Moti jashtëzakonisht i nxehtë dhe thatësira kanë përfshirë një pjesë të Evropës Perëndimore, përfshirë Britaninë e Madhe, ku muaji i kaluar ishte korriku më i thatë në Angli që nga viti 1935. Shkurti është muaji i vetëm i këtij viti në Angli ku ka pasur reshje mbi mesataren, gjë që ka çuar në thatësirë problematike që mund të vërë në rrezik furnizimin me ujë.
Për këtë, Agjencia e Mjedisit në Brtiani deklaroi zyrtarisht krizë thatësire në tetë rajone në jug dhe lindje, me West Midlands dhe Yorkshire. Banorët në Londër, Anglinë Jugperëndimore, Anglinë Jugore dhe Qendrore dhe Anglinë Lindore kanë hyrë në statusin e thatësirës ku u kërkohet të kursejnë ujin për shkak të verës më të thatë në 50 vitet e fundit.
Shpallja zyrtare e thatësirës nuk shkakton automatikisht kufizime ligjore për përdorimin e ujit në këto 8 zona, por shkakton më shumë presion mbi kompanitë e ujit për të ndaluar klientët ta përdorin masivisht atë. Larja e automjeteve me ujë nga rubineti gjithashtu mund të shpallet së shpejti e paligjshme.
Në Anglinë qendrore, jugore dhe lindore, prurjet e lumenjve parashikohen të mbeten jashtëzakonisht të ulëta deri të paktën deri në tetor.
Thatësira për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve këtë verë është bërë serioze edhe në vende të tjera të Evropës. Sipas Observatorit Evropian të Thatësirës, 47% e BE-së është në kushte paralajmëruese thatësire, bazuar në të dhënat nga fundi i korrikut, me 15% në mungesë të rëndë uji. Në Francë, shumë qytete kanë mungesë të ujit të pijshëm dhe nivelet e ujit në Rhine në Gjermani janë tejet të ulëta. Nivelet e ujit janë gjithashtu jashtëzakonisht të ulëta në pjesë të mëdha të lumit Po në Itali.
Ndërkohë, akulli i detit Antarktik në korrik ishte më i ulëti i regjistruar që nga fillimi i monitorimit satelitor 44 vjet më parë, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus. Temperaturat në pjesën më të madhe të kontinentit midis majit dhe korrikut ishin më të larta se normalja, tregues ky alarmant për situatën në planet.