Institucionet e zbatimit të ligjit – Prokuroria, Gjykatat, SHISH – do të marrin rritjen më të madhe në fondet buxhetore të 2020-ës, krahasuar me buxhetin e tyre në vitin në vazhdim. Në të njejtën kohë, rritje të ndjeshme do të kenë vitin e ardhshëm edhe fondet për universitetet. Në draftin e buxhetit 2020 gjithashtu vihet re një rritje në masën 15% të fondeve për Mbrojtjen, ndërsa ministria e Jashtme do të ketë 14 për qind më shumë fonde për shpenzime.
Në analizën e paraqitur sot në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me situatën ekonomike dhe prognozën për vitin e ardhshëm, ministrja Anila Denaj bëri të ditur se rritja ekonomike e vendit parashikohet të jetë mbi nivelin prej 4% pёrgjatё viteve 2020-2022. Ajo parashikohet të jetë në nivelin prej 4.1% në vitin 2020 dhe 4.5% për dy vitet e tjera. Ndërkohë, norma mesatare e papunësisë pritet të bjerë më tej, duke arritur në nivelin 10.6 për qind vitin e ardhshëm.
Sipas draftit, fondet për sistemin gjyqësore do të jenë 46 për qind më të larta vitin e ardhshëm, krahasuar me këtë vit. Kjo përbën edhe rritjen më të madhe në buxhet sipas institucioneve shtetërore. Ndërkohë, edhe Prokuroria do të financohet nga shteti me 33 për qind më shumë fonde. Në këtë vazhdë, edhe Shërbimit Informativ Shtetëror do t’i vihen 11 më shumë fonde në dispozicion.
Në të njejtën kohë, ministria e Mbrojtjes parashikohet të mbështetet me 15 për qind më shumë fonde financiare, për të plotësuar angazhimin e Shqipërisë ndaj NATO-s, që parashikon shpenzimin e 2% të buxhetit vjetor për këtë sektor. Kurse për burgjet do të rritet buxheti në masën 2%, ndërsa për Policinë shtesa është vetëm 1%.
Një angazhim tjetër i qeverisë është ai në drejtim të arsimit, ku “pjesën e luanit” e marrin universitetet, me një rritje buxhetore në masën 31 për qind. Në përgjithësi, në sistemin e ministrisë së Arsimit rritja është 9%, duke qenë se përfitojnë rritje edhe arsimi parashkollir dhe ai i mesëm i përgjithshëm. Parashikohet një rritje në masën 10% për pagat e edukatoreve gjatë vitit 2020.
Në sektorët ekonomikë, Bujqësia parashikohet me rritje fondesh në masën 11 për qind, ndërsa Infrastruktura në ulje të ndjeshme prej 12 përqindësh, ku edhe për Rrugët do të shpenzohen 7% më pak fonde. Kjo ka të bëjë me politikën e uljes së shpenzimeve buxhetore për rrugët e reja, që ndërtohen me koncesion. Në total, koncesionet që operojnë këtë vit dhe që do të jenë aktive edhe gjatë vitit të ardhshëm parashikohet të sjellin investime në masën 3.7 miliardë euro.
Në ulje prej 9 përqindësh do të jenë edhe fondet për ministrinë e Turizmit., si dhe vetë fondet për Kryeministrinë, që projektohen 40 për qind më të ulta.
Një ulje e parashikuar për emergjencat civile, por që duhet të bëhet objekt diskutimesh në Kuvend, është në masën 55 për qind, krahasuar me fondin në Buxhetin fillestar 2019.
Qeveria synon që niveli i borxhit publik neto do të ulet me rreth 1.5 pikë përqindje vitin e ardhshëm, në 62.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Defiçiti buxhetor për vitin 2020 planifikohet të jetë në nivelin 1.6% të PBB. Ky përbën nivelin më të ulët të targetuar në dy dekadat e fundit.
Buxheti 2020 sipas ministrive dhe institucioneve dhe krahasimi me 2019 (në mijë lekë)
(Kliko këtu për të lexuar Relacioni-Projektbuxheti-2020)