Ndryshe nga bashkitë e tjera, Censi i Popullsisë dhe Banesave nisi më 25 shtator në Kukës për shkak të zgjedhjeve të pjesshme lokale. Qytetaret ndajnë mendime te ndryshme sa i përket pyetjeve opsionale për fenë e kombësinë.
Ndërkohë Repot Tv ndoqi nga afër punën në terren të anketuesit të INSTAT, Aliman Seferi gjatë intervistimit të banorëve në fshatin Shishtavec. Seferi, thotë se procesi po shkon mirë dhe nuk ka refuzime të banorëve për përgjigjen e pyetjeve.
“Kemi regjistruar 35 banesa në Shishtavec. Ka pyetje që nuk i kuptojnë dhe ua përkthej në gjuhën gorane. Banorët nuk refuzojnë deklarojnë fenë dhe etninë”, tha Aliman Seferi Anketues INSTAT
Censi në Shishtavec ka rëndësi në evidentimin e popullsisë për shkak të emigrimit por edhe se ky fshat banohet nga Goranët të cilët në vitin 2007 nga parlamenti shqiptar u njohën si pakicë kombëtare bullgare. Banorët që u intervistuan nga anketuesi i INSTAT u shprehen të gatshëm për të deklaruar të dhënat e tyre.
“Shumë I rëndësishëm është censi se nuk e dimë sa vete jemi e ku jemi. Unë si gjuhë kam goranet, ndërsa lindur e rritur në Shishtavec, janë nënshtetas shqiptar”, tha një banor.
Janë angazhuar 68 anketues të cilët po mbledhin derë më derë të dhënat për popullsinë dhe banesat ndërsa procesi mbyllet më 30 tetor.