Mes debatesh dhe kritikash buxheti dhe paketa fiskale e vitit 2022 janë finalizuar në komisionet parlamentare, dhe tanimë miratimi në Kuvend është hapi i fundit.
Buxheti i konsideruar më i madhi në histori e që garanton rritje të investimeve, për ekspertin e ekonomisë Genti Beqiri, nuk mbështet sektorët që rrisin prodhimin.
“Si në paketën fiskale ashtu edhe tek buxheti ne duket të fokusohemi tek prodhimi dhe jo tek tregtia. Sa i takon paketës fiskale, fokusi është tek tregtarët që janë individë që marrin mallra të importit dhe i shesin, ndërsa ne stimulin duhet t’ia japim prodhimit vendas, ato që kanë më tepër risk, që prodhojnë më shumë dhe që mbështesin më shumë. Ne duhet të stimulojmë sipërmarrjen dhe punësimin që marrin riskun më të madh, dhe nuk shikoj të jenë përfshirë as në paketën fiskale dhe as në buxhet”, thotë Beqiri.
Pavarësisht se investimet publike për vitin 2022 janë planifikuar në masën 6.4% e PBB-së ose 119.1 miliardë lekë përfshirë edhe fondin e rindërtimit, Beqiri ka rezerva dhe thotë se fokusi duhej tek bujqësia.
“Unë e shoh ende si një buxhet që nuk stimulon në mënyrë specifike ato sektor që kanë më tepër ndikim dhe peshë në rritjen ekonomike. Fokusi duhet të jetë patjetër bujqësia e koordinuar me investime publike, që kanë një marzh kthimi të investimit sa më të shpejtë. Bujqësia do ketë impakt negativ, sepse politikat deri në këtë pikë nuk kanë qenë të drejta. Kjo edhe për shkak të biznesit që nuk është i bashkuar për të pasur një zë më të fortë”, pohon eksperti.
Skema e re për bujqësinë ka qenë më e debatuara në komisione që ka shkaktuar edhe protesta nga fermerët për shkak se hiqet rimbursimi i TVSH-së që është 6%, vendoset 10% taksë për inputet bujqësore dhe rritet pragu i investimeve nga 50 në 500 milionë lekë, që përjashtohen nga pagesa e TVSH-së.