Berisha dhe Meta

Çfarë ‘haberi’ kanë marrë Meta e Berisha nga SHBA që ‘harruan’ sovranizmin

30 Gusht 2022, 21:01| Përditesimi: 30 Gusht 2022, 21:03

  • Share

Sali Berisha dhe Ilir Meta, dy udhëheqësit e partive kryesore të opozitës, përkatësisht Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, duket sikur kanë zbritur nga një ‘planet’ tjetër.

Ndonëse dalin të paktën njëherë në ditë para mediave, duke bërë deklarata shtypi, apo dhe duke iu përgjigjur ndonjë pyetjeje të gazetarëve, pjesa më e madhe e këtyre pyetjeve janë ‘ndihmëse’, nga fjalori i kreut të PD dhe kreut të PL, një variabël kjo e fundit e LSI-së së rrënuar, është fshirë fjala ‘sovranizëm’.

E kemi fjalën se ishim ‘mësuar’ me sulmet që i janë bërë në mënyrë të vazhdueshme SHBA e BE, dhe ambasadorëve të tyre në Shqipëri, veçanërisht Yuri Kim, të cilën e kanë cilësuar deri dhe guvernatore të Shqipërisë, si dhe kanë paralajmëruar se do t’i japin fund qeverisjes së vendit nga ambasadorët. Nuk pretendojmë të kemi deklarata të tipit “amerikanët do më vrasin në Malin me Gropa me raketa, por raketa ka dhe Rusia” apo “amerikanët i kap për veshi’, pasi ato janë harruar dhe i përkasin fazës akute të çmendurisë politike.

Tani ka vetëm heshtje në këtë ‘sektor jetik’ të opozitarizmit të deri para pak kohëve të Sali Berishës dhe Ilir Metës, duke iu dhënë me shumë pasion kauzave të reja dhe spontane që dalin herë pas herë rrugës apo që i hedh si ‘karrem’ kryeministri Edi Rama. I cili me sa duket e ka gjetur si mënyrë argëtimi këtë lloj loje, teksa brenda nuk ka asnjë ‘gram’ opozitarizëm nga ana e palës kundërshtare.

Janë kauza të lehta ato që po përdor opozita e drejtuar nga kjo dyshe ‘dinozaurësh’ të politikës, të cilët kanë 32 vite që janë ‘ngulur’ në krye të formacioneve të tyre politike dhe kanë provuar “shijen” e të gjithë posteve të mundshme më të larta, që nga kryeministri e deri tek Presidenti.

Teksa merren me tema të tilla, si humbja tragjike e jetës së një vajzë 7 vjeçare për shkak të shkeljes së ligjit dhe pakujdesisë së një polici, apo merren me vizitën e presidentit të ri Begaj në Kosovë, ku përmes Vjosa Osmanit tentuan të zhvendosnin objektivin e kësaj vizite në kanale të tjera për përfitim politik, pa ia arritur qëllimit, Berisha e Meta po përpiqen me të gjitha mënyrat për të qënë prezentë në publik, por pa bërë ‘zarare’ të mëdha. Shtuar këtu dhe ‘betejën’ spontane e pa sens në lidhje me arrestimin e 3 të dyshuarve si spiunë rusë në fabrikën e armëve në Gramsh, ku gjithë opozita u përfshi në një debat “e lagu se lagu”.

Do të thotë ndokush po kanë halle të tjera Meta dhe Berisha, ato me spiunë Sigurimi Shteti dhe me ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe. Eshtë e vërtetë. Eshtë hall i madh për ta.

Ndonëse kanë deklaruar se në shtator është ‘avazi’, duke paralajmëruar se do të ketë protesta të forta për rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti, madje dhe ka kërcënime të tipit “i bie me të parën më të fortit dhe e thyej në mes unë’, ose ‘jam lindur në lartësinë mbi 1 mijë metra dhe vij nga Skrapari’, ose ‘jam Sali Berisha unë” apo “jam Ilir Meta unë”, e vërteta e kulluar është se pikërisht më 1 shtator Parlamenti shqiptar me sa duket do të mblidhet dhe do të diskutojë për të miratuar nismat ligjore të PS, por dhe të PD të drejtuar nga Alibeaj, atë të përjashtimit të Spiunëve të Sigurimit të Shtetit dhe ish zyrtarëve të lartë nga politika.

Bëhet fjalë për t’i dhënë ‘dritën jeshile’ kërkesës së Autoritetit të Dosjeve që të gjithë personat që kanë marrë ‘certifikatën’ e pastërtisë nga komisionet ‘Mezini’ e ‘Bezhani’ do duhet dhe njëherë të futen në ‘karuselin’ e verifikimit të figurës së tyre, nëse duan të vijojnë jetën politike qoftë në Kuvend, qoftë në krye të partive, qoftë dhe në pushtetin ekzekutiv qëndror apo vendor. Dhe këtu bëjnë pjesë Meta dhe Berisha.

