Çlirim Gjata: Presidentin e ri 
e zgjedh parlamenti aktual

6 Dhjetor 2016, 20:33| Përditesimi:

  • Share
Konstitucionalisti Çlirim Gjata i ftuar në emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga në Report TV u shpreh se do të jetë parlamenti aktual i cili do të zgjedhë presidentin e ri. 

Ky diskutim lind pasi për të parën herë zgjedhja e presidentit dhe zgjedhjet parlamentare përkojnë në të njëjtën periudhë duke bërë që ligjvënësi të jetë i shpërndarë për efekt fushate në kohën që duhet të zgjedhë kreun e shtetit.

Sipas Çlirim Gjatës 18 qershori për mbajtjen e zgjedhjeve është një datë kushtetuese dhe parlamenti sipas kodit zgjedhor duhet të shpërndahet 30 ditë para për efekt fushate. Por kjo nuk e pengon Kuvendin që të mblidhet për të zgjedhur presidentin e ri procedurat e të cilit duhet të nisin jo më vonë se 25 maji i vitit 2017 pra 60 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual që është data 24 korrik. Gjata thekson se Parlamenti i ri që do të dalë nga zgjedhjet e 18 qershorit nis mandatin vetëm në 9 shtator të 2017 dhe për rrjedhojë nuk mund të zgjedhë presidentin e ri pasi mandati i presidentit aktual përfundon në 24 korrik. 

Sa i përket vettingut Gjata i mëshon idesë sa ai duhej të aplikohej fillimisht tek klasa politike e cila ka shkaktuar këtë situatë problematike në sistemin e drejtësisë. Për reagimin e Kushtetueses për ligjin e Vettingut Çlirim Gjata shpreh idenë se ligji i Vettingut duhet të ishte zbatuar fillimisht vetëm tek gjykata Kushtetuese e cila më pas do kishte legjitimitetin e pastër për të gjykuar çdo ligj.

Intervista

Zoti Gjata kush e zgjedh presidentin, ky parlament apo parlamenti i ri?
Presidentin e zgjedh parlamenti, edhe pse kemi diskutuar që do të ishte më mirë ta zgjidhte populli. Zgjedhja e presidentit asnjëherë nuk ka shkaktuar krizë politike në vendin tonë. 3 herët e fundit ka pasur disa vështirësi por është zgjidhur më pas. Unë kam besimin se edhe këtë herë do të zgjidhet. Duhet ta shohim pozitivisht përderisa historia ka treguar që palët nuk kanë lejuar të shkohet në krizë për zgjedhjen e presidentit. E zgjedh ai parlament që është në detyrë. Parlamenti i ri nuk fillon dot punën para datës 9 shtator 2017 që është data e përfundimit të parlamentit aktual. Data 18 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve është kushtetuese sepse përcaktohet me ligj afati kur duhet të zhvillohen zgjedhjet. 

A mund të ndodhë që parlamenti i ri të presë shtatorin për të votuar presidentin e ri? 
Mbarimi i mandatit të Nishanit është 24 korriku dhe jo më vonë se 60 ditë para fillon procedura për presidentin e ri. Deri me 25 maj duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e presidentit. Faza e parë e zgjedhjes së presidentit zgjat 7 ditë. Këtu lind një konflikt se nëse nuk respektohet 7 ditëshi i raundit të parë çfarë ndodh. Deri në raundin e 4 shkojnë të gjithë emrat ndërsa në raundin e 5 shkojnë vetëm 2 emra. Raundi i pestë është si një raund i dytë i raundit të 4. Por parlamenti që do të dalë nga zgjedhjet e 18 qershorit nuk mund ta votojë presidentin e ri sepse hyn ne fuqi vetëm në shtator ndërsa presidenti i ri duhet të zgjidhet para 24 korrikut. 

Me shumë gjasa me 25 maj kur nisin procedurat për presidentin e ri parlamenti aktual është i shpërndarë për shkak të fushatës për zgjedhjet e 18 qershorit, atëherë si mundet që ky parlament i shpërndarë të zgjedhë presidentin e ri?
Parlamenti nuk është i shpërndarë për efekt kushtetute por shpërndahet për efekt zgjedhor. Neni 65 thotë: Në çdo rast kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të kuvendit të parë të zgjedhur. Nuk ka vakum ligjor. Parlamenti i shpërndarë është në detyrë. Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje por nuk është i kufizuar në marrjen e vendimeve. Janë masat kushtetuese që parlamenti të zgjedhë presidentin. Nëse do të kishte konsensus politik mund të fillojë më herët procedura për zgjedhjen e presidentit dhe ai të zgjidhej pa u shpërndarë parlamenti. 

Nëse politika e zgjedh presidentin në maj i bie që ai të jetë i zgjedhur dhe jo në detyrë për një kohë të gjatë deri në 24 korrik?
Po ai do të jetë i zgjedhur. Rëndësia më e madhe është të kemi një president konsensual që do ta zgjedhë ky parlament. Mendoj se do marrë zgjedhje të zakonshme.

