Çajkovski për Putinin si kanaçia kundër komunizmit

7 Mars 2022, 22:54| Përditesimi: 7 Mars 2022, 22:56

  • Share

Më 4 Mars të vitit 1877 u shfaq për herë të parë në Teatrin Bolshoi në Moskë baleti “Liqeni i Mjellmave” me muzikën e Çajkovskit. Po në këtë ditë, por gati 150 vite më vonë, i gjithë stafi i kanalit televiziv “TV Rain (Dozhd)” në Rusi dha dorëheqjen mu në transmetimin e drejtpërdrejtë duke thirrur “Jo luftë”. Dorëheqja erdhi si rezultat i politikës editoriale ndaj presionit të vazhdueshëm nga regjimi i Vladimir Putinit lidhur me raportimin e luftës në Ukrainë. “Jo luftë” deklaroi publikisht Natalia Sindeyeva, një nga themelueset e këtij kanali. Pak orë më vonë, kanali sqaroi përmes një deklarate të gjithë arsyen e vendimit por edhe faktin se e ka pezulluar operacionin “për një kohë të pacaktuar”. Por akoma më e dhimbshme për regjimin putinian ishte ajo që bëri”Ekho Moskvy (Jehona e Moskës)”, një tjetër media në Rusi. Edhe ajo i tha jo presionit të Putinit, pasi i duhej të paraqiste një realitet paralel për mbulimin e luftës në Ukrainë. Në fakt, ajo i la hapësirë kolegëve ukrainas që treguan hapur se ajo që po ndodhte ishte Luftë mirëfilli dhe aspak Operacion. Madje një luftë e pabarabartë dhe tejet e dhunshme.

Sikur të mos mjaftonin këto për publikun, po atë ditë, shteti rus ndërpreu shumë nga kanalet më të mëdha të rrjeteve sociale ndërkombëtare. Facebook, twitter, youtube do të mbylleshin njëra pas tjetës duke paralajmëruar mendimin ogurzi të Moskës zyrtare për të kanalizuar gjithçka tashmë vetëm në propagandë. Një ditë më vonë, dekreti i Putinit për të ashtuquajturat “lajmet fake” lidhur me “Operacionin” përcaktoi dhe një dënim 15 vite për atë që do të identifikohej se i përhapte…

Nëse do të vazhdonte kështu, lista e vendeve që i kanë shpallur luftë mediave është e gjatë. Veçse, të gjitha vendet nën këtë represion kanë krijuar mundësitë alternative për t’u ndjekur. Për fat, shekullin XXI, megjithëse na e trashëgoi një diktator të tmerrshëm si Putini, na la edhe mundësi alternative që edhe të ndjekim media të tjera. Irani përshembull i ka të bllokuara shumë nga kanalet ndërkombëtare por ato janë të aksesueshme përmes një CD-je ç’kodifikimi, që mund ta marrësh në rrethe të ngushta dhe pothuaj sot e kanë të gjithë ata që janë të interesuar.

Në Shqipëri, në vitet e socializmit, inxhinierë elektronikë sajuan atë që në publik do të njihej si “kanaçia” dhe që mundësonte të ç’bllokonte kanalet e huaja. Saimir Maloku, një njeri i dhënë pas elektronikës, u burgos për këtë krijim të veçantë, ashtu si e kujton sot për faktin se”: “Në hetuesi më thoni ti ke dashur të përmbysës pushtetin popullor, ti je armiku i popullit. Shumë gjëra nga më të ndryshme, të pabesueshme. Vetë habitesha se si shkenca do të më kthehej në armike për jetën time”.  Pse nuk e duan informacionin diktaturat? Pse e urrejnë fjalën? Pse duhet të dëgjohen vetëm ata? Epo, ata kanë vetë pushtetin. Ne duhet të jemi shtojca të pasojave të vullneteve çmendurake. Çdo vend e pjell një diktaturë në një kohë të caktuar, kur nuk zbaton kanonet demokratike, por kur këtë e bën një vend me atë potencial ushtarak si Rusia, atëherë pasojat janë të frikshme. Në Shqipëri e pësuam për një periudhë të gjatë kohore, por nuk kemi mbetur pa shfaqje të saj edhe në demokraci. Tek e fundit edhe demokracia kur aplikon rregulla të përçudnuara atëherë të çon në autoritarizëm. Dëshmi ke plot, madje të shpeshta në vendin tonë. Po si qetësohen të këqijtë, diktatorët? Shpesh u vjen në dorë arti dhe historia. Diktatorët e përdorin historinë të parë me abstragime arti. Putini e ka mbushur me këtë përfytyrime atë jesh të ngushtë të botës që e dëgjon. Ashtu si edhe njerëzit e thjeshtë, që kanë në dorë vetëm protestën, bindjen dhe vuajtjen, kur i dorëzohen të keqes ose duan ta përballin atë, i kthehen artit. Një pianist ukrainas, orët e fundit, interpretonte në vendet e ngujimit të popullsisë në vendstrehimet ndaj bombardimeve. Kurse televizioni “Rain” e mbylli transmetimin e emisionit të fundit në internet me një gjetje. Tekniku i fundit, pasi të gjithë kolegët e stafit u larguan, filloi transmetimin e videos së baletit “Liqeni i Mjellmave”, bash atë e cila u shfaq në kanalet televizive shtetërore në Rusi kur u shemb Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Maloku, nga ana e tij, ende mban në shtëpi 2-3 kanaçet e dikurshme, ndoshta ndonjë ditë mund t’i duhen. Mostrat janë mes nesh dhe me sa duket ne i pjellim vetë…Çajkovski thjesht na sodit në pamundësi.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 08/03/2022 06:01

    O Beni çfar do te thote ( si kanacia), kam pershtypjen qe kush perdor fjale te huaja ne vend te fjaleve shqipe do te thote qe eshte injorant,kanaçe eshte ena prej llamarine e conservave alimentare,more vesh arben

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?