Mjeku dhe deputeti Edmond Stojku, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, u shpreh se njerëzit duhet të nisin të ruhen nga psikovirusi, një nga pasojat e covid-19. Stojku u shpreh se psikovirusi është kur frika kolektive bëhet shumë e madhe dhe trupi jonë prej kësaj frike prodhon sasi anormale stresi, duke krijuar efekte anësore si rritje e rrahjeve të zemrës, impakt në sistemin imunitar dhe dobësim të sistemit tretës. Stojku tha se virusi në Shqipëri deri tani është mbajtur nën kontroll, prandaj, sipas tij, duhet të nisim të ruhemi pak dhe nga psikovirusi. Mjeku u ndal edhe tek masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit në Shqipëri, ndërsa tha se situata në vendin tonë nuk ka asnjë lidhje me atë në Spanjë dhe Itali. Po si do të jetë bota pas koronavirusit? Stojku mendon se covid-19 po ndryshon konceptin mbi paranë, duke e zhvendosur në plan të dytë.
-Si e vlerësoni luftën e deritanishme kundër covid-19?
Ky virus duke qenë se është pandemi globale duhet luftuar me një strategji globale me bashkëpunim midis shteteve të prekura, dhe strategji lokale, rajonale, me masa individuale për secilin shtet. Qëllimi është që të mbahen të ulëta numrat e të infektuarave dhe sistemet shëndetësore të përballojnë të sëmuret, që të fitojmë kohë deri në gjetjen e një kurë përfundimtare.
- A ka një strategji konkrete për të realizuar ketë që propozuat?
Po natyrisht, shtetet e mëdha sot po bashkëpunojnë intensivisht në mënyrë që:
a. Të ndërtojnë një rrjet të sigurt informacioni, ku shtetet që janë prekur më shumë kontribuojnë me më shumë udhëzime.
b. Koordinim në rang global për prodhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore.
c. Dërgimi i ekipeve mjekësore nga vendet më pak të prekura te ato më të prekurat. Pra siç kemi bërë dhe ne... Shume e rëndësishme kjo, si ne aspekt bashkëpunimi, por edhe në eksperiencën që do fitojnë mjekët tanë, që do jetë shume e dobishme në rast se përkeqësohet gjendja tek ne, dhe natyrisht karantimi absolut i pothuajse të gjitha vendeve të prekura.
- Po Shqipëria çfarë masash të tjera duhet të marrë?
Shqipëria duhet të mbaje patjetër numrin e të infektuarave të ulet, duke zbatuar rreptësisht masat e caktuara. Çdo ditë duhet që numri i të infektuarave të mbahet nën kontroll, të punohet për të zgjeruar kapacitetin e sistemit mjekësor, pasi është e provuar se në shtetet me sistem shëndetësor që përballon të infektuarit, vdekshmëria është shumë më e ulet. Të rritet numri i testeve, në mënyrë që të krijohet një panoramë me kuptimplotë e të infektuarve. Kjo strategji është ndërmarrë nga presidenti i SHBA Donald Trump si dhe është propozuar nga Bill Gates. Gjithashtu të çohet vëmendja edhe te bujqësia. Kjo krizë mund të rrisë çmimin e ushqimeve nëpër botë, prandaj do ishte me mend që t’i jepet rendësi fermerëve tanë.
-Z. Stojku, çfarë është psikovirusi?
Psikovirusi është kur frika kolektive bëhet shumë e madhe dhe trupi jonë prej kësaj frike prodhon sasi anormale stresi. Kjo ka efekte anësore si rritje e rrahjeve të zemrës, impakt në sistemin imunitar, dhe dobësim të sistemit tretës, të gjitha këto çojnë në rritjen e rrezikshmërisë për sëmundje. Një tjetër efekt i psikovirusit, është demi psikologjik. Siç thashë dhe me parë ka njerëz që mendojnë se ka ardhur fundi i botës. Nuk besoj se do shumë mund që të kuptohet se të jetosh duke menduar se po vjen fundi i botës, ka pasoja të konsiderueshme në psikologji. Virusi në Shqipëri deri tani është mbajtur nën kontroll, prandaj duhet të nisim të ruhemi pak dhe nga psikovirusi.
-A është serioze situata në Shqipëri dhe a mund të bëhet si në Itali dhe në Spanjë?
Absolutisht jo! Ne Itali dhe Spanje kishte numër të infektuarish me rritje eksponenciale dhe kolaps të sistemit shëndetësor. Numrat tanë tregojnë se nuk kemi asnjë nga këto dy variantet, dhe po vazhduam të zbatojmë masat izoluese nuk do të kemi rrezik.
-Çfarë mendoni se do të ndodhë në botë pas këtij virusi?
Një gjë është e sigurt që kjo situate do lërë mbrapa një botë shumë me ndryshe nga ajo e mëparshmja. Dhe për këtë e kam fjalën për një botë më të mirë. Shekuj më vonë, koronavirusi do mbahet mend si ngjarja që formoj shekullin e 21! Mund të rri gjatë duke folur mbi këto ndryshime, por për arsye kohore do të them kryesoret, ashtu siç i mendoj unë. Së pari, e kemi parë që sot që po ridimensionohet koncepti që kishim deri dje mbi pasurinë. Nëse më përpara shoqëria jonë, flas për gjithë civilizimet botërore, jo vetën në Shqipëri, rrotulloheshin rreth parasë, sot e shohim paranë në plan të dyte pasi gjeja me e rëndësishme që mund të blesh me to sot, janë ushqimi dhe abonim interneti. Ekspertë ekonomikë dhe biznesi, thonë se do të ketë ndryshime të mëdha industriale. Do ketë industri që do bien, dhe të reja që do ringrihen. Dixhitalizimi po pëson një konsolidim më të thellë nga çka pasur deri më sot. Studentët po arsimohen online nga shtëpitë e tyre. Mediat gjithashtu, si kjo intervistë që po bëhet tani nëpërmjet lidhjes Skype. Por dimensioni që besoj se do të pësojë ndryshimin më teë madh, është ai personalitetit të njeriut. Koha e gjatë qe po kalon në izolim sot njeriu, do e përballi atë me dilema që në jetën dinamike të vjetër, i anashkalonte lehtë. Dhe duket qartë kjo gjë, po të shohësh çfarë ndodh në rrejte sociale. Njeriu po ndryshon. Ashtu siç murtaja e zezë në vitin 1347, tronditi aq thelle njerëzit e asaj kohe, sa i nxiti të krijonin art e kulturë, muzikë e shkencë, moral e humanizëm, që riformatoi botën, besoj të njëjtin efekt do të ketë edhe Covid- 19, me një ndryshim nga atëherë; që kësaj here ndryshimet do të jenë më të thella!