ish-kryeprokurori Adriatik Llalla

Çfarë e “shpëtoi” nga Vettingu, Adriatik Llallën?

11 Qershor 2018, 21:35| Përditesimi: 11 Qershor 2018, 22:33

  • Share

Adriatik Llalla është i lirë të mos jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë, por nuk është i lirë të mos gjykohet prej saj. Vendimi i zhurmshëm që ka dhënë sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit, duke i njohur Adriatik Llallës të drejtën e dorëheqjes për të mos u rikthyer për 15 vjet në sistemin e drejtësisë, është një debat për një praktikë proceduriale, që ka të bëjë me formatin e dorëheqjes së ish- prokurorit të Përgjithshëm, si pjesë e sistemit të drejtësisë pas dorëheqjes.

Por fokusimi i fortë që ka pas termi “Vetting” në opinionin publik, duke u bërë simbol i ndëshkimit të sistemit, duket se ka krijuar një valë dëshpërimi ndaj ndëshkueshmërisë së tyre. Sidomos ndaj Adriatik Llallës.

Po çfarë e “shpëtoi” nga Vettingu,  Adriatik Llallën?

E vërteta është se subjekt i vettingut në ligjin fillestar ishin të gjithë personat e parashikuar në nenin 179/b të Kushtetutës, që  i kanë plotësuar formularët (pasuri, figurë, aftesi profesionale) brenda 30 diteve nga hyrja ne fuqi e ligjit të vettingut (pra para më shumë se një viti).

Aneksi kushtetues lejonte ndërprerjen e procesit të rivlerësimit (vettingut) vetëm për ata funksionarë që jepnin dorëheqjen, ndërkohë që ishin duke e kryer detyrën. E dhanë gjithësej rreth 10 vetë. Të gjithë ata gjyqtarë/prokurorë që e kanë mbyllur mandatin e plotë në mënyrë normale, nuk përfitonin nga kjo dispozitë. Pra, as Llalla.

Por ky ligj u ndryshua nga Gjykata Kushtetuese.

Ndryshimet që i ka bërë ligjit Gjykata Kushtetuese, ja njohin të drejtën ish- kryeprokurorit dhe gjithë subjekteve të Vettingut, të dorëhiqen nga sistemi në çdo kohë dhe të mos i prekë Vettingu. Më parë ky afat ishte tre muaj para hyrjes së ligjit në fuqi.

Ky ndryshim është jo logjik, pasi nga njëra anë Gjykata Kushtetuese e konsideron ligjin e Vettingut kushtetues, dhe nga ana tjetër ky ndryshim që ka bërë, i heq tërësisht kuptimin ligjit. Pra, jemi para një ndryshimi alogjik të ligjit që e ka prodhuar Gjykata Kushtetuese dhe që vështirë që Kolegji i Apelimit të bëhet interpretues i saj logjik.

Debati këtu u bë nëse Llalla e ka dhënë dorëheqjen nga magjistrat tek presidenti, apo tek KLD, pra nga të qenit pjesë e sistemit, pasi sipas ligjit, ish- kryeprokurorit i takon të jetë gjyqtar Apeli.

Debati thelbësor do të ishte nëse do konsiderohej detyrë ajo e kryeprokurorit, dhe jo mënyra si ka hequr dorë nga e drejta për të qenë në sistem. Por, vendimi i Gjykatës e ka prishur në thelb ligjin e Vettingut, dhe ky duket se do ishte debat më shumë politik. E vërteta është se Adriatik Llalla nuk e ka nisur ende betejën e gjykimit dhe ndëshkimit të mundshëm për shkak të detyrës.

Ndaj tij ka një proces hetimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila bazohet mbi dyshimet rreth mënyrës se si ai ka krijuar pasurinë e tij. Në dosje ka dhe elementë të prekjes së integritetit të detyrës së tij për shkak të favoreve dhe bizneseve që ka bërë me individë të veçantë. Dhe kjo është dosje nën hetim, e cila duhet të përfundojë në gjykatë. Kjo është prova e parë që do të kalojë drejtësia lidhur me çështjen “Llalla”.

Ndërkohë, institucione të tjera të prodhura nga reforma në drejtësi, përfshi Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorin e posaçëm etj., kanë gjithë tagrin të hetojnë ligjshmërinë e veprimeve të tij si ish- kryeprokuror, pasuritë e tij dhe ligjshmërinë e akteve ligjore të firmosura prej tij.

Dhe vet Kolegji i Apelimit ka çuar në Prokurori çdo fakt që ka gjetur rreth tij. Pra, në fund të fundit, Adriatik Llalla ka fituar të drejtën të mos jetë pjesë e sistemit të dejtësisë, por jo të mos gjykohet. Kur të gjykohet do të shikojmë standartin që shpresojmë të vendosë reforma në drejtësi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?