Teksa Ilir Meta(j) me sa duket e ka pranuar dhe vertetuar akuzën e ish studentit Filip Talo që zyrtarisht tregoi se kush e ka spiunuar në vitin 1989 për tentativë arratisjeje, madje tregoi dhe ‘sirtarin’ ku gjendej dosja 140 faqeshe që implikonte I.M, ndoshta dhe me pak ndihmë nga Sali Berisha i cili i ka në ‘kasafortën’ e tij dosjet e Sigurimit, situata bëhet më e rëndë për të, pasi SPAK, ndoshta dhe i detyruar nga partneri ynë SHBA, të paktën zyrtarisht ka nisur një hetim me stil të gjërë ndaj ish presidentit.

Ndonëse nuk dimë ndonjë gjë konkrete nëse Ilir Meta(j) është marrë apo jo zyrtarisht nën hetim penal, përmes mediave është mësuar se është kërkuar nga Gjendja Civile informacion për ndryshimin e emrit, përgjigjia ka ardhur negative, por dhe për lobimin 700 mijë euro në emër të LSI në SHBA, apo për operacionet plastike të Kryemadhit dhe ndërhyrjet për ‘uljen’ e shëndetit të vetë Metës. Bëhet fjalë për letrën dërguar në KQZ apo letër-porosia në SHBA për këtë qëllim. Por nga këto nuk ‘tronditet’ Meta, madje i quan ‘gudulisje’.

Gjithë shqetësimi i tij ka ardhur nga ‘haberi’ që ka marrë për zbardhjen e pasurisë së tij në Qipro e në Londër. Nën ‘okelion’ e kërkesës për derdhjen e parave përmes bankave në Qipro, sidomos në drejtim të SHBA për lobimin në favor të LSI, detyrimisht do të merret vesh shuma e financuar por dhe pjesa e mbetur në bankë. E cila mund të jetë shumë më shumë se me 9 shifra, në dollarë ose euro kuptohet. Ky është një problem shumë i madh. Pasi ka nisur dhe në Londër kjo punë.

Ndaj Meta po përpiqet që ta kompensojë këtë ‘sagë’ hetimi të SPAK ndaj parave të tij, me sulme ndaj qeverisë, kryeministrit, duke dalë jashtë ‘binarëve’ normalë, por dhe me presion ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, duke i shantazhuar ato rëndshëm.

Të njejtën gjë po bën dhe Berisha, i cili përpos fjalorit të tij të ‘begatë’ kundër kundërshtarit politik Edi Rama, po kujdeset që të garantojë futjen në dorë dhe zyrtarisht të PD, përmes sulmeve me emër dhe mbiemër ndaj gjykatësve që kanë në dorë ankimimin e Alibeaj për vulën e partisë, por dhe institucioneve të drejtësisë së re, SPAK e Gjykatës së Posaçme. Përdor të njejtën formulë akuze: Eshtë tërësisht në dorën e Edi Ramës drejtësia.

Por ka qënë një reagim i fortë i ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim, ai që ua ka mbyllur gojën tash sa kohë Metës dhe Berishës, duke ua zhvendosur ‘tabelën’ e goditjes vetëm në drejtim të qeverisjes, normale për çdo opozitë dhe aspak dinjitoze për dy udhëheqësit politikë të saj, të cilët pasi kritikuan Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin për opozitarizëm të dobët, vetë ata po shfaqen akoma më zbehtë se ish kreu i PD gjatë 9 viteve në krye të opozitës.

“Kërcënimet e nxitjet për prokurorët dhe gjyqtarët dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi në Shqipëri nuk duhet të pranohen më si “normale”. Kjo sjellje nuk i përket një vendi që është në NATO, ka hapur negociatat për anëtarësim BE dhe është ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Për një kohë të gjatë, të pasurit dhe/ose të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar, mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush – ASKUSH – nuk është mbi ligjin”, ka qënë paralajmërimi i Yuri Kim.

Kaq ka mjaftuar, që Berisha dhe Meta ta kuptojnë qartë dhe saktë mesazhin, sidomos pasazhin e dytë ku ata e kanë ‘gjetur’ veten, tek të ‘pasurit dhe të fuqishmit’, të cilët për ambasadoren amerikane nuk janë të paprekshëm. Mesazhi ka qënë i qartë, përfshirë dhe ‘haberin’ nga SHBA.

Pavarësisht se janë frikësuar fort nga përballja me drejtësinë, theksojmë këtë çështjen e daljes nga politika përmes ligjit kundër ish spiunëve të Sigurimit të Shtetit apo “lustracionit” si ish zyrtarë të PPSH, ku Meta akuzohet si ish spiun dhe Berisha ka qënë sekretar i PPSH, ata nuk e llogarisin madje po tentonjë ta quajnë veten si ‘viktima’ politike të Ramës, kreu i PD dhe ai i PL, po tentojnë të gjejnë kauza të tjera për të shmangur më të rëndën.

