Buxheti 2020 'pesimist' për investimet! Të ardhurat totale rriten me 13 mln Euro

7 Nëntor 2019, 18:14| Përditesimi: 7 Nëntor 2019, 19:47

  • Share

Rreth 13 milionë euro më shumë është parashikuar të jetë buxheti i vitit 2020. Referuar projektligjit të hartuar për buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili ka kaluar një ditë më parë në mbledhjen e qeverisë, parashikohet që të ardhurat në total të arrijnë në 502.7 miliardë lekë nga 486.7 miliardë lekë që kishte parashikuar të arrinte buxheti fillestar i këtij viti.

Ky buxhet është rreth 24.3 miliardë lekë më i ulët nga programi buxhetor afatmesëm ku pritej që vitin e ardhshëm të ardhurat totale të arrinin në 527 miliardë lekë.

Report TV zbardh disa nga detajet e projektligjit të miratuar nga qeveria një ditë më parë, ku pavarësisht se pritshmëritë janë optimiste, vërehet një pesimizëm në investime.

Qeveria ka parashikuar që shpenzimet në vitin e ardhshëm të arrijnë në vlerën e 531.9 miliardë lekëve, nga  519.5 miliardë që ishin vitin e kaluar, dhe deficiti buxhetor i këtij viti pritet të arrijë në 29.3 miliardë lekë.

Shkurtimi i shpenzimeve si në buxhetin total, ashtu edhe në buxhetin e shtetit, sinjalizon se investimet vitin që vjen të jenë më të reduktuara, kjo për shkak se edhe performanca e investimeve këtë vit nuk ishte brenda pritshmërive fillestare të qeverisë.

Për vitin 2020 qeveria ka parashikuar të rrisë fondin rezervë nga 1.5 miliardë këtë vit në 1.7 miliardë, por që përsëri mbetet më i ulët se fondi rezervë i aktit normative, miratuar pak ditë më parë nga Kuvendi, ku fondi i rezervave u rrit në 2 miliardë lekë.

Po ashtu nga drafti i siguruar nga Report TV vërehet se në 2020 do të shtohet numri i përgjithshëm i punonjësve që do të punësohen në çdo ministri apo institucion qendrorë me 257 punonjës dhe në total numri i të punësuarve në administratë të shkojë në 82.377, por krahasuar me aktin normativ ka ulje me 78 punonjës.

Projektbuxheti do të mbështesë tre sektorë prioritarë që janë arsimi, shëndetësia dhe bujqësia por nuk parashikohet rritje pagash për asnjë sektor.

         

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?