Ekonomi

COVID shkakton 1.1 mld euro humbje në industrinë e turizmit! Karantina i ‘kurseu’ 916 mln euro  shqiptarëve

26 Mars 2021, 17:51| Përditesimi: 26 Mars 2021, 18:01

  • Share

Turizmi ka humbur afërsisht 1.1  miliardë euro vetëm nga bllokimi i kufijve dhe masave shtrënguese që diktoi pandemia COVID-19. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, pavarësisht përmirësimit në muajit e sezonit veror, dëmi që i është shkaktuar kësaj industrie është tepër e lartë. Tashmë fokusi është tek vaksinimi masiv i popullatës brenda përpara këtij sezoni.

Turistët kanë shpenzuar në vend në 12 muajit e kaluar vetëm 988 milionë euro, nga mbi 2 miliardë euro që u shpenzua në vitin 2019.

Rënia e të ardhurave nga ky sektor që ka ndikim të lartë në ekonomi ishte e pritshme, pasi menjëherë pas përhapjes së virusit, qytetarët nisën të shtynin dhe anulonin rezervimet që kishin planifikuar.

Për pasojë edhe rënia më e lartë e udhëtimeve u regjistrua në muajit e karantinës, që përkonte me nisjen e sezonit prill-qershor. Edhe pse janë konsideruar qytetar që harxhojnë pak për turizëm, Kosovarët në asnjë muaj të vitit nuk e braktisën Shqipërinë.

Por mbyllja e kufijve ka ndikuar edhe tek ulja e shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit. Konkretisht sipas të dhënave shqiptarët kursyen 916 milionë euro, pasi ata shpenzuan për qëllime turistike 667 milionë euro nga 1.5 që harxhuan në 2019.

Për shkak të bllokimit të kufijve që ende vijon pjesërisht dalja e vetme e shqiptarëve në pandemi ishte Turqia. Nga ana tjetër edhe ky vit ka nisur me rënie të numrit të vizitorëve, ndërkohë që institucionet në vend turizmin e kanë si prioritet kryesor për rimëkëmbjen ekonomike.

Operatorët e sektorit presin përmirësim të situatës dhe më shumë rezervime nga fillimi i muajit maj, por gjithçka do varet nga ecuria e pandemisë dhe vaksinimi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?