Berisha dhe Meta paralajmërojnë se në shtator do të ketë zhvillime të forta politike dhe populli i tyre do të ngrihet për të rrëzuar Ramën, ndonëse as protestat e dhunshme të 2019 të organizuara nga Basha e Kryemadhi, ku në prapaskenë ishin dy ‘dinozaurët’ e politikës, nuk sollën opozitën në qeverisje, përkundrazi e zhytën më tej në krizë të thellë, Për këtë janë të bindur dhe vetë Berisha dhe Meta, por janë të detyruar ta thonë. Pasi karta kryesore, ajo e ‘sovranizmit’ është zhdukur nga fjalori i tyre politik, dhe s’kanë ku mbahen tjetër.

Mesazhi amerikan me sa duket paska qënë tepër i fortë. Ndoshta ka ‘zgjidhur’ tamam gjuhën ish shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral Luan Hoxha për punishten e vdekjes së Gërdecit, pronë e Shkelzen Berishës. Apo e ish sekretarit të Ilir Metës në kohën kur ishte zv.kryeministër e ministër i Jashtëm në bashkëqeverisje me Berishën, fjala është për Almir Rrapin, me sa duket është “zbërthyer’ tamam dhe ai, dhe ka nxjerrë shumë të vërteta që deri më tani kanë qënë të futura thellë në nëntokën e ashpër të krimit e korrupsionit.

Ndoshta dhe këto lajmet e reja për luftën e ‘mbretërve’ të lojrave të fatit, që përkon me zhdukjen misterioze të Ervis Martinit, kanë ndikuar, pasi sipas mediave, bëhet fjalë për një ‘non grata’ në SHBA të përzier për ta kapur tamam këtë treg, duke mos u mjaftuar me ‘paketën’ e deritanishme me austriakët. Të gjithë e dinë emrin, por mazallah se e thonë publikisht, dhe tentojnë pastaj ta devijojnë në ‘derivate’ të tjera politike, për ta mjegulluar akoma më shumë.

Janë hamendje këto, por me sa duket ‘haberi’ i ardhur nga përtej Atlantikut për Berishën e Metën ka qënë aq i fortë sa i ka trembur shumë, duke i detyruar të bëjnë si ai që kishte frikë të udhëtonte natën dhe për të larguar frikën ‘këndonte këngë trimërie’.

Kreu i PD dhe ai i PL vërtet po “këndojnë këngë trimërie’, por ama kundër Ramës dhe qeverisjes së tij, pa asnjë ‘gram’ sovranizëm brenda. Dhe kjo është e dukshme shumë. Ndoshta ka ardhur koha që paratë e vëna përmes abuzimit me pushtetin dhe krimin, të rikthehen në arkën e shtetit pas kaq e kaq vitesh. Të fillojnë me vilat që janë në Gjirin e Lalzit, për të rikthyer milionat e parë të eurove që u janë grabitur shqiptarëve, në arkën e shtetit. Sa për të filluar themi!

Pastaj të zbresin në Qipro, do gjejnë “minierë’ valute të huaj në këto banka, sa Shqipëria me këto shuma bëhet me rrugë, shkolla, spitale të reja dhe e çon borxhin shqiptar në zero. Shqiptarët janë të interesuar për paratë, jo për fatin e Berishës dhe Metës. Jemi të detyruar të presim deri atëherë, sa do përparojë SPAK me hetime, me mbështetjen e SHBA-BE por dhe të shqiptarëve. Të cilën e kanë pa limit.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergj: 31/08/2022 15:34

    Pèr tè pasuruar vetveten, shkatèrruan gjithçka shtetèrore. Aa shqiptarè, qè nuk i korruptuan dot, i vranè me dorèn e bandave kriminale, qè ky lloj gangsterizmi politik tèrheq gjithmonè pas vetes. Tè huajve, fqinjève veriorè dhe jugorè qè me shèrbimet e tyre tè inteligjencès, nè Shqipèrinè e bèrè han me 2 porta pèr çdo antishqiptar tashmè (plepat), qè u dokumentonin krimet dhe vjedhjet pèr shantazh,,,iu ofronin PÈRULÈSINÈ DHE PEQELEPÈSINÈ,,,iu ofronin gjithçka, qoftè edhe shkatèrrimin e Shqipèrisè. Kèta janè Berisha dhe Meta. Sot, nèse Shqipèria do qè tè ketè njè vènd nè familjen europiane, duhet tè mbarojè punè mè parè, me gjithçka kriminale tè kryer nga kèta tè dy, deri edhe kthimin e mallit tè vjedhur. Nèse nè kètè proces, do tè pèrfundonin edhe "tigrat" dhe konet hajdute tè kètij qè vjedh sot,,,edhe mè mirè pèr shqiptarèt. Faleminderit SHBA.!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?