Më shumë se 4 mijë efektivë policie në të gjithë vendin kanë munur të vaksinohen me vaksinën Sinovac. Procesi i vaksinimit vijon që prej ditës së shtunë, ndërsa në Tiranë ky proces ka përfunduar për rreth 2 mijë efektivë policie.
Këta janë efektivë të policisë që sapo kanë marrë vaksinën. Në duar mbajnë edhe kartelën, me të cilën duhet të kthehen pas dy javësh, në mënyrë që të marrin dozën e dytë.
Përgjatë katër ditëve të para të vaksinimit të punonjësve të policisë, pjesëmarrja ka qenë masive. Në Tiranë janë vaksinuar nga 500 efektivë në ditë, ndërsa ky proces pritet të përmbyllet deri ditën e enjte.
Vaksinimi ka filluar paralelisht edhe në rrethe, ndërsa janë rrethë 2 mijë punonjës policie në drjetoritë e rretheve që deri tani e kanë mbyllur procesin. Kryesisht, Policia e Shtetit është vaksinuar me vaksinën kineze “Sinovac”, por nuk ka munguar edhe vaksinimi me atë ruse, “Sputnik V”.
Procesin e vaksinimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, nga afër, e ka ndjekur edhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Ky i fundit e cilësoi të rëndësishëm këtë moment për policinë, për shkak edhe të angazhimit që ka patur përgjatë gjithë panedemisë.
“Ky proces mjaft i rëndësishëm për këtë trup, për të cilën duhet të kemi një respekt të veçantë, për këto kohëra mjaft të vështira natyrore. Këtu përfitoj nga rasti t’u shpreh edhe një herë ngushëllimet 29 familjeve, të 29 efektivëve që kanë humbur jetën për shkak të Covid në këtë vit të tmerrshëm", deklaroi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Si pasojë e Covid-19 kanë humbur betejën 29 efektivë policie në të gjithë vendin, ndërsa më shumë se 2 mijë të tjerë janë infektuar. Policia e Shtetit ka qenë e angazhuar gjatë kësaj periudhe edhe për kontrollimin e lëvizjeve të qytetarëve, vendosjen e maskave dhe respektimin e orës policore.