Në një debat në parlamentin gjerman, kancelari gjerman, tha se Gjermania ka arritur diçka, që askush nuk e parashikonte para disa muajsh: depot me gaz janë të mbushura
Debati për buxhetin e vitit të ardhshëm, zhvilluar të mërkurën, 7.02.2022 në Bundestagun Gjerman ishte i nxehtë. Jo vetëm partitë e opozitës, edhe ato të qeverisë, akuzuan njëra-tjetrën për gabime të bëra në të kaluarën, sidomos për sa i përket politikave energjetike.
Scholz: I kemi depot plot
Scholz tha se brenda një kohe shumë të shkurtër, Gjermania është shkëputur nga varësia nga gazi rus dhe se është në rrugën e duhur për të kapërcyer këtë dimër. Kancelari socialdemokrat ishte luftarak në debatin e përgjithshëm për buxhetin e kancelarisë dhe iu përgjigj me kundërsulm kritikave të opozitës CDU/CSU. Scholz kritikoi ministrat e mëparshëm të CDU-së që e kishin penguar zgjerimin e kapaciteteve të energjisë me terminale të gazit të lëngshëm në bregun e Detit të Veriut. Scholz, i cili në qeverinë paraardhëse nën Angela Merkel (CDU) ka qenë zëvendëskancelar dhe ministër i financave, tha se kishin qenë ministrat e CDU-së në këtë qeveri, që i kishin bllokuar këto plane të tij.
Scholz nuk i kurseu kritikat as për simotrën bavareze të CDU-së, Unionin Kristiansocial (CSU) që sipas kancelarit kishte bllokuar edhe ndërtimin e linjave për transmetimin e energjisë së erës nga Veriu i Gjermanisë në Bavari. Kancelari socialdemokrat e quajti këtë një gabim fatal. "Është mirë që jeni në opozitë, që të mund të menaxhojmë zhvillimin industrial të vendit dhe të mos u shmangemi më problemeve të këtij vendi”, tha Scholz në drejtim të opozitës.
Merz kritikon daljen nga rryma bërthamore
Më parë kreu i opozitës, Friedrich Merz, CDU/CSU, kishte kritikuar edhe mbylljen e reaktorëve bërthamorë sipas planit, të cilin e rikonfirmoi të hënën ministri i energjisë Robert Habeck. Merz kishte kërkuar lënien në punë të reaktorëve bërthamorë edhe për tre katër vjet. Ai tha se vendimi ishte një "kompromis i keq" dhe kërkoi nga Scholz që t'i jepte fund kësaj " çmendurie”, që sipas Merzit mund ta dëmtojë pakthyeshëm imazhin e Gjermanisë si vend i besueshëm biznesi. Scholz i tha Merzit se ishte tepër i fiksuar në energjinë atomare dhe e mbrojti vendimin.
Edhe pakoja e lehtësimeve u kritikua nga Merz sidomos ndihmesa prej 300 euro që do t'u jepet të gjithë punëmarrësve në shtator, si kompensim për rritjen e çmimeve të gazit. Merz tha se është më mirë të mbështeten ata që kanë nevojë sesa të ndahen nga 300 euro për të gjithë.
"Jepini fund kësaj çmendurie", thotë kryetari i opozitës gjermane CDU,CSU, Friedrich Merz.
Scholz tha se njerëzit nuk janë naivë dhe e dinë se shteti nuk mund të parandalojë të gjitha efektet e luftës, por përsëriti se qeveria "do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar kompanitë dhe qytetarët për të kapërcyer këto kohë të vështira". Në këtë kontekst, ai kujtoi lehtësimin prej 95,000 milionë eurosh që ndihmojnë familjet dhe kompanitë dhe tha se kjo është thelbësore dhe se "kushdo që pretendon të kundërtën thjesht gënjen dhe dëshiron të mbjellë përçarje sociale”.
Scholz ishte sulmuar ashpër nga Merz edhe për sjelljen ndaj Ukrainës. Ai akuzoi kancelarin se tërthorazi ka zgjatur luftën e Rusisë kundër Ukrainës me hezitimin e tij për të mos dërguar armët. Scholz tha se Gjermania e ka mbështetur Ukrainën "në mënyrë shumë efektive, edhe me armët e nevojshme të rënda". Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ky është detyrimi ynë për aq kohë sa është e nevojshme. Por do ta bëjmë në bashkëpunim me partnerët tanë”,
Një minutë heshtje për Gorbaçovin
Në fillim të seancës së sotme, Bundestagu nderoi me një minutë heshtje ish-presidentin e ndjerë sovjetik Mikhail Gorbaçov, i cili dha një kontribut të rëndësishëm për ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990. Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas (SPD), tha se Gorbaçovi solli një frymë të re në Kremlin. "Gorbaçovi ishte kundër dhunës”, tha Bas. "Na dhemb thellë fakti që çdo gjë të cilën ai e ka mbrojtur, sot po dhunohet kaq hapur”.
Javë debatesh në parlamentin gjerman
Debati gjerman po diskuton këtë javë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Të mërkurën u debatua për katër orë rresht për buxhetin e Zyrës së Kancelarit. Në vitin e ardhshëm shpenzimet e Zyrës së Kancelarit do të jenë 3,67 miliardë euro, një shumë kjo më e ulët në krahasim me 3,86 miliardë euro të ndarë për vitin aktual. Kurse të ardhurat janë rritur, në 166,5 milionë euro. (2022: 103,5 milionë euro)./DW
Nuk ka vetem ne Shqiperie drejtues te paafte. "I kemi depot e gazit plote" nuk eshte tjeter veçse nje budallallek. Depot e gazit plot, jane nje rezerve disa javore. Ndalimi i çentraleve berthamore se na ndotin planetin, ndalimi i termoçentraleve te qymyrit se kane shume tym, ndalimi i hidroçentraleve se na prishin faunen ujore, ndalimi i eolienve se na prishin bukurite e peizazhit etj, jane disa nga budellalleqet qe po i vjen kohe per tu paguar.
Përgjigju