Buxheti i Shtetit ulet me 36 milionë euro me rregullimet e mesvitit. Përveç kësaj, do të pakësohet numri i punonjësve të administratës me 81 vetë, ndërkohë që anulohet rritja e mundshme e pagave të nëpunësve shtetërore, që ishte parashikuar nga një nen i veçantë në ligjin aktual për Buxhetin 2018, në masën 1 miliard lekë.
Këto, dhe të tjera, janë ndryshime që janë bërë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Sipas traditës, shifrat e Buxhetit iu nënshtrohen ndryshimeve në gjysmën e parë të vitit, këtë herë kryesisht në ulje.
Bilanci
Në ligjin për Buxhetin e vitit 2018, që është miratuar në fund të vitit të kaluar, përcaktohej niveli prej 357 miliardë e 853 milionë lekësh si të ardhura në Buxhetin e Shtetit. Kjo shifër aktualisht korrigjohet në ulje, duke qenë se qeveria ka vendosur ta kalojë atë në 353 miliardë e 354 milionë lekë, me një ulje në masën gati 4.5 miliardë lekë apo gati 36 milionë euro.
Muajt e fundit, ndonëse niveli i të ardhurave ka qenë vazhdimisht më i lartë se ai i realizuar vitin e kaluar, gjithsesi është konstatuar një ngadalësim i kësaj rritjeje, ndërkohë që shifrat e planit si gjashtëmujor në këtë drejtim nuk janë realizuar. Me sa duket, Financat publike e kanë marrë në konsideratë një trend të tillë, duke u treguar më realiste për performancën e institucioneve në vartësi të tyre.
Nga ana tjetër, në ulje parashikohet tanimë edhe zëri i shpenzimee në Buxhetin e Shtetit. Konkretisht, nga 390 miliardë e 219 milionë lekë që janë parashikuar në ligj, me Aktin e djeshëm Normativ kjo shifër kalon në nivelin e 385 miliardë e 720 milionë lekëve, një ulje prej 4.5 miliardë lekësh, bazuar edhe kjo në uljen e të ardhurave, për të mos rritur borxhin publik. Në fakt, si pasojë e kësaj ri-llogaritjeje, deficiti buxhetor do të mbetej i njejtë: 32.37 miliardë lekë, sa ç’parashikon edhe Ligji aktual.
Pagat
Por, në kuadër të uljes së shpenzimeve buxhetore, përfshihet edhe një klauzolë: shfuqizohet Neni 14 i ligjit aktual, i cili thotë se “Fondi për rritjen e pagave prej 1.000 milionë lekësh shpërndahet nga Ministria e Financave mbi bazën e nivelit të pagave që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Anulimi i këtij Neni nënkupton se këtë vit nuk duhet të ketë rritje të pagave të administratës. Kjo ishte një gjë që pritej, pasi zakonisht një rritje e tillë vendoset që në gjashtëmujorin e parë të vitit dhe hyn në fuqi më 1 korrik, gjë që nuk ka ndodhur.
Punonjësit
Nga ana tjetër, edhe numri i punonjësve të administratës ndryshon, gjithashtu në ulje. Nga 81 mijë e 753 vetë, ai kalon sipas Aktit Normativ në 81 mijë e 672 vetë. Ulje minimale, prej 81 personash, por gjithsesi që largon disa dhjetëra vetë nga puna në shtet.
Vendorët
Në një lëvizje të kundërt me sa më sipër, bashkive u parashikohet një rritje e vogël e të ardhurave, që kalojnë, nga një total prej 46 miliardë e 188 milionë lekësh, në 46 miliardë e 221 milionë lekë. Pritej që, në prag të zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm, qeveria mund të bënte edhe më shumë në këtë drejtim.
Rezerva
Si gjithnjë, në buxhetin e shtetit parashikohet edhe një rezervë, që shfrytëzohet në raste jo të zakonshme shpenzimesh. Ajo përbëhet nga Fondi Rezervë, që menaxhohet nga Këshilli i Ministrave, si dhe nga Kontigjenca.
Ndërsa kjo e fundit – që përdoret kryesisht për t’u mbrojtur nga luhatje në kursin e këmbimit valutor apo llëvizje në normat e interesit të borxhit - nuk lëviz nga 4 miliardëshi i miratuar në fund të vitit të kaluar nga Kuvendi i Shqipërisë, Fondi Rezervë ndryshon. Edhe ky në ulje.
Kështu, nga 2.7 miliardë lekë, qeveria do të ketë në dispozicion për raste të jashtëzakonshme 2.6 miliardë,: 100 milionë lekë më pak. Në këtë kuadër, 200 milionë lekë më pak do të kenë institucionet e reja të Drejtësisë (nga 1 miliard, shifra kalon në 800 milionë lekë), ndërsa me 100 milionë lekë rriten fondet për ngjarje të papritura, që kalojnë nga 1.7 në 1.8 miliardë lekë.
Sigurimet
Sa u përket fondeve të detyrueshme të sigurimeve sociale, fondi në dispozicion të sigurimeve shëndetësore mbetet i pandryshuar, me 40 miliardë e 400 milionë lekë. Ndërsa ai i sigurimeve shoqërore, ku boshti kryesor përbëhet nga pensionet e më se 600 mijë shqiptarëve, kalon në 122 miliardë e 276 milionë lekë, nga 120 miliardë e 251 milionë lekë, me një rritje në masën 16 milionë euro.
Patjeter,nuk mund te kete rritje pagash se parate e shqiptareve shkojne te gjitha per koncensionet PPP-ve dhe PPK-ve (propozim i pakerkuar) te oligarkeve Zamir,Kastrat,Bashkim e Vilma.Kur leshohen parate lume me qindra milione euro per te ndertuar rruge luksi me 12-13 milione euro per km te cilat nuk kushtojne per ti ndertuar as 3 milione, nuk mbetet me gje per qindra mijera pensioniste dhe punonjes te administrates,per mesuesit dhe mjeket. Nuk na ka ngelur me gje tjeter po vetem MALLKIM, MALLKIM dhe vetem MALLKIM per keto monstra me fytyre njeriu qe qeverisin sot kete vend!
Përgjigju