Foto ilustruese

Derbi Dinamo-Tirana në 'Air Albania', ja rrugët që do të bllokohen nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes

24 Janar 2022, 12:17| Përditesimi: 24 Janar 2022, 15:34

  • Share

TIRANË- Nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes Dinamo-Partizani, disa rrugë përreth stadiumit do të qëndrojnë të mbyllura. Ky është plani i masave të marra nga Policia e Tiranës, për mbarëvajtjen e ndeshjes, jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.

"Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore, gjatë momentit të kalimit të tifozëve. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë: Rruga “Lek Dukagjini” përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza", thuhet në njoftim.

Për shkak të rëndësisë së kësaj ndeshjeje, tifozët do të kenë rrugëkalime të ndryshme.

"Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë: Lëvizja e tifozëve të Dinamos: Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" - Rruga “Bajram Curri” - Rruga “Papa Gjon Pali II” - stadium. Lëvizja e tifozëve të Tiranës: Pallati i Operas – bulevardi "Dëshmorët e Kombit" - Sheshi ”Nënë Tereza”- rruga “Lek Dukagjini” - stadium. Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar", njofton policia.

Nga ana tjetër, është theksuar në nuk do të lejohet që të futet në stadium asnjë tifoz pa kartë identiteti  apo të atyre që janë konsideruar si problematik nga policia.

"Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara. Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit. Nuk do të lejohen të futen në stadium tifozë me fytyrë të mbuluar. Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.

Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive. Policia e Tiranës edhe njëherë apelon për tifozëritë e dy skuadrave që të zbatojnë rregullat dhe ligjin", përfundon njoftimi i Policisë. 

Masat e policisë vijnë pas dhunës së tifozëve në disa ndeshje radhazi në “Air Albania”, që përfunduan me vandalizimin e stolave të stadiumit. 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?