Deponimi i Metës në Parlament, ç’dekretimi i 30 qershorit si benzinë për zjarrin që do 'digjej' Parlamenti

9 Shtator 2019, 20:57| Përditesimi: 9 Shtator 2019, 20:58

  • Share

Qëndrimi i presidentit të Republikës në Kuvend se ai ç’dekretoi 30 qershorin si ditë zgjedhjesh për të shmangur djegien e Parlamentit, është komentuar në mënyrë vertikale në këto orët pas raportimit të parë të kreut të shtetit shqiptar, në një komision parlamentar të hetimit të presidentit.

Si seancë e parë, deponimi i presidentit shkoi qetë nga të dy palët, ku nuk pati ngritje tonesh apo tensionim të ndërsjelltë, ndoshta edhe për të treguar xhentilesën e duhur institucionale, megjithatë ka rënë në sy mos ngulmimi i parlamentarëve për të hartuar një grup pyetjesh në lidhje me thelbin e çështjes.

Deklarata e Metës ka qenë mjaft e forte, por edhe nga ana tjetër mjaft e çuditshme, pasi në një shtet normal demokratik zgjedhjet gjithmonë janë përveçse baza e sistemit, edhe një mënyrë për të zbutur tensionet, pasi partitë politike, si aktorë kryesorë, për të ardhur në pushtet kërkojnë të votëbesohen përpara zgjedhësve, për të arritur kështu detyrën kryesore të një force politike.

Shqipëria në gati 30 vjet pluralizëm asnjëherë nuk e ka parë anulimin e zgjedhjeve normale si një mundësi për të qetësuar situatën, përkundrazi.

Meta dha rastin e Ramiz Alisë në vitin 1991, kur si president i Republikës ka shtyrë me një muaj zgjedhjet e vitit 1991, nga shkurti në muajin mars, pas një situate të krijuar nga rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës dhe kërkesës zyrtare të opozitës së atëhershme-Partisë Demokratike, për të shtyrë zgjedhjet.

Kjo kërkesë u përkrah edhe nga partia atëherë në pushtet, që drejtohej nga Ramiz Alia, pra PPSH.

Në gjithë këto vite nuk ka pasur asnjë rast kur presidenti ç’dekreton zgjedhjet si një mundësi për të ulur tensionet.

Në vitin 2007, presidenti Alfred Moisiu, pas një pakti të të gjithë partive politike parlamentare, i detyroi ata të vendosnin një nen kalimtar në Kodin Zgjedhor, ku i lejohej presidentit në atë rast të caktonte një datë tjetër zgjedhjesh, pasi opozita socialiste kërkonte shtyrje për arsyen e rritjes së sigurisë të dokumenteve të votimit.

Në rastin aktual, presidenti Ilir Meta dekretoi 30 qershorin si datë zgjedhjesh pasi u konsultua me të gjithë partitë parlamentare, pra edhe me  opozitën, PD dhe LSI, kur këto të fundit u rikthyen në Parlament në dhjetorin e vitit të shkuar.

Në rastin e ç’dekretimit, nëse do të shërbente si një mjet për të ulur tensionet, atëherë do të duhej që të arrihej një pakt me palët, të cilat nuk binin dakord.

Ndërkaq, në rast se një organ ligjzbatues, siç është SHërbimi Informativ Shtetëror, ka informuar kreun e shtetit dhe sipas ligjit, paralelisht për një djegie të Parlamentit, atëherë presidenti do të duhej të merrte masat që ajo të mos ndodhë me anë të mekanizmave institucional, apo qoftë edhe duke ndërhyrë direkt në mënyrë që forcat politike të bëjnë apel për uljen e tensioneve politike.

Ç’dekretimi i njëanshëm apo i mosdakortuar nga palët, më shumë se një mekanizëm ç’tensionimi, shërbeu si një karburant për të ushqyer edhe më shumë flakët e sherrit politik.

Madje pikërisht nga akti i Metës, opozita përshkallëzoi paralajmërimin për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha foli për përplasje civile.

Ishte vetëm deklarata e zyrtarit të lartë të DASH, Mathevv Palmer, 2 ditë para zgjedhjeve në VOA, që fiku menjëherë zjarrin.

“Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Shpresojmë që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që mosmarrëveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit”, tha zoti Palmer në një intervistë në seksionin shqip të Zërit të Amerikës më 28 qershor.

Ndërkohë që nga politikanë të opozitës ishte deklaruar se do të ndalonin që të zhvillohej procesi, duke përdorur militantët e tyre, zyrtari i DASH, Pamer deklaroi:

“U bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre që më 30 qershor të mos ketë dhunë, që askush të mos pengojë të drejtën e atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje”.

Sa për atë që tha kreu i shtetit, që nuk doja një “Rajshtag të dytë”, konteksti është krejt tjetër.

Hitleri, që ishte në drejtim të partisë naziste, nxiti përkrahësit e tij të djegin Parlamentin, duke akuzuar komunistët. Madje u akuzua një drejtues komunist bullgar, Gjergj Dimitrovi.

Pas djegies, Hitleri u bë kancelar, duke larguar kreun legjitim të shtetit…

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?