Sonte do të mësohen edhe dy skuadrat e tjera gjysmëfinaliste të Champions League. Në “Santiago Bernabeu” Real Madrid pret Juventusin i fortë nga fitorja 3-0 në ndeshjen e parë. Por trajneri Zinedine Zidane kërkon të mbajë një profil të ulët duke thënë:
“Në ndeshjen e parë bëmë mirë por sonte luhet një ndeshje tjetër. Kualifikimi është i hapur ndërsa mua nuk më shkon në mendje të luaj pa Ronaldon”. Sa i përket formacionit me përjashtim të kapitenit Sergio Ramos të pezulluar trajneri francez i ka të gjithë në dispozicion dhe Ramosin pritet ta zëvendësojë Vallejo.
Juventusi do të kërkojë përmbysjen e madhe, megjithëse e dinë që është shumë e vështirë. Trajneri Allegri i sinqertë pranon në konferencë:” Kemi pak shanse për të kaluar në gjysmëfinale. Objektivi jonë është që të arrijmë rezultat dhe do të luajmë sikur të ishte një ndeshje e vetme” e mbyll Allegri. Dybala do të mungojë i pezulluar por tekniku mund të buzëqeshë pasi i kthehen Benatia e Pjanic nga pezullimi dhe Mandzukic nga dëmtimi.
Bayerni i Mynihut do të kërkojë të kompletojë kualifikimin ndaj Sevillas. Bavarezët e fituan 2-1 ndeshjen e parë dhe sonte duke nisur nga ora 20:45 presin në “Allianz Arena” skuadrën andaluziane. Trajneri i Bayernit Jupp Heynckes në konferencë ka deklaruar: “Sevilla do rrezikojë pas humbjes në ndeshjen e parë ndërsa ne kemi stilin dhe strategjinë tonë të lojës dhe do luajmë si gjithmonë”. Ndërsa trajneri Italian i Sevillas Vincenzo Montella kërcënon bavarezët duke nënvizuar se kualifikimi është ende i hapur. Për kompanitë e basteve Bayerni është super favorit për të arritur gjysmëfinalet.