Debat brenda PS-së për shtesën në koncesionin e Porto-Romanos! Bushati: Të ndahemi me oligarkinë! Balla: E votove vetë 6 vite më parë

30 Prill 2020, 13:54| Përditesimi: 30 Prill 2020, 18:13

  • Share

TIRANE Me 83 vota pro, 14 kundër dhe 4 abstenim Kuvendi vendosi që të bënte një shtesë në kontratën koncesionare në Porto - Romano për kompaninë “porti MBM (MULTY BUOY MOORING)”. Por çfarë është konkretisht kjo shtesë? Kontrata në fjalë është për shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve të portit. Kompania kërkoi që të shfrytëzojë 100% portin.

Deri tani kompania shfrytëzonte pjesën veriore të portit për përpunimin e mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure, ndërkohë më ndryshimet që u miratuan kompania do të ketë të drejtë që të shfrytëzojë pjesën jugore të portit për transport mallrash.

Pra nga njëra anë hidrokarbure, ndërsa tashmë shtohet në anën jugore përpunimi i mjete lundruese që transportojnë mallra. Por sot në Kuvend kjo ka shkaktuar një polemikë mes shumicës qeverisëse. Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati doli kundër, duke kërkuar nga forca që bën pjesë që të ndahet nga oligarkia. Ai tha se kjo shtesë nuk është në interes të qytetarëve, pasi shërbimi po i merret portit të Durrësit dhe po i jepet privat.

"Sot po kërkohet të miratohet një kontratë për një koncesionar të ri, pa garë, pa procedurë dhe pa ligj. Në një situatë jashtëzakonisht të vështirë në të cilën po kalon vendi. Dhe unë dua ta filloj me një lutje në radhë të parë zoti Kryetar meqenëse jeni një deputet me shumë eksperiencë dhe shumë i matur në drejtimin e politikës shqiptare dhe Kuvendit. Jam 100% dakord me fjalën që ju mbajtët në fillim të kësaj seance ku thatë se ne nuk jemi zotër të këtij vendi dhe duhet të jemi të kujdesshëm me liritë politike dhe liritë ekonomike të qytetarëve që përfaqësojmë.

Në rast se do i qëndrojmë këtyre fjalëve do ju lutesha sot fillimisht që mos ta votojmë këtë kontratë, t’i japim kohë vetes, gjithë aktorëve shtetërorë për të bërë analizën më të mirë të mundshme sepse ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, forcë e qendrës së majtë dhe nuk kemi asnjë tagër as si maxhorancë e as si Kuvend i Shqipërisë që të burgosim të ardhmen e gjeneratës së re. Ne nuk kemi asnjë tagër zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, për të marrim vendime për 30 vitet e ardhshme. Ne na duhet strategji zhvillimi për detin. Kujtoj vitin 2009, Konventën tonë programore si PS, kur Preç Zogaj, në atë kohë me ne, mbajti një zotim në emër të koalicionit tonë për të pasur një strategji për vijën bregdetare, sepse është pronë e përbashkët.

Në komunizëm deti ishte i pashfrytëzuar, sot jetojmë në kapitalizëm dhe duhet që të trajtohet si një pronë e përbashkët publike, ku çdokush duhet ta dijë çfarë ndodh me vijën bregdetare, sa porte mund të ndërtohen, çfarë cilësie do të kenë këto porte, me çfarë sigurie duhet të ekzistojnë e kështu me radhë.

Po kështu në këtë Kuvend kam folur disa herë për përqendrimin e pasurisë në një rreth vicioz njerëzish, dhe çfarë po synohet me këtë kontratë? Me këtë kontratë synohet që portit të hidrokarbureve ti ndryshohet në thelb objekti. Nuk ka nevojë të jesh prokuror, gjyqtar, avokat, jurist. Mjafton të kesh bërë leksionin numër një në të drejtë civile për të kuptuar që thelbi i kontratës është objekti. Ne këtu duhet të kishim një projekt fizibiliteti aq më tepër që këto shërbime i ofron porti i Durrësit.

