Një marrëveshje parazgjedhore mes Astrit Patozit dhe Dashamir Shehit ka rikthyer emrin e këtij të fundit si një kandidaturë e mundshme për bashkinë e kryeqytetit. Tashmë që afati i regjistrimit në KQZ po përfundon, kryetari i LZHK po përflitet edhe si kandidat i Partisë Demokratike të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Në fakt, shkëputja e Shehit nga Rithemelimi ka qenë e dukshme kohë më parë. Jo detyrimisht për shkak të ‘borxhit’ që i ka Lulzim Bashës që e përfshiu në listën fituese të PD-së. Shehi ka mbajtur një qëndrim parimor qysh prej fillimit sa i përket situatës brenda të djathtës dhe e ka thënë hapur se me Berishën nuk ka bashkim. Gjë e cila u vërtetua dita-ditës. Ndaj edhe mundësia që ai të garojë nën logon e Partisë Demokratike duket më e mundshme se kurrë. Duke i shtuar kësaj faktin se Shehi ka garuar edhe më parë për bashkinë më të madhe në vend duke marrë votat e atyre që njihen si ‘tironcit e djathtë’. I vetëm, pa mbështetjen e asnjë partie të madhe ka arritur ta trondisë të djathtën duke treguar se popullariteti i tij mediatik përkthehet edhe në vota.
Përballë kësaj kandidature deri tani hipotetike, kemi të shpallur atë të Berishës dhe Metës. Historikun sesi Belind Këlliçi kaloi nga Basha tek Berisha nuk mund ta bëjmë dot më mirë seç e kanë bërë miqtë dhe armiqtë e tij brenda Rithemelimit. Nga përplasjet me Flamur Nokën, tek ato me Evi Kokalarin, ambicia për të bërë karrierë shpejt duket se ka qenë me kosto për ish-kreun e FRPD. I akuzuar që në zgjedhjet e këtij forumi e në vijim për manipulime, sot ai u serviret tiranasve si opsioni më i mirë i një koalicioni të sajuar në minutat e fundit.
Hije dyshimi mbi Këlliçin ka pasur edhe më parë kur vetë ai pranoi se komunikonte me Ilir Metën në prag të protestave të Lulzim Bashës. Duke u përpjekur të jepte imazhin e njeriut që lëvizte fijet në prapaskenë, në fakt SMS-të treguan se ishte një kukull e ish-presidentit që e informonte dhe i merrte këshilla nëse duhet të qëllonin me gurë apo jo.
Sot, Këlliçi ndihet komod që do të jetë në fletën e kandidatëve, por do t’i duhet të bëjë një fushatë me logon e Ilir Metës. Ndërsa Shehi do të linte logon e partisë së tij për të përfaqësuar Partinë Demokratike që të djathtët njohin prej 30 vitesh. Duket se demokratët e kryeqytetit nuk do ta kishin aspak të vështirë të zgjidhnin mes kandidatit të Lirisë dhe Shehit, që në fund të fundit është produkt i PD-së dhe ka shërbyer si shtetar i lartë i saj në kohët më të vështira 92-97. Do ta kishin të lehtë të zgjidhnin jo vetëm për hatër të vulës, por edhe të faktit se një i djathtë tradicional është më mirë se një kopje e Ilir Metës.