Dade: Presidenti të
jetë propozim i opozitës

19 Prill 2012, 10:27| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Ish-ministrja e Jashtme, aktualisht anëtare e kryesisë së Partisë Socialiste dhe deputete e kësaj partie, Arta Dade, në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" deklaron se presidenti duhet të zgjidhet përmes një procesi konsensual, ndërkohë që kandidati për kreun e shtetit duhet të jetë vetëm nga opozita.

Ajo thotë se një kërkesë të tillë e kanë dhe ndërkombëtarët, duke nënvizuar faktin se Shqipëria e ka një precedent ku Presidenti i zgjedhur në vitin 2002 ka qënë propozim opozitës së atëhershme të drejtuar nga Kryeministri aktual Berisha. Ajo thotë se Berisha nuk i ka votat, ndërkohë që ngre pretendimin se as pa Ilir Metën nuk mund të pretendojë të zgjedhë kreun e shtetit.

Si e vlerësoni debatin për Presidentin në këtë situatë...?
Eshtë normale që klasa politike të fillojë debatet mbi mënyrën se so do të zgjidhet Presidenti i Republikës. Aktualisht Presidenti vazhdon të jetë në krye të punëve të shtetit, por koha e mbarimit të mandatit të kreut të shtetit po afron. PS po diskuton rreth kritereve dhe procesit i cili duhet të jetë transparent për mënyrën se si të gjitha forcat poltike duhet të vijnë në një emërues të përbashkët, për ti dhënë vendit presidentin e duhur në një moment kyç të proceseve të integrimit dhe të sfidave të mëdha që vendi ka përpara. Përfshirë këtu reformën në drejtësi por dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat janë disa nga kushtet shumë të rëndësishme që Komisioni Evropian ka vënë për politikën shqiptare, në mënyrë që të përfitojnë mbështetjen për integrimin në Bashkimin Evropian, si një vend dinjitoz.

Mendoni se Presidenti duhet të jetë konsensual dhe ...?
Duke qënë që mazhoranca ka akaparuar pothuajse të gjitha institucionet e pavarura Kushtetuese, gjykoj që ata duhet të japin konsensusin për një president të propozuar nga opozita, një standart që ne e kemi vendosur që në vitin 2002 kur PS ishte në mazhorancë dhe kjo mazhorancë e tanishme e drejtuar dhe atëherë nga Berisha ishte në opozitë. Është fjala për zgjedhjen e Alfred Moisiut si President i vendit, ku mazhoranca qeverisëse e majtë atëherë ndonëse i kishte 84 vota, pra shumicën e cilësuar, pranoi konsensusin për një kandidaturë të propozuar nga opozita e atëhershme dhe që u bë President, siç ishte Moisiu.

Edhe ndërkombëtarët e kanë kërkuar një president konsensual...?
Kjo është një kërkesë e natyrshme e opozitës që është në të njejtën linjë dhe me sygjerimet e ndërkombëtarëve. Do të ishte në dobi të një bashkëpunimi më të mirë dhe më efikas mes forcave kryesore politike, por dhe i mirëpritur nga segmente të tjera të shoqërisë shqiptare. Dhe deri në këtë moment kulmor për një shtet duhet arritur përmes negociatash transparente dhe konstruktive.

Kryeministri Berisha deklaroi para mediave se do të konsultohet me opozitës për Presidentin, por ai përmendi se kandidatura do të jetë një nga figura e rëndësishme të PS...?
Ka një kontradiksion në vetvete deklarata e kryeministrit Berisha, sepse nëqoftëse do të bisedojë me opozitën për kreun e shtetit nuk ka se si ta imponojë mazhoranca emrin e presidentit. Në momentin që Sali Berisha e thotë këtë gjë nuk mund të ketë negociata, pasi s'ka negociata për një kandidat që propozohet nga Partia Demokratike. Ku është konsensusi këtu. Ndaj them se është një deklaratë kontradiktore e kryeministrit Sali Berisha dhe nuk përkon aspak me frymën e kërkesave të partnerëve tanë që kërkojnë arritjen e një konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës për kreun e shtetit, që do ndihmonte shumë integrimin.