Unë jam njeri që besoj te idealet e qendrës së majtë dhe e dua publiken. Nuk kemi pse t’ia marrim portit të Durrësit dhe tia japim privatit. Nuk ka pse ARRSH-ja të nxjerr tenderin 5.5 milionë euro për t’i çuar dhe rrugën privatit. Nuk kanë pse të paguajnë taksa shqiptarët e zakonshëm këtij vendi dhe të gjithë ne për të çuar atje postën policore, doganierin, kontrollin sanitar dhe fitosanitar. Në rast se doni t’ia jepni privatit, fare mirë mund ta bëjë investimin privati. Çfarë fiton shoqëria me këtë gjë?

Çfarë fitojnë fëmijët tanë me këtë gjë? Çfarë duam të bëjmë? Duam të bëjmë një realitet si Dhërmiu e Palasa? Nuk i kuptojmë ne gabimet tona ku një grusht të pasurish jetojnë në mënyrë ekskluzive dhe nga taksat tona shkon rruga atje, shkon energjia, shkon uji?! Unë kam respekt për kapitalin, i heq kapelen çdo biznesmeni të ndershëm shqiptar, por duhet të ndahemi me oligarkinë. Oligarkia është një problem shqetësues në të gjitha vendet e botës dhe niveli i penetrimit në politikë dallon nga fuqia dhe fortësia e institucioneve. Duhet ta përballojmë këtë realitet. Nuk duhet të bëhemi si Partia Demokratike që ditën vajton dhe natën i shkel syrin oligarkëve duke i vënë gjoba.

Po nuk kemi pse ti japim bonus as Presidentit të Republikës që të dalë si garant i mbrojtjes së publikes. Interesin publik duhet ta mbrojmë ne zoti Kryetar. Ne jemi Partia Socialiste, ne jemi partia e progresistëve dhe demokratëve shqiptarë. Jemi partia që kemi ardhur në pushtet në 2013 dhe kemi thënë që do i anulojmë koncesionet, kemi thënë që po keqpërdoret pasuria. Ilir Beqja shkruan e thotë kush jemi ne që po mbajmë peng të ardhmen e të rinjve. Atëherë ky është momenti për ta vërtetuar këtë kryetar. Për të mos shkuar në një kapitalizëm grabitqar, ku në politikë njerëzit qëndrojnë vetëm për favore dhe ku oligarkët e shpërthejnë politikën”, deklaroi Bushati.

Ndërkohë që i menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të grupit të PS-së, Taulant Balla i cili i kujtoi kolegut të grupit të tij se kur është votuar koncesioni para 6 viteve ka qenë pjesë e qeverisë dhe ka votuar pro tij.  "Një përgjigje për një kolegun tim, deputet të grupit parlamentar, që sot në mëngjes më kërkoi se donte të fliste për një çështje me rëndësi dhe mendova se do të fliste për çështje të integrimit europian. Kuvendi sot po shqyrton një shtesë në një kontratë të një koncesioni që ka rreth 6 vite që është miratuar nga qeveria shqiptare dhe Kuvendi i Shqipërisë. Në atë kohë që është miratuar në atë kohë ka qenë në këtë sallë edhe opozita e vjetër dhe është votuar me konsensus nga i gjithë Kuvendi i Shqipërisë. Nuk besoj që në qeverinë ku ka qenë edhe kolegu im të ketë votuar kundër kolegu.

Unë nuk kam qenë ndonjëherë anëtar i qeverisë, kam qenë gjithmonë deputet i  PS-së dhe gjërat i shoh njëlloj sikur jam…, nuk dua të them atë që tha Grida Duma, sepse fjala e kolegut mu duk si fjala e Grida Dumës, i shoh gjërat mirë nga jashtë, por nuk më pëlqejnë nga brenda, prandaj dua të sqaroj se këtu kur vjen, ne duhet të japim shembullin se kur një investim privat ecën mirë dhe paguan taksat dhe ka nevojë të bëjë një ndryshim kontrate…

Kjo historia e diskutimeve patetike, gjoja në interesit të njerëzve, por është thjesht për të kapur lajmin e ditës nuk i bën nder askujt. Shtesa e kontrata koncesionare në Porto Romano është një domosdoshmëri për ta çliruar në të ardhmen Portin e Durrësit nga ndotjet që bëjnë operatorë të ndryshëm. Historia që m’u në qendër të Durrësit shkarkohen kontenierë me qymyrë, krom dhe plehra nuk duhet të vazhdojë më”, tha ai.

