Demokratët braktisin sërish Vettingun, Akademikët kundër nismës së tyre

19 Tetor 2018, 15:25| Përditesimi: 19 Tetor 2018, 15:47

  • Share

Akademikët dhe pedagogët e juridikut kundërshtojnë ndryshimin sërish të Kushtetutës me qëllim kryerjen e Vettingut në politikë. Këshilli i Legjislacionit dhe  Komisioni i Ligjeve zhvilluan sot mbledhjen e radhës për shqyrtimin e nismës së Partisë Demokratike për ndryshime kushtetuese me qëllim kryerjen e Vettingut në politikë. 

Opozita u përfaqësua nga deputeti Luçiano Boçi, i cili është anëtar zëvendësues në Komisionin e Ligjeve dhe nuk është jurist në profesion, por kjo zgjedhje e demokratëve erdhi për faktin se Kuvendi kishte ftuar përfaqësues të botës akademike për të vlerësuar nismën e demokratëve. 

Boçi e quajti farsë këtë mbledhje. 

E dini si është kjo atmosfera? Si ata që lindin vajzë e pastaj thërrasin dasmën, e në fund e kanë fajin dasmorët pse lini vajzë. Kjo mbledhje është një farsë. Kryeministri e ka thënë fjalën e tij se është kundër. Përfaqësimi këtu është i ulët, asnjë rektor nuk ka ardhur. Ne duam që ta nisim vettingun në politikë nga vetja”. 

Luçiano Boçi, deputet i PD

Më pas Boçi u largua nga mbledhja, ndërsa pedagogët e juridikut nga sektori shtetëror apo privat dhanë mendimet e tyre mbi nismat demokrate, duke e kritikuar atë. 

Erind Mërkuri, Pedagog i së drejtës kushtetuese, UT: “Vettingu është i rrallë në gjyqësor, në politik është akoma më i rrallë si fenomen. Mendoj që ka një mangësi në strukturë. Kush do t’i hetojë deputetët? Nuk mund të jetë Kuvendi ai që i emëron sepse kuvendi do hetohet, ai i emëron, është nonsens. Mungon kontrolli pasuror. Nëse deputeti, kryetari i bashkisë, kryeministri, ministrat janë të lidhur me krimin, kjo do afektojë dhe pasurinë natyrisht. ”

Artan Hoxha Dekan i Juridikut UT: “Kushtetuta nuk është një akt që bëhet dhe ndryshohet sa herë ne duam, por atëherë kur është e nevojshme. Unë nuk jam kundër kontrollit apo kërkimit të llogarisë, po a kërkon kjo ndryshim kushtetues?”

Ermir Dobjani Pedagog juridiku, UT:Paraqitja e këtij projektligji kushtetues në këtë formë, pa asnjë projekt paraprak për zbatimin e tij është pjesa më e dobët e këtij projekti”. 

Mbledhjet konsultuese do të vijojnë, ndërsa vendimmarrje nuk do të ketë deri në ardhjen e rekomandimit nga Komisioni i Venecias. Paraprakisht kryeministri Rama ka thënë se ai beson që vettingun në politikë do ta bëjë drejtësia e re e pastruar nga Vettingu. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?