Busti i ciceronit të parë të qytetit antik të Apolonisë, Pilo Samarxhiu do te jetë tanimë pjesë e veprave të reja të ekspozuara për publikun në ambientet e Muzeut Historik në Fier.
Dhuruar prej skulptorit Gjergji Toksa, vepra anonime e titulluar ‘’Ciceroni i Apolonisë’’ ruhej prej kohësh në fondin e veprave të artistit.
Për drejtorin e Muzeut Historik, Ilirjan Gjika vlerësoi figurën e Pilo Samarxhiut si kyçe për kontributin e jashtëzakonshëm në histori e gërmimeve arkeologjike.
'Një gjest për t’u vlerësuar, i skulptorit Gjergj Toska i cili dhuroi bustin e ciceronit të parë të Apolonisë. Pilo Samarxhiu, ka qenë vitet 1933-1938, kryepunëtor i Misionit Arkeologjik Francez në Apoloni. Gjatë Luftës së dytë Botërore, kontributi i tij se të gjithë statujat, gërmimet antike të trasheve, llogoreve i mori i ruajti për t’i dorëzuar më pas dhe sot ato janë të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë dhe Muzeun Kombëtar.'- tha Ilirjan Gjika, Drejtuesi i Muzeut Historik.
Pilo Samarxhiu, lindi në vitin 1889 në fshatin Pojan të Fierit që pjesën më të madhe të jetës së tij ja kushtoi gërmimeve arkeologjike në parkun e qytet antik ku dhe do të angazhohej duke punuar pranë ekspeditave arkeologjike shqiptare.
Në vitin 1958, kohë kur u hap Muzeu Arkeologjik i Apolonisë, Pilo Samarxhiu, nisi punën si ciceroni i parë i tij, ku punoi deri në vitin 1971 kohë kjo kur vdekja e ndërpreu nga puna në moshën 88 vjeçare.