësia e Muzeut të Arkeologjisë në Tiranë Eda Andoni fillimisht na shpjegon, se si muzeu është i ndarë në disa periudha

“Muzeu Arkeologjik i Tiranës është i pari muze, që është hapur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Është riorganizuar në vite të ndryshme, pas kërkimeve që bëhen nga Instituti i Arkeologjisë. Sot ky muze përfaqëson të tre periudhat kryesore që studion arkeologjia në Shqipëri, periudhën e prehistorisë, të antikitetit ilir edhe të mesjetës. Pak a shumë ka një shtrirje të gjatë kohore, qëkur fillon arkeologjia e deri kur përfundon.  Muzeu arkeologjik i Tiranës është ndërtuar edhe si një muze didaktik, që t’u shërbejë edhe nxënësve edhe studentëve, në këtë kuptim ky muze përfaqëson të gjithë objektet që kanë më pak impakt dhe ato objekte që duhen për studime të historisë apo arkeologjisë në periudha të ndryshme. Në këtë sens unë nuk ndaj dot se cili është ai objekt që tërheq më shumë”, shprehet Eda Andoni.

Muzeu është i ndarë në 5 seksione, që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike. Në pjesën e parë dhe të dytë janë të ekspozuara objekte nga periudha e prehistorisë, nga paleoliti deri te periudha e hekurit. Në hollin e tretë dhe të katërt ka objekte që i përkasin periudhës qytetare ilire apo asaj helenistike. Ndërsa, që në seksionin e pestë gjenden më shumë materiale që i përkasin periudhës mesjetare.

Ndarja nis në të majtën tonë, kur hymë në një muze nga periudha më e hershme. Periudha e prehistorisë është më e hershmja, që përfaqësohet me epokat e gurit edhe të metaleve. Epokat e gurit janë paleoliti, mezoliti edhe neoliti, që ndodhen në sallën e parë të muzeut. Ndërsa, në sallën e dytë ndodhen epoka e bakrit, bronzit edhe e hekurit. Që janë tre periudhat e tjera të metaleve edhe përfaqësojnë shfaqjen në metalurgjinë e  bronzit edhe hekurit edhe përbëjnë periudhën e prehistorisë. Ndërsa, në sallën e tretë edhe të katërt ne kemi të gjithë qytetet ilire, që mbulojnë të gjithë territorin e Shqipërisë së sotme, që nisin që nga periudhat më të hershme, nga fillimet e tyre si qytetet, deri tek periudhat klasike, helenistike edhe romake. Në vijim është periudha paleokristiane, shekulli IV-VII edhe së fundmi, muzeu mbyllet me periudhën e mesjetës, që ndahet periudha e hershme, e mesme deri para pushtimit otoman”, shpjegon Andoni.

Por, nga viti 1985 deri më sot nuk ka pasur asnjë rikoncepotim tjetër për Muzeun, edhe pse është e nevojshme.

“Nuk ka asnjë konceptim të muzeut, se s’kemi pas fondet. Pas Muzeut Arkeologjik të Tiranës, që përfshihet nën kujdesin e Akademisë së Shkencave Albanologjike, ku fondi i saj kryesor është i fokusuar mbi kërkimin, prandaj edhe fondet për rikonceptim janë të pakta”, thotë Andoni.

Megjithatë Andoni shton se periudha e antikitetit është ajo që tërheq më shumë vizitorët. “Janë skulpturat, të cilat të them të drejtën janë ato që krijojnë impaktin e parë. Por për njerëzit që i tërheq arkeologjia çdo artefakt është i veçantë”, vijon ajo.

Numri i vizitorëve është rritur krahasuar me vitin e shkuar thotë përgjegjësia e Muzeut.
“Ka një interes më të madh të vizitorëve të huaj, që janë shumë të apasaionuar pas arkeologjisë. Ne përveç këtij tagri vizitori kemi edhe nxënësit e shkollës, që përbëjnë një numër të konsiderueshëm të vizitorëve. Në çdo muze vizitorët duhet ë të njihen me trashëgiminë kulturore nga afër, me historinë edhe të jenë pjesë e saj”, shpjegon ajo.

Muzeu Arkeologjik i Tiranës ka të ekspozuara rreth 2 100 objekte dhe një fond rezervë me rreth  18.000 objekte. Muzeu Arkeologjik i Tiranës do të qëndrojë hapur për vizitorët gjatë gjithë verës. Vizitorët paguajnë biletën hyrëse, 300 lekë. Për grupet çmimi është më reduktues, ndërsa për studentët 100 lekë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?