Familja Berisha

Ylli Pata: Defektet e avokatëve të 'Të Paprekshmëve'

24 Tetor 2023, 19:36| Përditesimi: 25 Tetor 2023, 09:04

  • Share

Ishte në fakt një krahasim mot ta mot, i situatës së Çikagove të gansterëve të fillim shekullit 20 me Shqipërinë e sotme.

Al Capone, dhe “kolegët” e tij sundonin qytetin nëpërmjet dhunës, korrupsionit e degradimit moral, duke ngritur kështu një sistem që nuk i prekte ata. Sepse, ata që duhet t’i preknin, ishin zgjedhur nga gangsterët për të mos e bërë. Madje edhe paguheshin për të, me një libër pagash të rregullt, të shënuar në një libër të madh që Al Capone e ruante me fanatizëm.

Gjithçka ndryshoi kur nga Uashingtoni erdhi një hetues federal i ri, i cili zgjodhi 5 bashkëpunëtorë të tij, duke i kaluar në një sitë të hollë. Ku së pari të mos ishin në librin e pagesave të Al Capones, jashtë sistemit që gansterët kishin krijuar. Eliot Nes, kështu quhej hetuesi federal i hyri në një farë mënyrë detit më këmbë. Gazetat, sallonet, elita me një fjalë e Çikagos, e quanin një klloun që nuk ka asnjë gjë në dorë. Kërkon vetëm të bëjë show e t’i shërbejë të fuqishmëve në Uashington.

Në këtë rrugë, hetuesit, i vranë tre nga njerëzit e stafit të tij, por në fund arriti të gjejë librin e pagesave dhe të arrestojë arkëtarin e Al Capone-s, i cili pranoi të fliste ngaqë nuk kishte rrugë tjetër. Nëse do të kishte shkuar te shefi i tij, do ta shkrinin në acid, ngaqë nuk ju duhej më.

Në fund, shkoi në gjykatë, e i kërkoi kreut të trupit gjykues që të ndryshojë jurinë, pasi ata që ishin aty ndodheshin në borderonë e bosit të mafias. Juria tjetër e dënoi Al Caponen për një krim të rëndë federal siç është evazioni fiskal, e siç dihet ai vdiq në burg.

Duke u kthyer në mjedisin tonë, përveç fundit të filmit që nuk e kemi parë ende, jemi thuajse identik në tekstin e shkruar vetë nga hetuesi që çoi para hekurave Caponen.

Sapo Donald Lu e hodhi këtë fabul në publik shpërthyen sulmet, insinuatat, akuzat, talljet, ofendimet e kërcënimet, shoqëruar me lajme të rreme pa fund e ditë për ditë.

Por, në fakt ja ku jemi; po përjetojmë një version shqiptar të “Të paprekshmëve”, ku siç ndodh gjithmonë ka dy palë që përplasen. Në rastin tonë janë prokurorët e SPAK dhe agjentët e BKH-së përballë “Të Paprekshmëve” dhe suitës së tyre që është e madhe.

Mjafton të shikosh këto ditë panelet televizive pas ndjekjes penale të Sali Berishës. Niveli i këtyre “avokatëve” nuk prek as minimumin e asaj çfarë pret publiku. Nuk njohin ngjarjen, nuk dijnë faktet, por përgjithësisht merren vetëm me fabulën se nuk duhet SPAK të hetojë një figurë si Sali Berisha, sepse sipas tyre: minohet stabiliteti, shkatërrohet opozita, do ketë luftë civile, atentate terroriste, vrasje politike e gjëra të tjera.

Të gjithë këto “avoketër”, kanë një problem të madh, pasi gjatë gjithë këtyre viteve në fakt janë trajnuar të jenë “prokurorë”. Të hartojnë akuza, të shpallin fajësi, e paralajmërojnë dënime. Madje edhe të sajdisin “prova” siç ka pasur rëndom këto vite, të cilët kanë marrë akronimin e “Babales” së famshëm, për arsye të ndryshme.

Jemi para një rasti vërtetë të bujshëm meqë është Sali Berisha në mes, dhe se kryeministri akuzohet se i ka dhënë një truall të shtetit, dhëndrit të tij, i cili ka fituar mbi 5 milionë euro nga zhvillimi i këtij truallit gjigand në mes të Tiranës.

Por në fund të fundit, është një rast kronike gjyqësore, ku palët-SPAK dhe Berisha me avokatët e tij ligjore, sapo e kanë nisur betejën e tyre.

Do të ishte normale, logjike, e në fund të fundit edhe rezultateve, sikur “avoketërit” e paneleve, të bënin realisht mbrojtjen e Sali Berishës për çështjen. Duke e lexuar, mësuar, e natyrisht pyetur avokatët realë. Në mënyrë që kur të nisë beteja e fortë ligjore e çështjes në gjykatë, njerëzit të jenë sa më të informuar.

Shikoni ç’ndodh me rastet e proceseve kundër Donald Trump apo djalit të presidentit Joe Biden në mediat amerikane. Palët, që përgjithësisht janë reporterë të drejtësisë, apo edhe avokatë, juristë e politikanë flasin për çështjen, e as nuk sulmohen prokurorë e gjyqtarë.

E mbani mend rastin “Babale”? Në panelet e darkës u fol me detaje, madje me hollësira më të vogla për një rast trafiku narkotikësh që nuk ekzistonte. Pasi në bisedë ishte një person fake që bënte zërin si vëllai i Fatmir Xhafës e tjetri Babalja i famshëm që sot jeton në kryeqendrën e Bashkimit Europian. E “regjisori” i filmit “Babale”? Një yll politik në ngjitje…

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?