Cili është roli i individëve në përcaktimin e kursit të historisë? – është pyetje e cila ka preokupuar komunitetin akademik dhe profesional prej dekadash, nëse jo shekujsh. A ishte fajtor Chamberlain për tentimin e arritjes së paqes me Hitlerin? A kishte opsion tjetër Roosvelti pas Pearl Harbuar-it përveç hyrjes në luftë? Në pyetjet sikur këto unë çdoherë gjej vetën në kampin e atyre që besojnë se roli i individëve në përcaktimin e historisë është i kufizuar. Kursi i saj përcaktohet nga forcat e tejdukshme strukturore dhe apersonale, të cilat diktojnë dinamikën e zhvillimeve dhe sjelljen e akterëve.
Merrni shembull ditën e sotme. Patjetër se Zelensky sot me të drejtë simbolizon rezistencën e popullit ukrainas, por me ose pa të ukrainasit asnjëherë nuk do të pranonin pushtimin rus të Ukrainës. Nëse nuk do të kishte qenë Zelensky rezistenca ukrainase në një histori alternative do të kishte lindur një tjetër hero ukrainas ,i cili do të kishte udhëhequr rezistencën e tyre. Asnjë lider i Ukrainës nuk do të kishte alternativë tjetër përveç rezistencës pasi që forcat strukturore historike, kulturore, politike dhe sociale të Ukrainës kanë diktuar një kurs të ruajtjes së pavarësisë dhe sovranitetit të tyre.
Ose merrni shembull presidentin Biden. Pas pushtimit rus të Ukrainës ai nuk kishte asnjë opsion tjetër përveç mbështetjes së Ukrainës dhe ka një konsensus të gjerë se administrata e presidentit Biden ka menaxhuar me sukses pushtimin rus të Ukrainës. Nga paralajmërimi i hershëm i planeve ruse e deri tek koordinimi i aleatëve dhe furnizimi i Ukrainës me inteligjencë dhe armë administrata Biden ka balancuar me sukses mbështetjen e Ukrainës me mospërshkallëzimin e konfliktit në një luftë rajonale në mes forcave bërthamore.
Dhe sikur Trumpi edhe Bideni kishte kuptuar se konflikti në Ukrainë do të përfundojë përmes një procesi negociator. Kjo është edhe arsyeja përse në muajt e fundit të saj administrata Biden ka vendosur që të mbështesë Ukrainën në tri drejtime të veçanta me qëllim që të detyrojë Rusinë të ulet në tavolinën e negociatave. E para, SHBA-ja vazhdon lodhjen ushtarake të Rusisë me humbjet ditore prej afro 1.500 ushtarë në ditë. Një nivel i tillë i humbjeve po i shkakton telashe presidentit Putin. Plani për t’u mbështetur në ushtarë të Koresë Veriore në masë të madhe dështoi për shkak humbjeve të tyre të mëdha. Tani Putini ballafaqohet me rrezikun e valës së re të rekrutimit të ushtarëve rus, gjë që mund të shkaktojë pakënaqësi politike dhe sociale te populli rus. Se gjendja është më të vërtetë e rënduar për ushtrinë ruse, kuptuam këto ditë edhe nga pamjet e ushtarëve të lënduar rusë, të cilët obligohen të kthehen në vijën e frontit.
Së dyti, në muajt e fundit të saj administrata Biden lejoi përdorimin e raketave me rreze të gjata ATACMS dhe furnizoi deri në dhëmbë Ukrainën për tërë vitin 2025 me pakon financiare prej 60 miliardë dollarësh. Dhe së treti, administrata Biden sforcoi sanksione ndaj Rusisë, përfshirë 50 banka ruse dhe sektorin energjetik, duke minuar kështu kapacitetin financiar rus për të vazhduar luftën dhe duke ndikuar në rritjen e inflacionit rus prej 9.5% në fund të vitit 2024. Të gjitha këto masa marrë së bashku kanë vazhduar të rrënojnë kapacitetin rus për vazhdimin e pushtimit të Ukrainës dhe kanë obliguar Putinin që të konsiderojë më seriozisht procesin negociator.
Dhe tani sikur Bideni, edhe Trumpi nuk ka opsion tjetër përveç mbështetjes së mëtutjeshme të Ukrainës. Ai nuk ka opsion tjetër për shkak forcave strukturore dhe apersonale, të cilat diktojnë mbështetjen amerikane për Ukrainën.
E para, fitorja eventuale e Rusisë është fitore e konkurrentit kryesor të SHVA-së: Kinës. Kur presidenti Putin dhe presidenti Xi Jinping u takuan në Moskë, ata shpallen një “partneritet të pakufishëm” në sfondin e “ndryshimeve që nuk e kemi parë në 100 vjetët e fundit”. Pikërisht kjo është arsyeja përse SHBA-ja nuk mund zmbrapset nga Ukraina. Pas pushtimit rus të Ukrainës, Rusia ka thelluar bashkëpunimin e saj me Kinën, Korenë Veriore dhe Iranin në nivele të paprecedenta. Nga Kina ka pranuar mikroelektronikën dhe mjete prodhuese, nga Irani ka pranuar raketa dhe dronët, ndërsa nga Koreja Veriore ushtarë dhe artileri. Rusia ka kthyer favorin me ndihmë ushtarake dhe teknologjike. I gjithë ky bashkëpunim kërcënon interesat kyç të SHBA-së dhe obligon Trumpin që të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.
Së dyti, Ukraina është dëshmuar investim i jashtëzakonshëm për interesat amerikane në Evropë. Në shkëmbim të vetëm 1.5% të buxhetit amerikan që ka shkuar në mbështetje të Ukrainës, SHBA-ja ka obliguar Rusinë të shpenzojë afër 30% të buxhetit të saj federal në kuadër të pushtimit të saj të Ukrainës. Pra, me fjalë të tjera, Ukraina është treguar një instrument i shkëlqyer gjeopolitik amerikan. Dhe me një investim tejet të arsyeshëm SHBA-ja ka fituar një aleat i cili tani është në posedim të ushtrisë së tretë më të madhe në Evropë dhe ushtrisë me një përvojë më relevante në fushëbetejë. Njohuritë teknologjike ukrainase, me theks të veçantë në dronët dhe përdorimin e inteligjencës artificiale do të janë tani pasurim i rëndësishëm i arsenalit ushtarak perëndimor.
Së treti, rënia eventuale e Ukrainës është kërcënim për gjithë sigurinë evropiane. Kjo është diçka që SHBA-ja nuk mund të lejojë. Evropa është aleat kryesor i SHBA-së në çdo kuptim të mundshëm. Triumfi eventual i Rusisë dhe kërcënimi i sigurisë evropiane nuk mund të ngelen si ngjarje lokale. Ajo do të kërcënojë interesat amerikane në gjithë botën nga Amerika Jugore deri në Paqësor. Në gjithë këtë sfond opsionet para presidentit Trump janë të kufizuara. Ai do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, sepse është kurs që diktohet nga forcat strukturore dhe apersonale të cilat përcaktohen nga interesat kyç nacionale amerikane. Natyrisht gjatë gjithë kësaj kohe ne do të befasohemi nga deklaratat e Trumpit, pasi që Trumpi patjetër do të jetë Trump. Por, në gjithë këtë sfond duhet ndarë zhurmën ditore të destinuar për audiencën e brendshme nga interesat afatgjate amerikane. Me fjalë të tjera, këto ditë këshilla e dobishme është të shikojmë se çfarë Trumpi bën dhe jo çfarë Trumpi thotë./Koha
Komente
