Bukëgremisurit, “hakmarrja” dhe “anonimët” që të kallin krupën!

12 Dhjetor 2022, 10:12| Përditesimi: 12 Dhjetor 2022, 10:27

  • Share

Duke diskutuar pardje në një grup miqsh, folëm edhe për emrat e paemër, anonimët e përjetshëm të letrave anonime. Ato u nxinin jetën njerëzve të thjeshtë e të ndershëm, si në monizëm dhe në pluralizëm. Dhe kujtuam edhe një episod me Thoma Lacin e mirë e zemër llagar, në Tepelenën time të dashur.

Shumica e thërriste Come, si në vendlindje dhe nëpër fshatrat e rrethit ku punoi e drejtoi. Babai ynë e donte si djemtë e vet. Shkonin e vinin bashkë nga qyteti, me hënë e pa hënë, udhë e pa udhë, për të qenë korrekt me punët e shtetit.

Më vonë, kur u vendos familjarisht me shtëpi në qytet, me një karvan fëmijë, Comja po drejtonte sektorë të rëndësishëm të financave e deri kryetar i kooperativës së bashkuar të Dragotit me 6-7 fshatra. Dhe nuk abuzoi kurrë me postet.

Sa shumë e deshi Tepelena atë plakë të fortë, sedërqare, të zgjuar e aspak qaramane përballë halleve ekonomike. Edhe drutë e zjarrit për dimër, i siguronte buzë Vjosës që lëshonte shpesh kërcunj e drurë. Ndryshe, si do visheshin fëmijët kur të shkonin në shkollë e si do mbushej sofra e bukës tre herë në ditë ?! Por…një mbrëmja hyri në shtëpi i trishtuar e jo pak i dëshpëruar.

Një ditë më parë e kish zënë darka në Damës a në Mezhgoran. Ku do gdhihej ? Qiellit nuk i numëroje dot as yjet. Errësirë pus. E ftuan me këmbëngulje te një shtëpi, ku i zoti kishte patur një vëlla partizan dhe tjetrin ballist. Ashtu pa qibër e pa u lëkundur nga zbutja e “luftës së klasave”, ishte ulur këmbëkryq.(Afërsisht kështu kishte vepruar edhe me Agimin e Bajram Baros (shoku ynë i klasës, nxënësi më i mirë) që bëri mbi një vit burg në Sarandë e Tiranë dhe nuk e kllaposën dot nëpër frëngjitë e krokolepsura të “grupit të Teme Sejkos”. Por Comja, pas shumë peripecive, arriti ta conte në kurse të posacme shtetërore për t’u bërë topograf). Sigurisht, e pritën sic pritet miku i vecantë në ato dyer bukëpritëse. Nuk e di saktë se c’farë mund të kenë therur të zotët e shtëpisë atë natë tragjikomike, ndonjë qengj, kokosh apo pulë.

Qëndruan zgjuar deri vonë, duke biseduar për familjen, fshatin e gjer për qeverisjen lokale a qendrore. Të nesërmen në mëngjes, kur po takohej me të gjithë e do kthehej për në Tepelenë, i zoti i shtëpisë e përcolli i fundit, me një zarf të mbyllur në dorë. Iu lut t’ia jepte personalisht njërit prej drejtuesve kryesorë në rreth. Dhe “porosinë” ia mbaroi në kohë. Kur kishin kaluar jo shumë minuta, e kërkojnë urgjent në zyrën e atij që mori zarfin.

“More Come, pa lexoje një cik letrën që më prure nga baza…”. Një fytyrë po i ikte dhe një po i vinte. Po i dridheshin duart. Mërmërinte me veten. Akuzohej drejtpërdrejt si “zbutës i luftës së klasave” dhe për ngrënie drekash e darkash ! Për atë kohë, nuk ishte akuzë e vockël e pa peshë. Përkundrazi. Të ikte pa një pa dy aveniri yt dhe i fëmijëve. Hidhësirë e fyerje të tillë, tepër rrallë mund të ketë provuar në jetë. Sinqeriteti dhe bardhësia e tij shpirtërore, nuk e mbanin dot atë ngarkesë djallëzore e të pamerituar.

Dihej, do të mblidhej menjëherë organizata e partisë ku bënte pjesë, do debatohej e do merreshin masa “disiplinore” ekstreme. Doli i tronditur nga selia e rrethit dhe nisi një shëtitje vetmitare përkrah murit shekullor të kalasë së Ali Pashës. Nuk po ngopej me ajrin dhe erën e njohur të Tepelenës.

