Covid-19, ndonëse me vonesë, ka trembur edhe Shërbimin Informativ të Shtetit. Institucioni kryesor i sekreteve në vend ka kërkuar sot që të blejë pajisje mbrojtëse dhe materiale dezinfektuese, në kuadër të masave për t’u mbrojtur nga një infektim i mundshëm nga koronavirusi. Punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror do të pajisen me maska, doreza dhe dezinfektues.
Ndryshe nga institucionet e tjera, SHISH nuk ka njoftuar për ndonjë kufizim veprimtarie në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së virusit të panjohur. Por, në faqen e institucionit të sekreteve ka një informacion të detajuar rreth rrezikshmërisë së koroavirusit, mënyrës së përhapjes, simptomave, masave etj., duke reflektuar të dhënat rreth virusit të publikuara dhe të përditësuara në faqen e Institutit të Shëndetit Publik.