Një kolegu juaj, anëtar i gjykatës Kushtetuese i është drejtuar politikës duke thënë se përse politika nuk e bën vettingun fillimisht te vetja dhe më pas te gjyqësori, si ju duket kjo deklaratë?
Është një gjyqtar i vjetër që e respektoj shumë. Unë nuk gjykoj gjyqtarin. Gjyqtari në fjalë nuk është i pari që e thotë, është i fundit dhe është shumë vonë. Kryesorja që kemi thënë është se nuk mund të fillojë reforma nga drejtësia, duhet të fillojë nga politika. Duhet të zbulojmë kush janë shkaktarët e këtij sistemi drejtësie që kemi. Mendoj që reforma duhet të fillonte nga politika, pse nuk ka vetting nga politika.

A po mbrojnë veten gjyqtarët duke i penguar ligjet?
Gjyqtarët mendojnë se politikanët janë njëlloj të korruptuar me ta. Si mund të gjykojë politika gjyqtarët? Reagimi i gjyqtarëve është shumë vonë. Politikanët janë shkaktarët. Të gjithë ne juristët e kemi thënë nga duhet të fillojë drejtësia, ndërsa a duhet apo jo të flasë gjyqtari kështu është procedurë tjetër.

Pezullimi i ligjit të Vettingut është një lloj reagimi?
Unioni i gjyqtarëve duhet të reagonte shumë më herët. Vettingu është eksperimenti i parë që ndodh në Europë, as ndërkombëtarët nuk mund të thonë që ka pasur një eksperiencë të tillë. Fillimisht duhet të ishte bërë një vetting vetëm për Gjykatën Kushtetuese dhe nga kjo do të dilte një gjykatë e pastër. Ajo do të ishte e pastruar nga vettingu dhe do të kishte shqyrtuar e pavarur ligjin e vettingut. Me vettingun unë duhet të provoj që jam i pafajshëm. Politika nuk është më e pavarur se gjyqësori. Keni dëgjuar për një gjyqtar që ka hyrë në burg për 6 mln lekë. Tenderat në administratë i keni parë. Politika e ka mbrojtur gjyqtarin por duhet filluar te ajo ndryshimi. Kush më garanton mua që pas 5 viteve kur të përfundojë vettingu do të ketë ndryshime. Kush na garanton që gjyqësori i ri do reagojë përballë kësaj politike.

A mund të themi se kemi një kushtetute të ngrirë për shkak të pezullimit të reformës së drejtësisë?
Kjo kushtetutë funksionon deri në momentin që vjen e reja. Nëse Gjykata Kushtetuese jep një vendim që shfuqizon ligjin e vettingut parlamenti është i detyruar ta shqyrtojë sërish. Politika shkoi te gjykata sepse nuk mundi të gjejë konsensus.

Opinioni i Komisionit të Venecias është këshillues, pse gjykata nuk vendosi ta shqyrtojë vetë por shkoi në Venecia?
Për këtë duhet të pyetet gjykata por të kërkosh një mendim nuk është keq. E gjithë reforma kaloi 3 herë në Komisionin e Venecias. Në Venecia kemi 25 vite që shkojmë për çështje të ndryshme. 

Nesër jepet vendim i Venecias, sa kohë i duhet kushtetueses të marrë një vendim?
I takon kushtetueses që ta marrë në shqyrtim këtë çështje dhe mendoj që duhet ta bëjë shpejt, por nuk ka një afat fiks.

Edhe për pronat kushtetuesja kërkoi opinionin por veproi ndryshe me Venecian?
Është çështje interpretimi. Është problem të diskutohen mediatikisht çështje ligjore. Nëse do të ishte thjesht dhe vetëm të marrim mendimin e Venecias atëherë nuk do të kishte nevojë për Gjykatë Kushtetuese. Logjika juridike nuk është e njëjtë me logjikën njerëzore. Njerëzit nuk e kuptojnë logjikën juridike, ajo është çështje interpretimi.

Me ligjin e ri të SPAK kompetencat e prokurorit të përgjithshëm janë minimizuar, a ka krijuar kjo pjesë problem në funksionimin aktual të prokurorisë?
Një pezullim i vettingut ka bllokuar komplet reformën në drejtësi. Një vendim pezullimi bllokon një sistem. Këta që bënë vendimin i kanë menduar këto gjëra? Duhet parashikuar reagimi ligjor. Sado të kemi përplasje kompetencash kjo është transitore që do të zgjidhet sapo vettingu të hyjë në fuqi. Por a jep garanci vettingu se do të ketë një transparencë të paanshme nga të gjitha pikëpamjet? Pse nuk u diskutua ligji pa u votuar. Është e vërtetë që djalli fshihet te detajet. Ky ligj jep mundësinë që shumë gjyqtarë të korruptuar të fshehin fakte që nuk duhet të publikohen. 

Ka një opinion që kërkon shkundje të sistemit pavarësisht se e keqja është edhe te klasa politike por edhe drejtësia nuk ka funksionuar në këto vite...
E kam bërë analizën. Drejtësia ka 3 kolona :ndërtimin, funksionimin dhe kontrollin. Ndërtimi ka të bëjë me atë që emëron dhe shkarkon, duhet të jenë të ndryshëm sepse nëse nuk shkarkon ai që emëron je më i lirë. Ligji ka funksionuar por kontrolli jo. Gjykata nuk ka pasur kontrollin e duhur sepse emërimi dhe kontrolli i gjyqësorit duhet të bëhej nga presidenti i zgjedhur nga populli dhe një dhomë e dytë. Ndërtimi ka qenë thellësisht politik prandaj them se ka mundësi që vettingu të dështojë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?