Buxheti 2025/ KQZ kërkoi 137 mln lekë për investime, qeveria i dha 1.5 mln! Celibashi: Ende s'ka dakordësi as për votimin elektronik në Tiranë

15 Nëntor, 14:54| Përditesimi: 15 Nëntor, 17:41

  • Share

Ndërsa viti 2025 është një vit zgjedhor, qeveria ka vendosur të alokojë në zërin e investimeve për institucion e Komisionit Qendror Zgjedhor vetëm 1.5 mln lekë, një shumë shumë e vogël në krahasim me atë që ka kërkuar ky institucion. përkatësisht 137 milionë lekë.

Shifrat u bënë publike nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi në komisionin e Ligjeve i thirrur për pr/buxhetin e vitit 2025. Celibashi kërkoi fonde shtesë dhe argumentoi para deputetëve dhe zërat për çfarë duhen. Bëhet fjalë për mirëmbajtje teknologjike të nevojshme dhe për procesin zgjedhor. 

Kemi kërkuar shtesë prej 137 mln lekë në zërin e investimeve, në atë çfarë është parashikuar për KQZ nga ministria e Financave. Është parashikuar që KQZ të jepen 1.5 mln lekë investime. Është një shumë që në mënyrë kategorike kjo shumë nuk justifikon ekzigjencat e KQZ-së për investime, duke e konsideruar dhe vit zgjedhor. Ka diferencë të madhe nga ajo çfarë është parashikuar dhe çfarë ka kërkuar KQZ

Kryesisht shtesa në investime konsiston në përmirësimin e infrastrukturës që ka të bëjë me administrimin e pamjeve filmike që realizohen gjatë ditës së votimit.Ne nuk kemi një sistem të mirëorganizuar nga pikëpamja teknologjike të administrimit të këtyre pamjeve filmike. Nëse një subject kërkon pamjet filmike të një QV, e kemi shumë të vështirë të identifikojmë QV, dhe elementë të tjerë  të identifikimit. Një pjesë tjetër shkon për gjurmimin e bazës materiale në ditën e votimit dhe inventarizim më të përshtatshëm të kësaj baze materiale zgjedhore.

Duhen 19.5 mln lekë që duhen për të ndërtuar modulin e hartave të QV-së. Ky është detyrim që vjen nga Kodi Zgjedhor, KQZ asnjëherë nuk e ka përmbushur. Ne në zgjedhjet e fundit nuk e kemi përmbushur. I kemi të vjetrat por kanë ndryshuar konfigurimet dhe QV.

25 mln lekë lidhen me ndërtimin e rrjetit të brendshëm të internetit. Kemi një rrjet shumë të amortizuar. Në kuadër të rekomandimeve të dhënë nga KLSh apo AKCESK për pjesën e sigurisë është parë e domosdoshme dhe prej tyre të rinovohet.
 

KQZ kërkon edhe 56 milionë lekë fond shtesë në zërin e shërbimeve për të mirëmbajtur sistemet e moduleve të teknologjisë së informacionit, projekt 1 mln euro që u financua nga qeveria zvicerane por që sipas marrëveshjes qeveria shqiptare duhet ta mirëmbajë.     

"Përsa i përket buxhetit të institucionit shtesat që kemi kërkuar lidhen me mallra e shërbime. Kemi kërkuar 56 milionë lekë për të mbështetur proceset që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e sistemeve të moduleve të teknologjisë së informacionit. Projekti u financua nga donatori zviceran me vlerë 1 mln euro. Ka qenë pjesë e marrëveshjes që ata të financonin blerjen ndërtimin e zhvillimin e tyre, dhe KQZ në të ardhmen ka përgjegjësi për mirëmbajtjen e tyre. Kërkojmë shumën prej 56 milionë si shtesë për mallra e shërbime

Ndërkohë, politika e ka lënë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në udhëkryq lidhur me implementimit të votimit dhe numërimit elektronik. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi thotë se jo vetëm që nuk ka më kohë për shtrirjen e tij në 5 qarqe, sicç ishte parashikuar fillimisht, por palët nuk po gjejnë dakordësinë as për në një qark të vetëm, Tiranën.

Kemi parashikuar që të zhvillohet votimi elektronik ne qarkun e Tiranës. Kemi pasur një komunikim formal me partitë politike në lidhje me këtë çështje e deri në momentin që flasim nuk e kemi dakordësinë nga njëra anë e politikës por nuk ka dakordësi në përgjithësi për vazhdimin e implementimit elektronik nga një pjesë tjetër. Shumë shpejt do të kemi dhe një komunikim tjetër formal me partitë dhe kuvendin e aktorë të tjerë për atë çfarë po bën KQZ për të sjellë të gjitha palët në konsesus të plotë për zhvillimin e këtij votimi. Shifra prej 9.4 miliardë nuk është tashmë kaq por ka një llogari më të ulët, pasi janë zbritur vlerat që kanë të bëjnë me votimin elektronik në 4 qarqet e tjera.

Pala që ka refuzuar implementimin e votimit elektronik, duke vënë në pikëpyetje integritetin e këtij procesi, është PD dhe kreu i KQZ e ka një përgjigje. 

"Dua të garantoj 100% sigurinë dhe integritetin e pajisjeve që përdoren. Fshehtësia e votës 100%. Kush ka deklaruar se ju lexojmë votën janë spekulant politikë. mundësia është zero", vijoi Celibashi. 

Vullnetin dhe dakordësinë që Celibashi kërkon nga partitë poltike, Enkelejd Alibeaj i distancuar totalisht nga Partia Demokratike dhe tashmë pjesë e një grupimi të ri politik, e cilëson shmangie të përgjegjësive.

"Po hiqni nga supet tuaja përgjegjësinë që keni. Po shmangni përgjegjësitë. Shtrirja ose jo e votimit elektronik duhet të varet nga vullneti I institucionit që administron zgjedhjet dhe paratë e shtetit. Ju keni futur edhe një komponent të 3-të: Dëshirën e partive politike. Partitë që kanë të drejtën të kenë komisionerë, me shumë gjasë ndjehen më komodë se të tjerët", tha Alibeaj. 

Paralajmërimet e kreut të KQZ se votimi elektronik në 5 qarqe nuk do të ishte i mundur nëse partitë poltike nuk dakordësoheshin nisën që në fillim të 2024-ës dhe  u intensifikuan në shtator kur tha se shanset për realizimin e tij do të ishin në vetëm 3 qarqe. Koha e shkurtër mbetur në dispozicion, tashmë e ka cuar në vetëm 1 qark propozimin e KQZ. 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?