Komento

Komente

  • Rahman Gashi: 30/04/2020 22:20

    Mos e beni shume te paster kete ushtarin e Kotzias. Bente ca thoshte Kotzias. Se ngriti njeher zerin per Camerin apo per problemet shqiptare.mu si morr rrinte para atyre.prandaj e hoqen. Une skuptoj si bazohet populli ne llafet e ca qelbesirave per gjoja vjedhje. Me ke bazoheni me fjalet E Bashes hajdutit apo grupit te babales .

    Përgjigju
  • Uku Momlit: 30/04/2020 18:18

    Ehhhh mer kengetar i vogel i Katundit te Çermenikës qe nuk lodhesh kurre duke u kenduar lavdise se udheqesve te lavdishem te partise.....Shushunjat nuk njohin kufi dhe nuk dallojne nga çkanale vijne.

    Përgjigju
  • Respekt: 30/04/2020 15:37

    Zotin e Bushati e kam patur pedagog ne fakultet. E njoh si njeri shume profesional, korrekt strikt dhe mbi te gjitha liberal ne kuptimin me te shendetshem. Ne qeveri ka qene ne nje pozicion adapt per formimin e tij, korrekt dhe kurre i perfolur me apo pa fakte! Zoti bushati te inkurajoj per qendrimin qe prej kohesh po mban perballe kastes se marre fund te rilindjes. Jam i bindur se ke plot e perplot pwrkrahes ne PS por me shume jashte saj! Lutem qe te formesohesh me kolege e mbeshtetes sepse je potencial real, njeri me eksperience dhe i vendosur. Kam bindjen se shqiperia ka nevoje sot me shume se kurre me pare njerez si ju. Respekte.

    Përgjigju
  • Freshisti: 30/04/2020 15:22

    BALLA PO BEN TE FORTIN E PS ESHTE I PERLYER NE KRIM PS PRET QE BALLA TE PENDOHET

    Përgjigju
  • fetimi: 30/04/2020 15:07

    Z. Bushati ka te drejte! Ketu eshte nje vjedhje e papare. E kupton edhe bufi!. Edhe ne kohe Pandemie ,keto spaskan te ngopur! Kane deformuar me qellime vjedhjeje konceptin e koncensionit! Koncension quhet ndertimi i nje vepre ( kur nuk ka fuqi ta ndertoje shteti) ne nje vend me shkurre nga nje firme me shpenzimet e veta,pastaj shfrytezimi prej saj per disa vjet dhe pastaj falja prej saj shtetit! Dmth perfundimishti mbetet pasui kombetare. Pra papulli nuk paguan asnje lek.

    Përgjigju
  • redi: 30/04/2020 14:16

    Fjala e Bushatit eshte mbrojtja me e mire qe i behet PS si parti e majte dhe ne mbrojthe te publikes.Politika social ekonomike e Rames eshte nei liberale e dirugjuar nga opozita familjare qe kerkojne me cdo kusht jo vetem te ndjeki rrugen e koncensioneve grabitqare te nisura nga Nano ,Berisha por dhe me keq nga Rama.Rama me klanin e tij te ekstremit te dhathte duhet te largohet nga PS bashke me Ballen qe del si tellall ne mbrojthe te politikave aspak te majta.Di mbaheni mend si ekipi qe tradhtoji te majten ne kurriz te popullit per te mbrojtur oligarket . Turp qe po e shkaterroni kete vend dhe po e ktheni shqiptarin ne skllav te tarafeve tyaja

    Përgjigju
    • bledi: 30/04/2020 18:38

      mos e bani shum hero bushatin se ai e mori ne qaf bashkin e shkodres qe e propozoj nje ish funksionar te pd se kta ne Shkoder hajn e dhjesin nji sahan te dyja palete nuk ka faj edi rama se nuk I njef tan njerzit

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?