Teuta dhe Laçi humbasin në ndeshjet e para të turit të tretë eliminator të Conference League. Kampionët e Shqipërisë e pësuan vetëm në fund në kohën shtesë nga irlandezët e Shamrock Rovers që triumfuan 1-0 në Dublin. 17- vjeçari Aidomo Emakhu ishte heroi i irlandezëve pasi u shënoi durrsakëve në kohën shtesë në minutën e 91-të. Gjithsesi kualifikimi për në play-off është i hapur dhe Teuta pas humbjes 1-0 në ndeshjen e parë ka mundësi të mira për të bërë përmbysjen në ndeshjen e kthimit. Më 12 gusht në Elbasan “djemtë e detit” do tentojnë kalimin në fazën play-off.
Ndërsa Laçi u dorëzua pa kushte ndaj gjigandëve belg të Anderlecht. Në Elbasan Anderlecht fitoi bindshëm 3-0 ndaj Laçit dhe hipotekon kualifikimin në turin tjetër. Bardhezinjtë u përpoqën por përballë kishin një rival shumë të fortë . Anderlecht shënoi dy herë në pjesën e parë me Delcroix dhe Hoedt ndërsa në pjesën e dytë llogaritë i mbylli Refaelov. Laçi është thuajse i eliminuar dhe ndeshja e kthimit në Bruksel do luhet thjesht për formalitet.