Të martën rikthehet Champions League me xhiron e tretë në grupe që rezervon përballje tejet interesante përfshirë edhe Real Madrid-Inter. Dy skuadrat ‘big’ të grupit B duhet të ishin në vendet e para, por pas dy ndeshjeve Real Madrid renditet e fundit me 1 pikë, ndërsa Inter e parafundit me 2 pikë.
90 minutat në Madrid duhen fituar me patjetër nga Reali i Zidan, trajneri francez që para ndeshjes me zikaltërit është shprehur: “E njoh shumë mirë Interin, do të jetë sfidë delikate, e luftuar nga të dyja krahët. Ata janë shumë të fortë fizikisht dhe do të na e bëjnë të vështirë. Me Conte-n kam aporte mjaft të mira pavarësisht se këto kohë nuk jam dëgjuar me të.”
Reali vjen pas një fitoreje 4-1 ndaj Huesca-s në kampionat dhe mbi të gjitha me Hazard, që është rikthyer frikshëm pas një mungese të gjatë. Ndërkohë Inter nuk ka munduar të rikuperojë Lukaku-n, që nuk është i disponueshëm ashtu si Sensi dhe Vecino, ndërsa është rikuperuar Sanchez. Ndeshja tjetër e këtij grupi është Shakhtar Donetsk-Monchengladbach.
Për llogari të grupit A Salzburg do të presë kampionët e Bayern Mynchen, ndërsa Atletico-s do t’i duhet një tjetër fitore, kësaj here kundër Lokomotivës në Moskë.
Në Grupin C Manchester City pas dy fitoreve do të presë Olympiacos në Angli, ndërsa Porto dhe Marseille do të përballen në Portugali, në një ndeshje që mund të rezultojë vendimtare për fatet e tyre në grup.
Një 90 minutësh mjaft interesant për të parë limitet e Atalanta-s rezervon grupi D që bergameskët i përplas me Liverpool-in, një skuadër që deri më tani ka marrë dy fitore. Përballje tjetër e këtij grupi është ajo mes Ajax dhe Midtjylland.