Kronikë

Çështja ‘Gërdeci’, përcaktohet gjyqtarja që do gjykojë ankimimin e Fatmir Mediut! Avokati: Ka konflikt interesi të largohet vetë ose do kërkojmë përjashtimin

24 Nëntor 2021, 11:13| Përditesimi: 24 Nëntor 2021, 14:25

  • Share

Gjykata e Lartë ka hedhur shortin për çështjen ndaj Fatmir Mediut. Seanca do shqyrtohet nga gjyqtarja Albana Boksi. Ish ministri përmes avokatit të tij mbrojtës ankimoi vendimin e apelit të posaçëm për rihapje të hetimeve ndaj tij.

Rekursi u depozitua rreth 3 javë më parë nga avokati mbrojtës i tij, Ardian Visha, ku kërkon prishjen e vendimit pasi sipas tij është antikushtetuese, dhe se për këtë çështje është dhënë njëherë vendim.

Gjithashtu sipas avokatit një tjetër argument është se vepra penale për të cilën ish ministri akuzohet është parashkruar. Përsa i përket shortit pala mbrojtëse pretendon se Boksi ka konflikt interesi për shkak se ka shqyrtuar disa kërkesa përgjatë protestave. Burime bëjnë me dije se në rast se gjyqtarja nuk jep dorëheqjen do kërkojë përjashtimin e saj, për shqyrtimin  e kësaj çështjeje.

Ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dorëzoi më 1 nëntor rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm  që i hapi rrugë rihetimit dhe gjykimit te Mediut. Avokati Ardian Visha, argumenton se vendimi është antikushtetues. Cenon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.

Gjykata e Lartë dërgoi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dosjen arkivore të Gërdecit. Dorëzimi i dosjes vjen pas vendimit të Apelit të GJKKO për të rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke i hapur rrugë edhe  rigjykimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

SPAK pritet të kërkojë në GJKKO gjykimin e ish-ministrit dhe po ashtu edhe veprime hetimore shtesë. Hetimet për tragjedinë e 26 te vdekurve e qindra të plagosurve e një dëmi miliarda lekë, janë kryer nga 2008-2009, asokohe nga prokurori e Përgjithshme.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?