Lulzim Basha, Edi Paloka, Gazmend Bardhi, Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj

Opinion

Ç’ndodhi me 'qeverinë' në hije të Bashës?

22 Qershor 2021, 13:54| Përditesimi: 22 Qershor 2021, 13:58

  • Share

Afro 6 muaj para zgjedhjeve, kur nuk kishte ardhur akoma “dridhma” e fushatës, dhe kur Lulzimi i “ngopte me lugë të zbrazur” të vetët, ekzistonte një listë me afro 1200 emra. Do të ishte lista e ministrave, zv/ministrave, drejtorëve të mëdhenj dhe të vegjël, drejtuesve të policisë dhe deri shoferëve të tyre, pasi Lulzim Basha të fitonte pushtetin. Çdo njëri prej tyre kur bëhej pishman, futej tek Basha dhe i kërkonte “post të ri”, dhe ai nuk e kthente “duarbosh”, por i premtonte sërish. Ishte një show tragjikomik, tek shikoje se si Lulzim Basha luante me njerëzit e tij, i mashtronte, u tregonte përralla me “qeverisje dhe pushtet”, dhe i mbante të karikuar deri ditën e votimit.Shumica e tyre kanë dhënë goxha kontribute financiare dhe njerëzore,duke menduar se “Luli kësaj here do të bëhet kryeministër”. Po Luli as kryeministër nuk u bë, dhe as fjalën nuk do ta mbante edhe kur të merrte pushtetin. Dhe as ka gjasa ta mbajë fjalën, pasi tashmë të gjithë e dinë se ai gënjen edhe kur të tregon orën. Por ç’ndodhi me qeverinë e Lulit pas 26 Prillit ?

Ata janë mërzitur jo vetëm me rezultatin, por së fundi,edhe me rizgjedhjen e Lulit si kryetar partie. Emra të spikatur të asaj force politike, që pasi nuk u futën në listë për deputet, prisnin të bëheshin “ministra dhe drejtorë” janë larguar dhe kanë humbur shpresat, se një ditë Luli i tyre mund të bëhet “kryeministër”. Edhe atyre që u mori paratë para fushatës, Luli sot ka nisur tu bëjë thirrje për të qenë “qëndrestarë, se betejën do ta fitojmë përballë Ramës”. Prej 8 vitesh dhe në vazhdim, gjithmonë kur gjendet ngushtë, Lulzim Basha shpik “lista ministrash dhe drejtorësh”. Madje një listë e tillë ka ekzistuar edhe në ditët e “revolucionit të molotovit” kur digjeshin institucionet, dhe plagoseshin uniformat e shtetit. Lulzimi i mbante me gajret “revolucionarët” e tij duke i thënë “ja iku edhe pak ditë, u rrëzua Rama, sulmoni”. Gjithë historia 30 vjeçare e Partisë Demokratike,dhe veçanarisht ajo e 8 viteve të fundit në drejtimin e Lulzim Bashës, përmblidhet me një fjali të vetme “paaftësi, pabesi, cinizëm, padrejtësi, dhe mungesë respekti dhe transparence ndaj çdo anëtari të asaj partie”.

Megjithatë ja vlen të bëjmë një ndarje të vogël, pasi në rast se Sali Berisha i shpërblente me poste besnikët e tij, me Lulzim Bashën ndodh e kundërta. Ai nuk njeh parime, dhe nuk vlerëson kurrë të aftësinë, besnikërinë dhe pozitivitetin. Lulzim Basha ka “aleat” vetëm interesin e xhepit tij.Listat me emrat e “ministrave dhe drejtorëve”, janë kthyer në gallatë nga vetë Lulzimi qysh gjatë fushatës elektorale. Ka qëlluar që 5 personave të ndryshëm, tu premtohet posti i drejtorit në një dikaster brënda 24 orëve.

Dhe këtë mund ta bëjë vetëm një politikan kurajoz si Luli. Edhe pse humbi zgjedhjet, edhe pse u detyrua të futet në Parlament dhe të pranojë rezultatin e çertifikuar nga KZQ-ja, Lulzim Basha nuk e ka për gajle të hartojë një listë të re “ministrash dhe drejtorësh” çdo 6 muaj, e përzgjedhur kjo si e vetmja zgjidhje për të mbajtur me shpresë mbështetësit që i kanë mbetur. Në 8 vite opozitë, Luli ka arritur të bëjë “ministra dhe drejtorë kur të marrë pushtetin”, mbi 6 mijë vetë, shumica të provuar dikur në qeverisjen e Berishës. Mbetet të mësojmë numrin e tyre për 4 vitet e ardhshme, aq më tepër kur Lulzimi premton se “do të kemi zgjedhje të reja para 2025”…..dhe hajde besoje po deshe një kryetar si ai.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?