Foto ilustruese

Opinion

Çfarë nuk kanë të përbashkët shqiptarët dhe palestinezët?

16 Maj 2021, 13:21| Përditesimi: 16 Maj 2021, 13:23

  • Share

Në çfarëdo tryeze bisedemesh që do ta organizohet nesër për zgjidhjen e kontestit në mes të Izraelit dhe Palestinës do të jetë i përjashtuar Hamasi, një organizatë e shpallur terroriste nga Bashkimi Evropian, SHBA-të dhe një mori shtetesh të botës.

Palestinezët, për të qenë në paqe me moralin e tyre, duhet të mësojnë pak më shumë mbi origjinën e raketave që aktualisht po shkrepen mbi vendabimet hebreje. Kundërpërgjigja izraelite mund të jetë edhe joproporcionale, por ata që e bëjnë matematikën e balistikës duhet ta kenë të qartë edhe efektin që prodhon ky “festival raketash”.

A janë palestinezët të aftë të kuptojnë se dikush po i sponsoron këto raketa në emër të tyre, përse ato u aktivizuan pikërisht tani dhe se a janë mbrojtësit e vërtetë të çështjes palestineze pikërisht këta që nesër nuk do të mund ta përfaqësojnë popullin palestinez në procesin e bidsedimeve?

Atëherë, përse po ndodh kjo dhe deri kur në emër të palestinezëve bëhen pazare pa i pyetur ata?

Ajo çka nuk kanë të përbashkët shqiptarët dhe palestinezët është pikërisht kufiri që e ndan moralin e të bërit rezistencë. Shqiptarët asnjëherë nuk pranuan të kontraktojnë ndonjë organizatë luftarake që do të ishte e kundërshtuar nga bota e qytetëruar, ndërkohë që palestinezët kauzën e tyre për liri e vetëvendosje po e fusin në qorrsokak, duke lejuar që në istikamet e luftës anti-izraelite të futen kamikazë që minojnë jo vetëm procesin e paqes në Lindjen e Mesme, por edhe perspektivën liridashëse të vetë popullit palestinez.

Palestinezëve po u mungon një tru politik, i cili do të komandonte procesin e formimit të shtetit palestinez. Bota arabe, e përçarë dhe e atrofuar institucionalisht në përballje me sfidat gjeopolitike, aktualisht është aleati më i keq i palestinezëve, ndërkohë që Izraeli, në pritje të rikonfigurimeve të brendshme politike, do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe jetën e njerëzve, duke e bërë këtë herë-herë edhe në dëm të imazhit të vet, por me një objektiv të qartë se Tel Avivi aktualisht e ka përballë një forcë që kontrollohet nga jashtë Palestina. Kjo forcë po punon që konfliktin ta zgjerojë në gjithë Lindjen e Mesme, duke e katapultuar një kauzë krejt tjetër nga ajo që në dukje të parë po shihet në Gaza.

Tensionimi më i ri në Gaza vjen në periudhën post-trampiste, ndërkohë që presidentit aktual Joe Biden i nevojitet kohë të gjejë një palë të denjë negocuese tek palestinezët, në mënyrë që ky konflikt disavjeçar të marrë një epilog të pranueshëm për të dyja palët.

Nëse Jerusalemi është burimi i konflikteve dhe mosmarrëveshjeve izraelito-palestineze, atëherë duhet të gjendet formula që do të fashiste këto mosmarrëveshje, por me kusht që kauza palestineze për liri dhe vetëvendosje të përjashtojë nga gjiri i vet të gjitha ato forca që pikësynim final e kanë ngulfatjen e çështjes palestineze dhe futjen e saj në tunele pa shtegdalje.

Definitivisht, Hamasi nuk është Palestina!

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ergys: 16/05/2021 14:27

    Analize e sakte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?