Dëmet reale për Lulzim Bashën nga hapja e listave

10 Korrik 2020, 21:13| Përditesimi: 10 Korrik 2020, 21:14

  • Share

Përpara zgjedhjeve të gjithë përpiqen të krijojnë një fabul për fitoren e zgjedhjeve, ndërsa Lulzim Basha përpiqet gjithnjë të bëjë gati një arsye për humbjen.

Duket se dhe sot e gjeti. Edhe pse e paska pas gati “ofertën” nga Edi Rama të bëhet kryeministër, ai nuk paska pranuar, por ka zgjedhur të shkojë në zgjedhje dhe t’u tregojë shqiptarëve përse humbi. Sot e tha qartë. Ai do humbasë se Edi Rama po prishë marrëveshjen e 5 qershorit.

Në fakt Edi Rama nuk po e prish marrëveshjen e 5 qershorit. Atë është gati të mos e prekë, por po e zgjeron në funksion të demokracive të brendshme në parti, duke hapur listat dhe hequr koalicionet, si kërkesë e partive të tjera dhe opozitës parlamentare.

Lulzim Basha duhet t’ia kishte kursyer vetes këtë qarje publike, pse po i heqin nga duart listën e deputetëve, pas asaj që hoqi nga lista më 2017. Në vitin 2017, gjithë zemërimi ndaj tij lidhej me listën. Përmes kontrollit mbi listën, ai eleminoi gjithë rivalët brenda partisë, duke i përjashtuar nga gara, dhe po përmes kontrollit mbi listën, mbajti postin pas zgjedhjeve, edhe pse zemërimi ndaj tij ishte në kulm.

Për tre vite rresht ai vazhdon të jetë kryetar i parespektuar i partisë, por i pushtetshëm, se ka listën në duar.

Kjo që po i bën Edi Rama, duke ja hequr nga duart këtë mekanizëm pushteti, duket se e ka alarmuar aq shumë, sa gati tha: Nuk do hyj në zgjedhje.

Do të mjaftonte fakti i njohur, që Edi Rama nuk është një dashnor i konkurrencës brenda partisë, dhe as ndonjë idhtar i listave të hapura, por arrin të bëhet flamurtar i tyre, vetëm për të dëshmuar frikën e Lulzim Bashës, që Lulzim Basha ta përmbante veten. Por duket që nuk e përmban dot. Ideja se askush nuk ka nevojë për renditjen e tij në listë, nëse ato hapen, e bën të ndjehet i humbur pa filluar fushata.

Nga ana tjetër, i njëjti politikan që vuri veton para 5 qershorit, të mos zbatohej rekomandimi i OSBE/ODHIR për depolitizimin e administratës zgjedhore, e quan mos-depolitizimin si fitore kundër Edi Ramës, dhe flet në emër të OSBE. OSBE/ODHIR janë turpëruar në këtë proces, pasi ato kanë pranuar të mos zbatohen rekomandimet e tyre.

Duke qenë se kanë bashkëjetesë të keqe politike me PD prej zgjedhjeve të vitit 1996, ODIHR ka pranuar të mos jetë më arbitër në rekomandimet e tij për zgjedhje, pasi ka pranuar që rekomandimet e veta të hidhen në kosh të plehrave, për shkak të Lulzim Bashës.

Depolitizimi i administratës zgjedhore nuk është as propozim dhe as nevojë e socialistëve. Ata njësoj si PD, kanë kontrollin politik mbi zgjedhjet.

Depolitizimi është modernizim i sistemit, propozuar nga ODIHR, dhe ndihmon mbi të gjitha partitë e reja që nuk  kanë kush t’ua numërojë votat.

Vetoja e Lulzim Bashës për ta hedhur poshtë këtë kërkesë të ODHIR, buron nga fakti se ai kërkon të jetë pronar i votave të koalicionit, ngaqë nuk arrin dot të fitojë vota si parti.

Duke qenë se koalicioni nuk ka komisionerë dhe votat  e tyre i numëron PD, Basha e ka mos depolitizimin, një masë sigurie për të fshehur rënien e PD në zgjedhje. Por më thjesht akoma, e ka mekanizëm vjedhje votash ndaj aleatëve.

Ndaj alarmi i tij për plotësimin e mëtejshëm të marrëveshjes së 5 qershorit, është legjitim. Ai humbet dy pushtete të mëdha , atë brenda PD dhe atë mbi aleatët. Në këtë pikë ka të drejtë të jetë i shqetësuar.

Por PD nuk humbet asgjë, përveç pushtetit fallco të Lulit dhe mungesës së haraçit që duhet të paguajnë tek kunati për listën.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?