‘Guida’ kulturore për nesër! ‘Estro Italiano’ të ‘Opera’, koncert kushtuar Dritëro Agollit në sheshin ‘Skënderbej’! Naim Frashëri përkujtohet në 124-vjetorin e vdekjes

17 Tetor, 09:43| Përditesimi: 17 Tetor, 15:08

  • Share

“Estro Italiano” titullohet koncerti instrumentalo-simfonik që do të shfaqet mbrëmjen e së premtes në 18 tetor, në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti vjen në bashkëpunim me konservatorin e Salerno-s “Giuseppe Martucci” dhe do të sjellë për publikun vepra të repertorit më të njohur instrumental dhe simfonik, të ndërthurura me vepra të kompozitorëve shqiptarë.

“Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno- Rilindja në Artin Pamor Shqiptar.” titullohet ekspozita që vijon të jetë e çelur në Muzeun e Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Ajo është e hapur gjatë gjithë ditës deri në 10 nëntor dhe vjen e kuruar nga Luçjano Bedeni. Ekspozita vjen në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Muzeut Marubi dhe Institutit të Antropologjisë për digjitalizimin, restaurimin, konservimi dhe ekspozimin e koleksioneve, duke shfaqur imazhe të pa publikuara më parë për publikun.

“Roots & Rhythms” është quajtur koncerti kushtuar Dritëro Agollit që do të mbahet mbrëmjen e 18 tetorit në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Duke bërë bashkë traditën dhe modernitetin, poezitë e Agollit do të shpalosen mbi krahët e pulseve elektronike, vargjeve rap dhe akordeve rock.

“Fjala dhe dija – Liria e vërtetë” është ekspozita që çelet paraditen e 18 tetorit në orën 10:00-18:00 në Bibliotekën “Dritëro Agolli” në Fier. Kjo është një ekspozitë e librave dhe periodikëve, që lidhen me temën e Luftës Nacional Çlirimtare dhe veprave që trajtojnë këto tema, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Fierit.

Figura e Naim Frashërit do të përkujtohet në një aktivitet në 124 vjetorin e vdekjes së tij, këtë të premte, në 18 tetor, në orën 10:00 në shkollën 9 vjeçare “Naim Frashëri” në Tiranë. Krahas prezantimit të figurës së Naim Frashërit, diskutimeve për rëndësinë dhe veprimtarinë e tij, do të ketë edhe ese dhe intepretime nga nxënësit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?