Sipas jush, i ka numrat mazhoranca aktuale bashkë me aleatët e saj për të zgjedhur e vetme Presidentin e Republikës?
Zgjedhja e presidentit nuk duhet të shndërrohet në çështje numrash, ku unë porsonalisht dyshoj nëse kryeministri Sali Berisha i ka kartonat në Kuvend për ta zgjedhur numrin një të shtetit. Për mendimin tim, dhunimi që Sali Berisha i bëri Kuvendit për zgjedhjen e anëtarit të KLD, vend i lënë vakant pas dorëheqjes së nënkryetarit të këtij institucioni Kreshnik Spahiu, tregon qartë dhe është një parathënie e asaj çfarë mund të ndodhë me Sali Berishën në momentet kur zgjidhet presidenti. Njëherazi ajo tregon frikën e Sali Berishës për t'i patur nën komandë dhe për t'ju deformuar vullnetin politik në një votim të caktuar në parlament, anëtarëve të mazhorancës e grupit të vet parlamentar.

Teksa shihet me vëmendje votimi i fundit në Kuvend për anëtarin e ri të KLD, vihet re se LSI ka një distancim nga mazhoranca. Sa real është ky distancim...?
Qqëndrimi i LSI në atë votim për anëtarin e KLD është një sinjal shumë i fortë për kryeministin. Mendoj se është një mesazh që supozoj që Ilir Meta i dha Sali Berishës që PD nuk mund të pretendojë ta zgjedhë presidentin pa votat e LSI dhe të Ilir Metës. Sinjali ka qënë shumë i qartë dhe i kuptueshëm jo vetëm nga palët politike, por dhe nga qytetarët shqiptarë.

Janë pëmendur shumë emra për të qënë kandidatë për President në Shqipëri. Ka emra nga mazhoranca dhe opozita dhe më konkretisht janë hedhur në tregun politik emra të tillë si kryeparlamentarja Topalli, ministri i Financave Bode, kreu i komisionit të ligjeve Beja, por dhe ish-kryetari i PS Nano madje dhe emri juaj. Si e komentoni faktin e daljes së kaq shumë emrave...?
Eshtë e vërtetë që tashmë po qarkullojnë shumë emra, si kandidatë për të qënë në postin e lartë të kreut të shtetit. Personalisht nuk do të parapëlqeja që të vazhdojë ka gjatë loja me përmendje emrash të caktuar për President të Republikës, sepse jam i bindur që ky proces shumë i rëndësishëm për zgjedhjen e numrit një të shtetit nuk duhet të konsiderohet si një lojë thjeshtë emrash, parë dhe në këndvështrimet personale. Jam e mendimit që emri i kandidatit për të qënë President i Republikës duhet të vijë natyrshëm përmes një procesi të plotë dhe transparent dhe përmes negociatash reale mes forcave politike. Prandaj unë këmbëngul fort se zgjedhja e Presidentit që do pasojë Topin s'është thjeshtë çështje individuale.

Nëse nuk funksionon konsensusi mes palëve për Presidentin, cila mendoni se do të ishte zgjidhja më e pranueshme...?
Unë mendoj se vendi duhej t'i drejtohej zgjidhjes politike, si forma më ideale e zgjidhjes së krizave. Prandaj them se zgjedhjet e parakohshme janë një oposion i hapur.

Ka pasur një debat të fortë të krerëve të partive të vogla të majta me kryetarin e opozitës, Edi Rama. Teksa partitë e vogla po reagojnë ndaj PS, çfarë duhet të bëjë PS për t'i qetësuar...?
Partia Socialiste ashtu sikurse dhe deri më sot është një forcë politike serioze që e ka në praktikat e veta krijimin e koalicioneve, duke u dhënë partive aleate rëndësinë e duhur sipas peshës dhe rolit që ata kanë në jetën politike shqiptare. PS e ka artikuluar kërkesën për një korrektim kombëtar të sistemnit elektoral, sipas kërkesës së partive të vogla aleate. Me sa duket duhet të ushtrojnë më shumë presion dhe partitë aleate të Berishës që ky korrektim të realizohet.

(jm/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?