Sali Berisha dhe Ilir Meta

Burundi, Serbia, Shqipëria dhe opozita!

27 Nëntor 2022, 13:28| Përditesimi: 27 Nëntor 2022, 13:32

  • Share

Burundi sipas Bankës Botërore renditet ndër vendet më të varfra në kontinentin Afrikan. Kohët e fundit është parë se shtetasit e saj po udhëtojnë shumë, sidomos në Ballkan, me destinacion kryesor Serbinë! Që nga tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Burundi, Serbia ka liberalizuar vizat me këtë shtet, duke sjell një numër të madh “turistësh”, të cilët menjëherë sapo zbresin në Beograd drejtohen direkt në vendet fqinje, duke u dendur drejt Bashkimit Europian!

Shumë prej ekspertëve europian ju ra në sy ky bum turistësh nga vendi më i varfër afrikan, e natyrisht u kuptua se ata nuk janë turistë, por të papunë! Historia vazhdoi deri në momentin që u desh një tërheqje vëmendje nga zyrtarët europianë, që solli një shtrëngim të kufijve me BE. Me faktin e mësipërm bie miti se Shqipëria dhe Ballkani po mbyt me emigrantë Europën, një tezë e fortë e Metës e Berishës. Debati për largimin e shqiptarëve është në qendër të tezave politike prej vitesh në Shqipëri!

Opozita akuzon qeverinë se është shkaku kryesor me keqqeverisjen që shtyn njerëzit të largohen, qeveria ndërkohë arsyeton se ka një hapje të tregut të punës në BE, një fenomen normal! Opozita shkon më tej duke thënë se ka një axhendë shpopullimi dhe qindra mijëra kanë ikur, por pa dhënë argumentet e plota, vetëm duke u ndalur te faktori qeveri!

Në këtë kakofoni debatesh, ku shprehja kryesore është në asnjë vend tjetër në botë nuk ndodh kjo gjë, më bëri të thellohesha pak më shumë dhe të shikoj disa shifra zyrtare dhe për vitin 2021 rezultoi se në vend të parë për azilkërkim janë: iranianët të parët 6002 aplikime , eritreanët të dytët me 4412, shqiptarët të tretët me 4000, irakenët me 3042 dhe sirianët me 2030.

Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, 4000 aplikime në vit herë 10 vite që ka qenë qeverisa rezultojnë se kanë ikur me azil 40 mijë persona dhe jo qindra mijëra! Shifrat e tjera lidhen me largimet me kontratat e punës në disa vende të zhvilluara europiane. Edhe këtu politika e ka vrarë të vërtetën, Shqipëria nuk është vendi i vetëm që ka largime të krahut të kualifikuar të punës. Por nga një kontroll rezulton se nga Maqedonia e Veriut janë larguar 700 mijë persona në 9 vite! Qindra mijëra largime ka edhe nga Greqia dhe Rumania vende në BE që renditen me ekonomi të qëndrueshme në union. Dhe përsëri njerëzit ikin! Cilat janë arsyet? Pagat më të larta kryesisht dhe qëndrueshmëri sociale e politike.

Në këtë panoramë të shkurtër kuptohet qartë që frenimi i emigrimit është i pamundur, në këtë treg global, nuk ka parti politike apo qeveri sado e mirë të jetë të ndalojë të aftët të ikin. Nuk mund të ndalojë as krahun e punës, që të ikë, ekonomia e Shqipërisë është një ekonomi e vogël që për shkak të shkatërrimeve masive që nga 1992 nuk prodhon pothuajse asgjë që të dyfishojë rrogat.

Se si mundet Meta dhe Berisha me partitë e tyre ta frenojnë këtë fenomen. Ky do të jetë një mister i pazgjidhshëm, por deri sa të vijë formula e  thjesht për konsum politik, çudira do dëgjojmë nga këto parti, që në rrafshin ekonomik nuk kanë prodhuar asnjëherë rritje apo stabilitet. Mjafton të shikosh pagat në qeverisjet e tyre, apo mbledhja e taksave etj. Por në fund konkluzioni është më i thjeshtë se formulat ekonomike, ata që gënjejnë në fakte, do të gënjejnë edhe e zgjidhje!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?