COVID-19 frenon kredinë për bizneset dhe individët/ Banka e Shqipërisë: Rënie me 1.2%

12 Maj 2020, 14:37| Përditesimi: 12 Maj 2020, 17:29

  • Share

COVID-19 dhe masat e ndërmarra nga qeveria për të frenuar përhapjen e infeksionit ka ndikuar direkt tek kreditimi i ekonomisë, i cili është ngadalësuar ndjeshëm në muajin mars. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kredia për biznese është frenuar kryesisht tek biznesi i madh me 1.2%. Ndërsa sa i takon ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla ato kanë pasur rritje në kreditim me rreth 4 miliardë lekë më shumë se në fund të 2019, e cila ka kompensuar edhe tkurrjen e kredisë për biznesin e madh. 

Të ndikuar nga kjo situatë edhe bankat kanë shtrënguar kriteret për të dhënë kredi kryesisht tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duke qenë se ato kanë qenë më ekspozuara nga marrja e masave për mbylljen e aktivitetit ekonomik nga qeveria. Ndërkohë norma mesatare e interesit për kredinë në lekë për bizneset rezultoi të ishte 5.7%, nga një rënie të vazhdueshme. Ndërsa norma e interesit për kredinë në euro ra në 4.2%, nga 4.4% që ishte në  tremujorin e fundit të 2019.  Të vetmit sektorë që janë kredituar dhe ka pasur kërkesë për kredi janë, tregtia, bujqësia dhe ndërtimi.

Prej më shumë se 2 vitesh bankat ndoqën një politikë lehtësuese për kreditimin e individëve, ndërsa tashmë me përhapjen e pandemisë dhe frika për mundësinë që kanë qytetarët për të shlyer kredinë, ka bërë që bankat të shtrëngojnë standardet e kreditimit në tremujorin e parë të vitit. Ndërsa vijon të jetë më e lartë kërkesa për kredi me qëllim blerje banese, dhe më pas për kredia konsumatore. Norma e interesit për individë rezultoi 6.9% këtë tremujor, e njëjtë me tremujorin e kaluar. Ndërsa kredia hipotekare ka pasur normë interesi 3.6% dhe norma mesatare e kredisë për konsum rezultoi 7.7%.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?