Arrestimi dhe mbajta në burg të disa zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë, në dyshimet e shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit, pa një vendim dënimi, që nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore dhe që nuk mbajnë funksione për të prishur provat, ka shqetësuar qeverinë dhe Kuvendin. Ish kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u arrestua dhe u la në burg për dy episode shpërdorimi detyre të pretenduara nga SPAK. Ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka, mbahet gjithashtu në burg prej 1.5 vitesh, pa një vendim dënimi. Ish deputeti Alqi Bllako dhe ish kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla po mbahen gjithashtu në burg, edhe pse veprat penale për të cilat akuzohen janë në shproporcion me arrestin me burg, një masë ekstreme sigurie.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro u arrestua dhe po mbahet në burg për 330 mijë lekë ryshfet. Me dhjetëra qytetarë dhe ish zyrtarë të tjerë, të arrestuar për shpërdorim detyre apo korrupsion, mbahen në burg pa një vendim dënimi. Ata presin në qeli procesin e gjykimit dhe vendimin, ku disa prej tyre mund të shpallen edhe të pafajshëm. Ndërkaq, ish ministri Fatmir Mediu po gjykohet në gjendje të lirë për Gërdecin. Ish ministri Saimir Tahiri u gjykua në gjendje të lirë. Vuajti dënimin vetëm pasi u dënuar me vendim të Apelit. Ish ministri Arben Ahmetajt dhe ish presidenti Ilir Meta po hetohen në gjendje të lirë, përfshirë edhe për pastrim parash, një vepër shumë më e rëndë se sa shpërdorimi i detyrës.
Kur kreu i SPAK-ut, Alti Dumani, u paraqit në Komisionin e Ligjeve, disa ditë më parë, për raportin vjetor të veprimtarisë së SPAK-ut, deputeti Fatmir Xhafaj tha se qëllimi nuk është të futen njerëz në burg për të bërë statistika të mira, por ngritja e akuzave bazuar në prova bindëse. “Një çështje tjetër, që ka ardhur koha, pas tre vjetësh, të fillojmë ta theksojmë edhe ne këtu, është fakti që duhet treguar një kujdes shumë i mirë në proceset hetimore për zbatimin e ligjshmërisë, në ngritjen e akuzave mbështetur në prova dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, por edhe në aplikimin më të mirë të politikave penale dhe parimit të proporcionalitetit në masat e sigurisë dhe masat e dënimit që kërkohen prej jush. Qëllimi ynë nuk është të futim njerëz në burg dhe të bëjmë statistika të mira (po, për ata që e meritojnë një gjë të tillë), por kryesorja është që të ngremë akuzat të mbështetura në prova bindëse dhe në zbatim të drejtë të ligjit”, tha Xhafaj.
Në 6 qershor 2023, në Komisionin e Ligjeve ishte ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ku raportoi monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të qeverisë ndaj SPAK-ut dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Ndër të tjera, Manja tha nuk duhet të jetë qëllim në vetvete që për çdo vepër penale të aplikohet masa e sigurimit “arrest me burg”, pasi legjislacioni penal parashikon edhe masa të tjera, siç është garancia pasurore, e cila aplikohet rrallë. Ministri i Drejtësisë tha se arrestimi me burg duhet jenë roporcionale me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit.
“E treta është aplikimi i masave të sigurimit në mënyrë proporcionale me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit. Nuk duhet të jetë qëllim në vetvete që për çdo vepër penale të aplikohet masa e sigurimit “arrest me burg”. Pra, duhet të ketë një proporcionalitet në raport me rrezikshmërinë shoqërore të veprës dhe të personit. Ne konstatojmë, të paktën në të dyja raportet, se aplikohen shumë më pak masat e tjera të sigurimit që ka Kodi i Procedurës Penale dhe këtu i referohem kryesisht garancisë pasurore dhe masave të tjera, sepse Kodi nuk ka vetëm “arrest me burg”. Unë nuk po them se duhet të vendoset masa “arrest në shtëpi”, sepse kjo masë ka kushte të përcaktuara se kur vendoset dhe është e barasvlershme me masën “arrest me burg”, thjesht aplikohet në raste të përcaktuara, por e kam fjalën për masat e tjera që ka Kodi i Procedurës Penale. Pra, është një kategori e madhe veprash penale të parashikuara në Kodin Penal, që gjejnë vend edhe në raportet që kanë sjellë, sidomos veprat penale në fushën e tatimtaksave, në fushën e doganave apo vepra të tjera penale të karakterit ekonomiko-pasuror dhe është krejtësisht e mundshme që prokurorët të kërkojnë aplikimin e masave të tilla, sepse burgu nuk duhet të jetë qëllim në vetvete. Gjithsesi, ne i kemi parë në mënyrë analitike raportet që na janë vënë në dispozicion, por unë i grupova këto te shtylla e të drejtave të njeriut, si një nga rekomandimet kryesore në rezolutën e Kuvendit, por edhe në rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2022”, ka pohuar Manja.
Si qeveria ashtu edhe Kuvendi, madje përfshirë edhe opozitën, kanë vlerësuar punën e SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në ditët në vijim, qeveria dhe Kuvendi do të miratojë nga një rezolutë për vlerësimin konkret të punës së SPAK për vitin 2022, duke bërë edhe disa rekomandime që duhet të mbahen në konsideratë nga SPAK për veprimtarinë gjatë vitit 2023.
Vertet mendoni se SPAK po kryen punen per te cilen u krijua ? Kjo ishte drejtesia fort ? Pse nuk eshte mar asnje i pandehur nga gjygjtaret e liruar nga vetingu ? Po per felliqsiren qe kishin katandisur Kayenta gjygjtar e prokuror besuam te SPAKU. Realiteti krejt ndryshe
PërgjigjuRastet e mases se arrestit me burg jane te parashikuara ne kodin e procedures penale.
PërgjigjuPo znj.Gugallja,znj.Jorida Zeqo e z.Adriatik Llalla mendoni se i plotesojne kushtet per /lirim ne mungese/ me kusht garancine pasurore??
PërgjigjuManja dhe xhafaj vete jane per burg...
PërgjigjuOre jeni mire ju apo? ceshte kjo? Ore burg per hajdutet qe vjedhin me kostum shteti madje dhe sekuestrim pasurie! Na dolet ju baballaret e drejtesise tani! BURG! Ndryshe deshtim drejtesia!!!!
PërgjigjuSequester pasurive kur...dhe bufi e di qe jane bere me korrupsion...e dime pazaret qe bejne dhe nje tender rojesh nuk kalon po nuk takove ministrin...mos na beni per budallenj...ky Manja ka hallin e vet me duket
PërgjigjuTe gjykohen ne gjendje te lire dhe te burgosen kur te provohet vepra penale. Por jo, disa po e te tjeret jo. Ky eshte arbitraritet dhe mungese e theksuar profesionale nga SPAK (me e pakta qe mund te thuhet).