Ceremoni e demave në Spanjë

Çfarë mund të mësojnë arkitektët nga vrapimi i demave

24 Dhjetor 2021, 09:35| Përditesimi: 24 Dhjetor 2021, 09:39

  • Share

Çdo vit mijëra njerëz mblidhen në qytetin e Pamplonës ​​në Spanjën Verilindore, për të vrapuar dhe shpëtuar jetën e tyre, ndërsa 6 dema të frikshëm lirohen në rrugë për të sulmuar cilindo që ndeshin përballë. Çdo vit nga plagosen dhjetëra njerëz, ndërsa që nga viti 1910 ka pasur të paktën 15 vdekje të regjistruara. Por ky aktivitet është me shumë interes jo vetëm nga ata që e duan adrenalinën apo aktivistët e të drejtave të kafshëve. Një studim i botuar së fundmi në “Proceedings of the National Academy of Sciences”, përshkruan leksionet që ofron kjo garë e rrezikshme mbi psikologjinë e turmave të kapluara nga paniku.

Kjo është një temë shumë e dobishme për t’u eksploruar. Arkitektët, inxhinierët dhe planifikuesit urbanë, duhet të përpiqen të përcaktojnë se si do të sillen njerëzit në rastin e ngjarjeve tragjike si zjarri, përmbytja apo një sulm terrorist, që të mund t’i dizajnojnë projektet e tyre në një mënyrë të tillë që të shmangin përplasjet potencialisht vdekjeprurëse.

Për fat të keq, është e vështirë të arrihet tek një informacion i fortë. Por Daniel Parisi, fizikant dhe shkencëtar i kompjuterëve në Institutin Teknik të Buenos Airesit në Argjentinë, dhe autori kryesor i studimit, e kuptoi i pari se vrapimet me dema në Pamplona, ofronin eksperimentin e përsosur natyror.

Dr.Parisi dhe ekipi i tij shkuan në dy lokacione të ndryshme mbi çati në Pamplona në korrikun e vitit 2019, dhe regjistruan pamjet e vrapuesve teksa lëshoheshin demat që vraponin në rrugë. Një turmë njerëzish që vraponin me shpejtësi maksimale, kaluan pranë kamerave të tyre disa sekonda përpara demave.

Studiuesit i analizuan regjistrimet e tyre në laborator, duke llogaritur me saktësi shpejtësinë e vrapuesve, dendësinë e turmës, dhe probabilitetin që një vrapues të rrëzohej përtokë. Po ashtu ata ekzaminuan trajektoret që ndiqnin demat, reagimin e vrapuesve individualë kur iu afruan demat, dhe marrëdhënien midis dendësisë, dhe shpejtësisë së grupit të njerëzve që vraponte para demave.

Siç mund të pritej, studiuesit zbuluan se vrapuesit e rritën shpejtësinë kur iu afruan demat. Më pak i pritshëm, ishte zbulimi se shpejtësia e vrapuesve individualë rritej me dendësinë e turmës. Me shpejtësinë maksimale të turmës prej rreth 4 metra në sekondë, dendësia arriti afro 1 njeri për 1 m2.

Ky zbulim është në kundërshtim me supozimin e besuar prej kohësh në qarqet e ekspertëve të arkitekturës dhe urbanistikës, se njerëzit e ngadalësojnë ritmin e tyre të lëvizjes kur ritet dendësia e grupit, në mënyrë që të reduktojnë rrezikun e një përplasjeje, e cila mund të çojë në rrëzimin përtokë, dhe ndoshta plagosjen apo edhe vdekjen, pasi një vrapues shkelet nga të tjerët.

Të dhënat e dr.Parisi sugjerojnë se grupet e vrapuesve të shpejtë dhe plot me njerëz janë vërtetë të rrezikuar: nga 20 persona që u rrëzuan, të gjithë ata e bënë këtë brenda një grupi të dendur dhe me lëvizje të shpejtë. Shumica (14 nga 20) ndodheshin në grupe me 2 ose më shumë persona, dhe kur njëri person e pengonte tjetrin.

Megjithatë, duket se kur situata është në kulmin e vet, njerëzit i kushtojnë pak vëmendje rrezikut të përplasjes me njëri-tjetrin, dhe nuk e ngadalësojnë shpejtësinë. Prandaj, projektuesve urbanë u bie përgjegjësia të gjejnë mënyrën më të mirë për të planifikuar ndërtimin e rrugicave, tuneleve, urave dhe kalimeve të tjera që kufizojnë flukset e njerëzve. Mundësia e vetme mund të jetë që t’i projektojnë ato më të gjera./ bota.al

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?