Ndoshta ka kuvenduar gjatë me veten. Kur po kthehej në qendër, ngadalësoi hapat, nxorri portofolin dhe u drejtua si me nxitim te Posta. Shkoi te sporteli ku merreshin dhe dërgoheshin paratë e qytetarëve. Plotësoi një faturë me emrin dhe mbiemrin e të zotit të shtëpisë ku bujti një natë më parë, dha një sasi lekësh nga xhepi  dhe iku i rrethuar nga heshtja sa një mal. Tashmë dukej paksa i cliruar moralisht. Kjo ishte “hakmarrja” e rrallë e Thoma Lacit ndaj tinzarëve e të pabesëve pa din e iman. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë, por ky episod gati i pabesueshëm,rrëfehet sot e kësaj dite si model ndershmërie e burrërie…

Sepse mjaft letra në qendër a në rreth, të bënin realisht gjëmën. Sidomos ato anonimet, ku zbrazeshin pa hesap përrenj të pistë hipokrizie e karaktere të fëlliqura. Ata që përmbysnin deri edhe bukën e kupën, fërkonin duart si kacakët e ferrave. Unë i kam urryer e i urrej këta të palyrë që fshiheshin e fshihen pas parimeve, aq më tepër kur mashtronin ditën në diell ! Njerëz që të shesin e të blejnë xhaba, si matrapazë të thekur. Sepse historikisht, dredharakët, ethebutët e neveritshëm dhe të djallëzuarit flasin me bërryl, gjuajnë pas gardhit e nëpër hije e skuta zyrtare. Fjala vjen, deti i pseudonimeve në internet, nëpër gazeta, pordhale, facebook etj., mendoj se është një llahtarë e vërtetë jashtëqitjesh psiqike e fizike.

Se jo cdo ndryshim është medoemos një përparim,-do thoshte pendëhali Konica. Dhe kur ndodh ky vërshim ? Në një kohë kur i biem gjoksit për një nga fitoret më të mëdha “demokratike”:  Liria e Fjalës dhe e Mendimit. Vërshimin e përditshëm të këtij deti katrahurë, nuk besoj ta ketë parë ndonjëherë vendi ynë. E thosh bukur filozofi i politikës shqiptare, Arbën Xhaferi, “për ca gjëra kishte të drejtë Diktatura” !...

Jeta ime e gjatë si gazetar profesionist, më mësoi shumë, dje dhe sot. Në Labëri më tregonin se dënimi më i rëndë për njeriun është “vrasja me bukë në gojë”. Të përmbysësh edhe bukën edhe kupën, nuk lidhet thjesht me vajtjen e kafshatës pas kurrizit.

Dhe as hedhje e zakonshme për lojën e kupave nëpër letrat e bixhozit ! Dhe as ato kupat prej qelqi që u hidhen në shpinë atyre që kanë marrë të ftohtë. Aq më tepër atyre kupave sportive, të festivaleve etj. Si gazetar, letra e parë që shkoi me tërsëllëmë lart në Kryeqytet për mua, ishte nga Tepelena ime e dhembshur që na rriti, na seliti e na nisi udhëve të Atdheut(theksoj se autori nuk ishte me origjinë andej).

Kisha botuar një shkrim kritik për Tregtinë që lidhej cdo cast me shërbimin ndaj popullatës në qytet e në fshat. Mirëpo, unë i njihja gati të gjithë drejtuesit e ndërmarrjes.

E mbarova shkrimin natën në hotel dhe në mëngjes do e nisja në zarf dorazi . Kur po hyja në restorant që të haja dicka, u ndodha ballë për ballë me drejtorin e ndërmarrjes. E ftova në tavolinë dhe iu luta t’i hidhte një sy shkrimit taze problemor e djegës me frymë kritike.

Gjithnjë me mendimin e mirë se mos e kisha “shkelur” diku(Veprim që nuk e bëra kurrë më!). Pranoi ta lexonte si me përtesë dhe në fund e pyeta për ndonjë sugjerim a vërejtje. “Nuk kam asgjë, është në rregull”,tha dhe u ngrit për tu larguar.

Atë ditë që u botua shkrimi në gazetën “Bashkimi”, ku ta dija unë se letrën e parë për mua në majë të “Olimpit”, e kish nisur dora vetë, drejtori i ndërmarrjes(?!). Mos vur po deshe duart në kokë ! Ai që i dhashë “bukën” time të përditshme për ta shikuar ose shijuar…Më thirrën urgjent në Tiranë. Drejt e në mbledhjen e Kolegjiumit, ku zakonisht ndonjë skifter i egër priste në pusi krëhëhapur për të sulmuar pa mëshirë viktimat.

Tamam sikur u kish ngrënë gomari bukën ! Por vështirë të shpëtoja minimalisht pa një masë ndëshkimore.

Megjithse ndonjë karakter i deformuar ngeli me gisht në gojë. Sapo rrëfeva “bamirësinë” time të parë dhe të fundit me drejtorin e ndërmarrjes, tavolinat e Kolegjiumit hijerëndë po kërcisnin.

“Kjo nuk ndodh asnjëherë me shkrimet kritike, ngritën zerin kolegët dashamirës(historinë e plotë mbase do e tregoj herë tjetër). Kryeredaktori mbylli dosjet bashkë me letrat jo pa shenja nervozizmi dhe deklaroi se mbledhja do të mbetet “e hapur”. Ashtu mbeti sot e gjithë ditën. Si flakë kashte. Të nesërmen u ktheva në “vilajetin” e korrespondentit në Jug…

Por buka e thyer nuk u ngjit më !

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?