Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “Mendelssohn & Friends” është koncerti i “Western Balkans Youth Orchestra”, që do të mbahet mbrëmjen e 18 tetorit në orën 19:00 në sallën e koncerteve të të Universitetit të Arteve në Tiranë, për të vijuar më pas me koncert në Shkodër në 19 tetor në orën 19:00 në teatrin “Migjeni”.
Koncerti vjen në kuadër të vitit muzikor 2024, i cili feston përvjetorë të rëndësishëm të kompozitorëve si Felix Mendelssohn Anton Bruckner dhe Arnold Schönberg.
2. “Shpella e Shkruar” titullohet ekspozita që çelet këtë të shtunë në 19 tetor ora 18:00 në “Galerinë e Arteve Digjitale” në Korçë. Ky projekt bashkon një grup artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë, të disiplinava dhe brezave të ndryshëm. Pas një faze kërkimore intensive në rajonin e Korçës, ata kanë krijuar vepra të reja të frymëzuara nga dy site prehistorike.
3. “3 Musketjerët” është shfaqja për fëmijë bazuar në romanin e Aleksandër Dyma, që do të shfaqet në sallën “Tonin Harapi” pranë Liceut Artistik në Tiranë këtë të shtunë dhe të diel, në 19 dhe 20 tetor në orën 10:30 dhe 11:30. Shfaqja vjen e përshtatur dhe me regji nga Ina Morinaj.
4. Stina koncertore e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar vjen të shtunën më 19 tetor në orën 19:00 në Sallën e Universitetit të Arteve me vepra nga Maçunn, MacMillan, Massenet dhe Mendelssohn.
Solist i koncertit, që mbahet edhe në kuadër të tetorit rozë ëshë violinisti Genti Koço, ndërsa dirigjent Eno Koço.
5. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë organizon në kuadër të Tetorit të librit një sesion leximi këtë të shtunë në orën 11:00 në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, ku të pranishëm do të jenë aktorët e “Teatrit të kukullave” për të interpretuar për fëmijët. Po në QKLL, këtë të shtunë në orën 18:00 mbahet edhe aktiviteti Kosova e Fahri Musliut.